Çmimet e prezervativëve në gjithë botën janë drejt rritjes së forte për shkak të luftës në Iran

Siç raporton BBC, kompania Karex, lider global në këtë sektor, paralajmëron se do të rrisë çmimet deri në 30%, madje edhe më shumë nëse kriza vazhdon.

Shefi ekzekutiv Goh Miah Kiat tha se veç kërkesës, edhe kostot e prodhimit janë rritur ndjeshëm që nga nisja e konfliktit.

Karex prodhon mbi 5 miliardë prezervativë në vit dhe furnizon marka të njohura si Durex dhe Trojan, si edhe sisteme publike si NHS.

Në qendër të problemit është nafta. Tensionet në Ngushticën e Hormuzit kanë paralizuar një nga rrugët më të rëndësishme të tregtisë botërore. Rreth një e pesta e naftës dhe gazit të lëngshëm kalon zakonisht aty.

Kërcënimet e Iranit për të goditur anijet, pas sulmeve ajrore nga SHBA dhe Izraeli, e kanë bllokuar këtë korridor dhe kjo po l pasoja.

Karex varet drejtpërdrejt nga produktet që dalin nga nafta, si amoniaku për ruajtjen e lateksit dhe lubrifikantët me bazë silikoni. Kur rritet nafta, çdo gjë tjetër në linjë rritet automatikisht.

Por nuk mbaron këtu. Sipas BBC-s, këtë vit, kërkesa për prezervativë është rritur me rreth 30%. Sipas Goh, në kohë pasigurie njerëzit janë më të kujdesshëm:

“Nëse bën një fëmijë tani, ke një gojë më shumë për të ushqyer”, tha ai.

Efekti domino po prek edhe sektorë të tjerë. Biletat ajrore janë rritur mesatarisht me 24%, çmimet e plehrave kimike janë në rritje, ndërsa mungesat e heliumit po godasin industrinë e çipave.

Edhe industria e ujit të ambalazhuar dhe ushqimet bazë si sheqeri, bulmeti dhe frutat pritet të shtrenjtohen, për shkak të kostove më të larta të transportit.

Ndërkohë, negociatat për paqe mbeten të paqarta. Presidenti Donald Trump ka thënë se armëpushimi me Iranin do të zgjatet përkohësisht, por pa një marrëveshje të qartë në horizont.