Lufta/ Gazetari i AFP-së vritet nga bombardimet në Bakhmut! Prigozhin i acaruar me Putin: Nëse s'kemi municion kush është tradhtar pastaj?

Ashtu si çdo vit, në Moskë sot u festua Dita e Fitores, ndërsa presidenti rus Vladimir Putin mori pjesë në paradën ushtarake. Në fjalimin e tij, Putin tha se Ukraina është peng i Perëndimit, ndërsa këta të fundit i akuzoi se po tentojnë që t’i diktojnë botës rregullat e tyre. Putin tha se një “luftë e vërtetë” po zhvillohet sërish kundër vendit të tij, ndërsa akuzoi elitat perëndimore për “mbjellje të urrejtjes dhe të rusofobisë”.

“Qëllimi i tyre nuk është gjë tjetër, veçse ta shohin rënien e vendit tonë”, tha Putin, duke mos ofruar asnjë provë për pretendimet e tij.

Në 78-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Putin përsëri u përpoq të lidhte pushtimin rus të Ukrainës me luftën kundër nazizmit, duke pretenduar se Rusia po mbronte sovranitetin e saj.  Ai e krahasoi qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të Ukrainës me nazistët e mundur në Luftën e Dytë Botërore, duke akuzuar Perëndimin se harronte se kush i mundi nazistët. Presidenti rus pretendoi se Rusia dëshironte një të ardhme paqësore. Ai tha se të gjithë në Rusi ishin të bashkuar në mbështetjen e ushtarëve që merrnin pjesë në atë që ai e përshkroi si "operacion special ushtarak të Rusisë".

Ndryshe nga vite më parë, ku Rusia mban një paradë ushtarake madhështore, me mijëra ushtarë e ku ekspozon forcën me pajisjet ushtarake, këtë vit ishte një paradë shumë më ndryshe nga ajo çfarë jemi mësuar të shohim në Sheshin e Kuq. Në paradë morën pjesë më pak ushtarë, 8.000 krahasuar me 11.000 vitin e kaluar, u ekspozuan më pak pajisje ushtarake, pa tanke moderne, pa fluturim ushtarak dhe parada ishte më e shkurtër se në vitet e mëparshme.

Teksa Rusia shënon Ditën e Fitores, Kievi, është gjendur sërish gjatë natës nën sulmet ruse. Sulmeve të ushtrisë ruse, këtë 9 maj Ukraina zgjodhi të mos u kundërpërgjigjej, duke u fokusuar në festimet e ditës së Europës. Në vizitës e pestë në Kiev që nga nisja e luftës, Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen tha se e sheh Ukrainën gjithnjë e më afër Europës dhe se Kievi është vendi më i përshtatshëm për të festuar paqen e unitetin.

"Ukraina i ka rezistuar sulmit nga Rusia dhe po kundërpërgjigjet në mënyrë të suksesshme. Ajo po lufton për idealet e Evropës që ne festojmë sot për të krijuar unitet dhe paqe të qëndrueshme. Prania ime në Kiev është simbolike, por është gjithashtu shenjë e një realiteti vendimtar. BE do të jetë krah për krah me Ukrainën për mbështetjen e saj kundrejt luftës", tha Von der Leyen.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se BE duhet të marrë një vendim për hapjen zyrtare të bisedimeve për Ukrainën.

“Ka ardhur koha për të hequr pasigurinë politike në marrëdhëniet midis Ukrainës dhe BE-së. Ka ardhur koha për të marrë një vendim pozitiv për hapjen e negociatave për pranimin e Ukrainës në BE," tha Zelensky

Si pasojë e bombardimeve ruse në Bakhmut, një gazetar i medias franceze AFP, ka ndërruar jetë në krye të detyrës. Lajmin e bënë me dije kolegët e tij, të cilët po ashtu po raportonin nga vendngjarja. Nga ana tjetër, kreu i grupit rus Wanger, Yevgeny Prigozhin ka kritikuar furnizimet e pakta me armë nga ana e drejutesve të Moskës duke i akuzuar këta të fundit si të paaftë për mbrojtjen e Rusisë. 

Çfarë është 9 maji për Rusinë?
9 maji, i njohur si "Dita e Fitores" brenda Rusisë, përkujton fitoren e vendit ndaj nazistëve në 1945. Ajo shënohet nga një paradë ushtarake në Moskë dhe liderët rusë tradicionalisht qëndrojnë mbi varrin e Vladimir Leninit në Sheshin e Kuq për ta vëzhguar atë. Si ditën e nënshkrimit të kapitullimit gjerman pa kushte dhe atë të festimit të fitores, Rusia zgjodhi 9 Majin. Ajo ua diktoi këtë datë vasalëve të të gjithë vëndeve të ish kampit socialist. 

Çfarë është 9 maji për BE?
Dita e Evropës e mbajtur më 9 maj çdo vit feston paqen dhe unitetin në Evropë. Kjo datë shënon përvjetorin e " Deklaratës së Schuman"-it historik që parashtroi idenë e tij për një formë të re bashkëpunimi politik në Evropë, që do ta bënte të pamendueshme luftën midis kombeve të Evropës. Propozimi i Schuman-it konsiderohet të jetë fillimi i asaj që tani është Bashkimi Evropian.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:20
Bombardimet ruse në Ukrainë, vritet në krye të detyrës gazetari i medias franceze

 

Një gazetar francez i agjencisë së lajmeve AFP u vra gjatë bombardimeve sot në Ukrainë. Arman Soldin, i cili ishte korrespondent i medias franceze në Ukrainë, u vra nga goditjet me raketa pranë Chasiv Yar në rajonin lindor të Donetsk.

Sulmi ndodhi në periferi të qytetit pranë Bakhmutit.

Në prill, Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve raportoi se të paktën 12 gazetarë dhe punonjës të medias janë vrarë në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus dhe 18 janë plagosur.

Ora 19:19
Moska feston ditën e Fitores, shërbimi sekret bjellorus: Kemi parandaluar disa tentativa për të kryer sulme terroriste

Në prag të Ditës së Fitores, e cila festohet sot më 9 maj, shërbimet sekrete bjelloruse, KGB, penguan tentativat për sulme terroriste. Kështu u shpreh kreu i inteligjencës bjelloruse, Ivan Tertel.

"Ne kemi arrestuar një numër njerëzish që po përgatiteshin të kryenin sulme terroriste," tha shefi i inteligjencës Ivan Tertel i cili shtoi më tej "këto ngjarje kanë qenë të lidhura, sipas vlerësimeve tona, me 9 majin. Një përpjekje për situatën". 

Ora 17:41
Kreu i Wanger i acaruar me Putin: Nëse u tërhiqkemi nga Bakhmuti qenkemi tradhtarë?! Po nëse mungon municioni kush është tradhëtar pastaj?

1683462822_yevgenyprigozhin.jpg

Kreu i kompanisë ushtarake private ruse Wagner, Yevgeny Prigozhin, tha se ai dhe mercenarët e tij do të konsideroheshin "tradhtarë" nëse do tërhiqeshin, ku luftuan për disa muaj. Por ai shtoi se po konsiderohet tërheqja pasi sërish në furnizmimet e ardhura nuk ka mjaftueshëm municion.

“Dje ka mbërritur një urdhër lufte, i cili thotë qartë se nëse largohemi nga pozicionet tona, kjo do të konsiderohet tradhti ndaj atdheut”, njoftoi shërbimi për shtyp i Prigozhin duke shtuar “Por nuk ka municion - vazhdon deklarata - Pastaj do të largohemi nga pozicionet tona dhe do të ne pyesim se kush po e tradhton realisht atdheun. Kush po tradhton Rusinë është personi që ka firmosur urdhrin për furnizimin me pak municion”.

Ora 14:44
Zelensky: Ukraina ka shtuar sulmet! Suksesi në mposhtjen e tyre tregon se ne mund të fitojmë luftën

Presidenti i Ukrainnës, Volodymyr Zelensky, në konferencën me Presidenten e Komisionit Europian tha se suksesi në mposhtjen e sulmeve ruse tregon se mund ta fitojnë luftën.

“Ne kërkojmë fitore dhe i kthehemi fjalëve të Deklaratës së Shumanit” – nënshkruar pas Luftës së Dytë Botërore – për hir të sigurisë dhe paqes, ne duhet të jemi aq të fortë sa dëshira e Rusisë për të shkatërruar Evropën, kështu që brezi i ri i Evropianëve mund ta festojnë Ditën e Evropës në paqe.

“Ukraina çdo ditë demonstron efikasitet të mbrojtjes kundër agresionit rus. Çdo sukses në mposhtjen e sulmeve ruse është provë se ne mund të fitojmë mbi këtë agresor."

Ora 14:37
Von der Leyen: Ukraina po lufton për paqe të qëndrueshme! Po punon shumë për anëtarësimin në BE

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen në konferencën për shtyp me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky tha se Ukraina po punon shumë për anëtarësimin në BE pavarësisht luftës.

Ukraina po lufton për të krijuar "bashkim dhe paqe të qëndrueshme" dhe nuk duhet të harrojmë kurrë se paqja në Evropë dukej "e pamundur, e pamundur dhe shumë e largët për pjesën më të madhe të shekullit të kaluar".

"Evropa ka të bëjë me të bërë të pamundurën, të mundshmen, dhe po ashtu edhe Ukraina," shton von der Leyen teksa përfundon fjalimin e saj.

“Është mbresëlënëse të shohësh, pavarësisht një lufte të plotë, Ukraina po punon shumë, pa u lodhur dhe intensivisht në shtatë hapat. Është bërë shumë përparim, por puna duhet të vazhdojë," tha ajo.

Ora 14:33
Von der Leyen: Rusia ka dështuar në mënyrë dramatike! BE po bën gjithçka për të ‘gërryer’ makinën luftarake të Putinit

 

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen në Kiev ka zhvilluar një konferencë për mediat me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Von der Leyen tha se Rusia ka dështuar në mënyrë dramatike. Ajo tha se Evropa po bën për të gërryer makinën e luftës së Putinit dhe të ardhurat e tij.

“Ukraina po lufton për idealet e Evropës që ne festojmë sot. Putini dhe regjimi i tij i kanë shkatërruar këto vlera dhe tani po përpiqen t'i shkatërrojnë ato këtu në Ukrainë. Agresori tashmë ka dështuar në mënyrë dramatike. Pushtuesit janë nxjerrë zvarrë nga burgjet dhe janë marrë për të luftuar në emër të Rusisë. Fryma e Ditës së Evropës është solidariteti dhe Zelensky mund të llogarisë në atë solidaritet nga BE-ja për aq kohë sa të duhet. Evropa po bën "çdo gjë në fuqinë tonë për të gërryer makinën e luftës së Putinit dhe të ardhurat e tij". Sanksionet tona po funksionojnë dhe ne reduktuam importet tona nga Rusia me gati dy të tretat, duke parandaluar kështu Rusinë të marrë "rrjedha të rëndësishme të të ardhurave", tha ajo.

Von der Leyen foli gjithashtu për rëndësinë e eksporteve të drithit nga Ukraina, duke thënë se "prioriteti i menjëhershëm" është që tranziti i drithit të shkojë pa probleme, me koston më të ulët të mundshme jashtë Ukrainës, drejt BE-së.

"Kjo kërkon bashkëpunim të ngushtë, kështu që do të ngrihet një platformë koordinimi, në mënyrë që të mund të marrim korsi solidariteti," thotë ajo.

Ora 14:00
Në paradën ushtarake në Moskë vetëm një tank

Ndryshe nga paradat e mëparshme ushtarake të Ditës së Fitores të Rusisë , ku një flotë tankesh kaloi Sheshin e Kuq të Moskës në një shfaqje të fuqisë ushtarake, sot parakaloi vetëm një: një tank T-34 i kohës sovjetike.

Ora 12:42
Zelensky konferencë me Von der Leyen: Ne kemi nevojë për një fitore të re

1682195922_zelensky.JPG

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka zhvilluar një konferencë për shty me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cila ndodhet në Kiev për Ditën e Europës.

"Evropa u mundësua nga mposhtja e së keqes së agresionit" dhe "së bashku sot po luftojmë përsëri të keqen e agresionit dhe politikën e urrejtjes që Rusia ka rikthyer në kontinentin tonë, kështu që tani na duhet një fitore e re dhe ne kthehemi në kuptimin e fjalëve të deklaratës së Schuman-it. Përpjekjet tona për një Evropë të bashkuar, për siguri dhe paqe duhet të jenë po aq të forta sa aspiratat ruse për të shkatërruar lirinë në Evropë", tha Zelensky.

Ora 12:34
Ambasadori amerikan në Kiev: Rusia feston 9 majin me raketa në Ukrainë

1683522266_lufta.jpg

Ambasadorja e SHBA-së në Ukrainë Bridget Brink dënoi sulmin rus të mëngjesit të sotëm në një postim në Twitter: "Ukraina, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara përkujtuan dje fitoren e tyre mbi tiraninë. Rusia feston 9 majin me më shumë raketa dhe dronë që janë gjuajtur në qytetet ukrainase".

Ora 12:32
Ultimatumi i kreut të Wagner për Putinin: Ose municion, ose unë tregoj realitetin

Kreu Wagner, Yevgeny Prigozhin, i dha një ultimatum presidentit rus Valdimir Putin në një video të postuar në Telegram. Nëse nuk pajiset me municion sot para përfundimit të paradës në Moskë, ai do të publikojë një video në të cilën do të tregoni “të vërtetën për gjendjen e mjerueshme në front”.

Ora 12:29
Moskë: Nesër nisin bisedimet në Stamboll për marrëveshjen e grurit

Një takim i "nivelit të lartë" në format katërpalësh - Rusia, Ukraina, Turqia dhe OKB - do të mbahet nga nesër deri të enjten më 11 maj në Stamboll për të diskutuar zgjatjen e marrëveshjes për eksportin e grurit nga Deti i Zi . Këtë e ka bërë të ditur zëvendësministri i Jashtëm i Moskës, Serghei Vershinin.

Ora 12:27
Kreu i Wagner: Shteti është i paaftë të mbrojë Rusinë

Kreu i grupit paraushtarak Wagner akuzoi ushtarët e ushtrisë ruse se u larguan nga pozicionet e tyre në Bakhmut, epiqendra e luftimeve në Ukrainën lindore, dhe akuzoi shtetin se nuk ishte në gjendje të mbronte Rusinë.

“Sot (e martë), një nga njësitë e Ministrisë së Mbrojtjes u largua nga një nga krahët tanë (…) Ata lanë pozicionet e tyre, të gjithë ikën, - akuzoi Yevgeny Prigozhin. “Pse shteti nuk mund ta mbrojë vendin?” tha ai sërish në një video të postuar në Telegram, teksa presidenti rus Vladimir Putin drejtonte një paradë ushtarake në Moskë për të përkujtuar fitoren ndaj Gjermanisë naziste.

Ora 10:33
Mesazhi i Kim Jong-un për Putinin: Rusia do të mbizotërojë mbi imperialistët

1683621248_putin.JPG

Rusia do të "mbizotërojë" mbi "imperialistët". Fjala e liderit të Koresë së Veriut Kim Jong Un, i cili - raporton agjencia KCNA - i dërgoi një mesazh presidentit rus Vladimir Putin me "urime të ngrohta" për kreun e Kremlinit "për ushtrinë dhe popullsinë e Rusisë" për "betejën e shenjtë për të sjellë drejtësinë ndërkombëtare dhe mbrojtjen e paqes globale kundër praktikave arrogante dhe arbitrare të imperialistëve”. Ndërsa parada ushtarake e Ditës së Fitores po mbahet në Moskë, Kim përgëzon Putinin dhe mesazhi, përsëri raporton KCNA, shpreh besimin se "populli rus" do të kalojë më mirë nga "të gjitha sfidat dhe kërcënimet nga forcat armiqësore" dhe do të mbizotërojë, "si gjithmonë,

Ora 10:31
Përfundoi parada e Ditës së Fitores në Rusi, anulohet ekspozita e aviacionit

Ka përfunduar parada në Sheshin e Kuq për Ditën e Fitores, në të cilën megjithatë është anuluar shfaqja tradicionale e Forcave Ajrore. Kështu raporton agjencia Tass. Në përgjithësi, parada e këtij viti u mbajt e përmbajtur, për shkak të alarmit të shtuar të sulmeve, dhe me një dislokim më të ulët të njerëzve dhe automjeteve se në herët e tjera.

Ora 09:47
Putin: Ukraina është peng i ambicieve perëndimore

"Ukraina është peng i ambicieve të Perëndimit", tha Presidenti Vladimir Putin në fjalimin e tij për Ditën e Fitores.

Ora 09:46
Putin në paradë: Një luftë e vërtetë është nisur kundër nesh! Perëndimi dëshiron t'i diktojë rregullat e tij botës

Presidenti rus, Vladimir Putin ka mbajtur fjalimin në Ditën e Fitores në Moskë. Putin tha se një një luftë e vërtetë është bërë kundër Rusisë, ndërsa tha se Perëndimi po tenton që t’i diktojë të gjithë Perëndimit rregullat e tij.

“Një luftë e vërtetë është bërë kundër Rusisë, por ne e kemi mundur terrorizmin, Perëndimi "provokon konflikte të përgjakshme", mbjell farat e "rusofobisë" dhe pretendon se "u diktojë rregullat e tij të gjitha kombeve", tha Putin.

Ora 09:24
Peskov: 9 maji, një nga festat më të rëndësishme për ata që jetojnë në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik

1683197674_peskov.JPG

"9 maji mbetet një nga festat më të rëndësishme për njerëzit që jetojnë në vendet ish-sovjetike dhe shumë vende anëtare të Komonuelthit të Shteteve të Pavarura e konsiderojnë atë si një ditë të shenjtë që duhet të festohet. Ne u jemi mirënjohës mysafirëve tanë që e patën të mundur të jenë këtu në këtë ditë me presidentin tonë dhe me ne," tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov në një intervistë për Rossiya-1.

Në festimet në Moskë do të marrin pjesë Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandr Lukahenko, Presidenti i Taxhikistanit, Emomali Rahmon, Presidenti i Kirgistanit, Sadir Japarov, Presidenti i Uzbekistanit Shavkat Mirziyoyev, Presidenti i Kazakistanit, Qasym-Jomart Tokayev dhe Presidenti i Turkmenistanit, Serdar Berdimuhamedow.

Ora 09:22
Putin: Perëndimi ka harruar se kush e mundi nazizmin

1683054524_vladimirputin.JPG

“Perëndimi ka harruar se kush e mundi nazizmin”, tha presidenti rus Vladimir Putin në një paradë të 9 majit në Moskë.

Ora 09:17
Nis parada ushtarake e 9 majit në Moskë

Parada e 9 majit sapo ka filluar në Moskë për të festuar fitoren ndaj forcave nazifashiste.

Ora 07:48
Von der Leyen në Kiev: Është bukur të kthehesh, vlerat e BE-së mbrohen këtu

Presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen ka mbërritur në Kiev.

"Është bukur të kthehesh në Kiev. Aty ku vlerat e dashura për ne mbrohen çdo ditë. Prandaj është një vend i përshtatshëm për të festuar Ditën e Evropës. Unë mirëpres zgjedhjen e Presidentit Zelensky për të bërë 9 majin Ditën e Evropës këtu në Ukrainë",  shkroi ajo.

Ora 07:24
Lufta/ 1.2 miliardë të tjera ndihmë amerikane për Kievin

1683553496_lufta.jpg

Teksa Rusia ka ashpërsuar sulmet ndaj Ukrainës, SHBA i vjen sërish në ndihmë me një paketë të re prej 1.2 miliardë dollarësh, për të forcuar më tej mbrojtjen ajrore. Pakoja e re e ndihmës pritet të njoftohet të martën dhe paratë do të sigurohen nga Iniciativa e Ndihmës për Sigurinë e Ukrainës. Ndryshe nga pajisjet, armët dhe municionet amerikane që dërgohen më shpesh në Ukrainë nga rezervat e Pentagonit, në mënyrë që ato të mund të dërgohen shpejt, këto para do të shpenzohen gjatë muajve apo edhe viteve të ardhshme për të përmbushur nevojat e ardhshme ushtarake të Ukrainës.

Fondet e reja do të financojnë sistemet e mbrojtjes ajrore HAWK, municione për sistemet e mbrojtjes ajrore dhe dronët për mbrojtjen ajrore. Sipas zyrtarëve, këto fonde do të përdoren edhe për blerjen e artilerisë, raketave, pajisjeve për imazhet satelitore, mirëmbajtjen e pajisjeve dhe pjesë këmbimi për një sërë sistemesh të mbrojtjes. Zyrtarët folën në kushte anonimiteti sepse pakoja e ndihmës ende nuk është njoftuar zyrtarisht.

Ora 07:22
Dita e Fitores, Moska përgatitet për paradën

Në Moskë gjithçka është gati për paradën ushtarake të Ditës së Fitores. Ushtarët janë gati dhe pritet që të ketë një marshim.  9 maji, i njohur si "Dita e Fitores" brenda Rusisë, përkujton fitoren e vendit ndaj nazistëve në 1945. Ajo shënohet nga një paradë ushtarake në Moskë dhe liderët rusë tradicionalisht qëndrojnë mbi varrin e Vladimir Leninit në Sheshin e Kuq për ta vëzhguar atë. Si ditën e nënshkrimit të kapitullimit gjerman pa kushte dhe atë të festimit të fitores, Rusia zgjodhi 9 Majin. Ajo ua diktoi këtë datë vasalëve të të gjithë vëndeve të ish kampit socialist. 

Ora 07:20
Von der Leyen në Kiev për Ditën e Evropës

1680173287_wdawuS5.jpg

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen do të jetë sot në Kiev ku do të takohet me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, me rastin e Ditës së Evropës. Zelensky njoftoi se Dita e Evropës do të festohet edhe në Ukrainë.

SI.E./K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen