Një anije iraniane mallrash është kapur nga marina detare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Gjirin e Omanit. Kjo anije u përpoq të thyente bllokadën amerikane në portet iraniane ndërsa pas urdhrit të evakuimit të ekuipazhit, Marina e SHBA ka goditur me predha pjesën motorike të anijes. Marina iraniane ka rivendosur kufizime në tranzitin përmes ngushticës, ndërsa ushtria amerikane ka vendosur një bllokadë në portet iraniane.

Një zëdhënës i Shtabit të Përgjithshëm iranian ka shkruar në Telegram se SHBA ka shkelur armëpushimin dhe se do t’i përgjigjen së shpejti. "Forcat e armatosura të Republikës Islamike të Iranit do të përgjigjen menjëherë dhe do të marrin masa hakmarrëse kundër këtij akti piraterie të armatosur dhe kundër ushtrisë amerikane".

Agjencia e lajmeve Tasnim raporton se Garda Revolucionare e Iranit i është përgjigjur SHBA me lëshimin e dronëve ushtarakë në drejtim të anijeve amerikane.

Me një deklaratë në rrjete sociale ka reaguar dhe zëvendëspresidenti iranian Mohammed Reza Aref, i cili ka kërcënuar SHBA-në me kalimin e sigurtë të anijeve të tjera në Hormuz dhe rritjen e çmimit të naftës.

“Siguria e Ngushticës së Hormuzit nuk është falas. Nuk mund të kufizosh eksportet iraniane të naftës dhe njëkohësisht të kërkosh siguri falas për të tjerët. Zgjedhja është e qartë: ose një treg i lirë nafte për të gjithë, ose rreziku i kostove të konsiderueshme për të gjithë. Stabiliteti i çmimeve globale të karburantit varet nga një fund i garantuar dhe i qëndrueshëm i presionit ekonomik dhe ushtarak kundër Iranit dhe aleatëve të tij”, shkruhet në postimin e tij.

Ndërkohë, presidenti Donald Trump lajmëroi zhvillim e një tjetër raundi bisedimesh në Islamabad ndërsa edhe 2 ditë kanë mbetur nga skadimi i afatit të armëpushimit 2 javor, i hyrë në fuqi për të garantuar zhvillimin e negociatave. Irani ka mohuar pjesëmarrjen në bisedime për shkak të konflikteve në Ngushticën e Hormuzit.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:53
Teherani: Nuk do të pranojmë ultimatume! Nëse ata sulmojnë, ne do të përgjigjemi

1775927062_hormuzi.jpg

Irani i hedh poshtë kërcënimet dhe ultimatumet e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump. "Republika Islamike e Iranit, në mbrojtjen e interesave të saj kombëtare, nuk njeh as afate dhe as ultimatume", deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmaeil Baqaei, sipas agjencisë së lajmeve Tasnim. "Mbrojtja e interesave kombëtare do të vazhdojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme, dhe në rast të iniciativave të reja aventureske nga Shtetet e Bashkuara ose regjimi sionist, forcat e armatosura do të përgjigjen me forcë dhe me gjithë fuqinë e tyre", siguroi ai.

Ora 09:07
Negociatat me SHBA/ Zyrtari iranian: Ndoshta do të shkojmë në Islamabad, nëse sinjalet janë pozitive

Nëse vijnë "sinjale pozitive" nga Shtetet e Bashkuara, Irani mund të dërgojë një ekip negociator në Islamabad, ku janë planifikuar bisedime të mëtejshme. Kjo është ajo që deklaroi kryetari i Komitetit Parlamentar Iranian për Sigurinë Kombëtare, Ebrahim Azizi, në një intervistë me Al Jazeera.

Ora 07:20
VIDEO/ Momenti kur Marina amerikane qëllon me top anijen tregtare iraniane, tentoi të thyente bllokadën detare

“Shkatërruesi me raketa i drejtuara USS Spruance ka interceptuar anijen Touska ndërsa lundronte në veri të Detit Arabik me shpejtësi 17 nyje, me drejtim Bandar Abbas, në Iran”, thuhet në një komunikatë të Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara. “Forcat amerikane kanë lëshuar disa paralajmërime dhe kanë informuar anijen me flamur iranian se po shkelte bllokadën detare amerikane”.

Forcat e armatosura amerikane kanë publikuar një video që tregon një shkatërrues me raketa të Marinës amerikane duke hapur zjarr ndaj anijes tregtare iraniane. Sipas Centcom, pasi për gjashtë orë ekuipazhi i Touska-s “nuk iu bind paralajmërimeve të përsëritura”, Spruance urdhëroi anijen të evakuonte dhomën e motorëve.

Shkatërruesi me raketa çaktivizoi sistemin e shtytjes së anijes tregtare iraniane “duke qëlluar disa herë me topin e tij MK 45 prej 5 inçësh në dhomën e motorëve të Touska-s”. “Më pas, marinsat amerikanë të Njësisë së 31-të Ekspedicionare të Marinsave hipën në bord të anijes, e cila mbetet nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara”, thuhet në deklaratën e Komandës Amerikane, sipas së cilës forcat e saj “kanë vepruar në mënyrë të matur, profesionale dhe proporcionale për të garantuar zbatimin e masës”.