Djali i presidentit të zgjedhur të Amerikës, Donald Trump Jr akuzon presidentin e SHBA-së Joe Biden se dëshiron të "nisë Luftën e Tretë Botërore" para se babai i tij, "të ketë mundësinë të krijojë paqe dhe të shpëtojë jetë". Mesazhi i postuar në X pason vendimin e Shtëpisë së Bardhë për të autorizuar Ukrainën që të përdorë raketa me rreze të gjatë kundër objektivave ushtarake brenda Rusisë, të cilën Kievi kishte kërkuar për muaj të tërë.
Mediat amerikane raportuan dje (17 nentor) se administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka hequr kufizimet që e parandalonin Ukrainën që të përdorte armët amerikane për të sulmuar thellë brenda territorit rus. The Neë York Times, Associated Press dhe Reuters citojnë burime që kanë njohuri për këtë çështje.
Nga ana e saj Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentonte. Trump ka kritikuar mbështetjen e fuqishme që Bideni i ka dhënë Kievit dhe ka thënë se synon që t’i japë fund luftës sa më shpejt që të jetë e mundur, por nën kushte që me gjasë do të jenë të papranueshme për Ukrainën.
Ukraina me gjasë do të përdorë raketat e sistemit ATACMS – që kanë rreze veprimi deri në 306 kilometra – tha Reuters, duke cituar tri burime që kanë informacione për këtë çështje. ATACMS apo Sistemi Raketor Taktik Ushtarak është raketë e fuqishme hipersonike, balistike që mund të udhëtojë deri në 300 kilometra.
Ky vendim i Shteteve të Bashkuara, rreth 2 muaj përpara se Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump të marrë detyrën më 20 janar, vjen pasi për muaj me radhë Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy kishte kërkuar që ushtria e vendit të tij të lejohej të përdorte armatimet amerikane për të goditur objektivat ushtarake ruse që gjenden larg kufirit. Ndryshimi i politikës vjen pas dislokimit të trupave të Koresë së Veriut për të ndihmuar forcat ruse, një zhvillim që ka alarmuar Uashingtonin dhe Kievin. Administrata aktuale amerikane së fundi ka qenë duke kërkuar për mënyra se si të rrisë ndihmën për Ukrainën, para se Bideni të përfundojë mandatin më 20 janar 2025, kur presidenti i zgjedhur republikan, Donald Trump, të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë.
Ndërkohë mbrëmjen e kaluar Rusia nisi një tjetër sulm me dron dhe raketa në Ukrainë. Të paktën 10 persona raportohen të jenë vrarë nga një sulm raketor në Sumy, afër kufirit.
Lajmi ne perditesim...
Ushtria ruse ka goditur një ndërtesë civile në Sumy në Ukrainë.
Sipas 'La Reppubblica', një zyrtar ukrainas thotë se sulmi rus në një ndërtesë nëntëkatëshe në qytetin Sumy ka vrarë të paktën dhjetë persona dhe ka plagosur dhjetëra të tjerë.
Rusia ka nisur një sulm masiv me dron dhe raketa në disa infrastrukturë energjetike të përshkruar nga zyrtarët lokalë si më i madhi në muajt e fundit.
Ndërkohë, pas Rusisë edhe Ukraina nisi një sulm me dron në rajonin e Bryansk. 26 avionë pa pilot u rrëzuan sipas guvernatorit të rajonit.