SHBA-të kanë njoftuar se do të dërgojnë një aeroplanmbajtëse në ujërat e Amerikës së Jugut, ndërsa pritet përshkallëzimi i operacioneve amerikane për goditjen e anijeve të dyshuara për kontrabandë droge.

Pentagoni tha në një deklaratë se anija luftarake USS Gerald R Ford do të vendoset në rajon, përfshirë Detin e Karaibeve, për të “forcuar kapacitetin e SHBA-së për të zbuluar, monitoruar dhe ndërprerë aktorët dhe aktivitetet e paligjshme që kompromentojnë sigurinë dhe prosperitetin e atdheut të Shteteve të Bashkuara dhe sigurinë tonë në Hemisferën Perëndimore”.

Kjo aeroplanmbajtësja më e madhe e Marinës Amerikane. Aktualisht është e vendosur në Mesdhe së bashku me tre shkatërrues, dhe pritet që udhëtimi i saj për në destinacion, të zgjasë 3 javë.

Sipas zyrtarëve, tashmë ka tetë anije të Marinës Amerikane në rajonin e Amerikës Qendrore dhe Jugore, së bashku me një nëndetëse me energji bërthamore, duke arritur në rreth 6,000 marinarë dhe marinsa.

Kjo ndodhi ndërsa sekretari i luftës i SHBA-së, Pete Hegseth pretendoi se gjashtë narko-terroristë ishin vrarë në një sulm ndaj një anijeje të dyshuar për kontrabandë droge në Detin e Karaibeve gjatë natës.

Pete Hegseth tha se ushtria e tij kishte bombarduar një anije që ai pretendonte se operohej nga Tren de Aragua - një bandë venezueliane e cilësuar si grup terrorist nga Uashingtoni në shkurt.

Duke shkruar në X, ai pretendoi se anija ishte e përfshirë në "kontrabandë të paligjshme të narkotikëve" dhe po kalonte tranzit përgjatë një "rruge të njohur të trafikut të narkotikëve" kur u godit gjatë natës.

Të gjashtë burrat në bordin e anijes, e cila ndodhej në ujëra ndërkombëtare, u vranë dhe asnjë forcë amerikane nuk u lëndua, tha ai.

Dhjetë anije janë bombarduar gjatë javëve të fundit, duke vrarë më shumë se 40 persona.

Z. Hegseth shtoi: “Nëse jeni një narko-terrorist që kontrabandon drogë në hemisferën tonë, ne do t'ju trajtojmë siç trajtojmë al-Kaedën. Ditën ose natën, ne do të hartëzojmë rrjetet tuaja, do të gjurmojmë njerëzit tuaj, do t'ju ndjekim dhe do t'ju vrasim.”

Edhe pse ai nuk dha asnjë provë se anija po transportonte drogë, ai ndau një video 20-sekondëshe që dukej se tregonte një anije që goditej nga një predhë përpara se të shpërthente.

Pamje të një sulmi të mëparshëm amerikan ndaj një anijeje të dyshuar për drogë në fillim të kësaj jave.

Duke folur gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë javën e kaluar, Donald Trump argumentoi se fushata do të ndihmonte në përballimin e krizës së opioideve në SHBA.

"Çdo varkë që shkatërrojmë, shpëtojmë 25,000 jetë amerikane. Pra, sa herë që sheh një varkë dhe ndihesh keq, thua: 'Uau, kjo është e vështirë'. Është e vështirë, por nëse humb tre persona dhe shpëton 25,000 njerëz", tha ai.

Të enjten, duke u shfaqur në një konferencë për shtyp me zotin Hegseth, zoti Trump tha se ishte e nevojshme të vriteshin kontrabandistët e dyshuar, sepse nëse arrestoheshin, ata do të ktheheshin vetëm për të transportuar drogë “përsëri e përsëri”.

"Ata nuk kanë frikë nga kjo, nuk kanë frikë," u tha ai gazetarëve.

Sulmet në det së shpejti do të pasohen nga operacione në tokë kundër karteleve të kontrabandës së drogës, deklaroi zoti Trump.

"Do t'i vrasim," shtoi ai. "Ata do të jenë, si të thuash, të vdekur."

Disa politikanë demokratë kanë shprehur shqetësime se sulmet rrezikojnë ta fusin SHBA-në në një luftë me Venezuelën për shkak të afërsisë së saj me bregdetin e vendit të Amerikës së Jugut.

Të tjerë i kanë dënuar sulmet si vrasje jashtëgjyqësore që nuk do të qëndronin në një gjykatë.

Jim Himes, një anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve, i tha CBS News në fillim të këtij muaji: "Ato janë vrasje të paligjshme sepse ideja se Shtetet e Bashkuara - dhe kjo është ajo që administrata thotë se është justifikimi i tyre - janë të përfshira në një konflikt të armatosur me çdo tregtar droge, çdo tregtar droge venezuelian, është absurde."

Ai pretendoi se Kongresit nuk i ishte thënë "asgjë" se kush ishte në anije dhe si u identifikuan ata si kërcënim.