Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov tha se Rusia do të përgjigjet "pa mëshirë" nëse Ukraina përpiqet të prishë festimet e nesërme në Moskë që shënojnë 81-vjetorin e fitores ndaj nazizmit, përfshirë një paradë në Sheshin e Kuq.

"Dua ta them këtë sinqerisht dhe me përgjegjësi të plotë. Nëse nazistët, të cilët aktualisht po përjetojnë një ringjallje në Perëndim përmes Ukrainës, e bëjnë këtë, nuk do të ketë mëshirë për ta”, tha ai teksa shtoi se ndërsa Rusia "feston heroizmin e shenjtë të fitores ndaj nazizmit, i njëjti nazizëm po ngre kokën, duke përfshirë përpjekjet në rritje për të rishkruar historinë dhe rezultatet e Luftës së Dytë Botërore.

"Në Evropë, shumë, pa asnjë hezitim, po bëjnë thirrje për përsëritjen e përvojës së Hitlerit dhe pasuesve të tij dhe përgatitjen e një sulmi tjetër ndaj Rusisë me qëllimin e deklaruar për të shkaktuar një disfatë strategjike", përfundoi ai.

Lufta në Ukrainë është tani në vitin e saj të katërt dhe ka pasur disa raunde bisedimesh për paqe, me SHBA-në që vepron si ndërmjetës. Megjithatë, procesi është bllokuar që kur Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e zhvendosi fokusin e tij te lufta në Lindjen e Mesme.