Në mesazhin e tij në vigjilje të Festës së Falënderimeve presidenti i zgjedhur Joe Biden, u bëri thirrje amerikanëve, që të dyfishojnë përpjekjet dhe të ri-angazhohen në luftë kundër COVID-19.
“Duke i hedhur një vështrim historisë sonë, do të shihni se pikërisht në rrethanat më të vështira është farkëtuar shpirti i kombit tonë. Tani e gjejmë veten përsëri përballë një dimri të gjatë dhe të vështirë. Unë e di që ne mund dhe do ta mposhtim këtë virus. Jeta do të kthehet në normalitet. Ju premtoj. Kjo do të ndodhë. Nuk do të zgjasë përgjithmonë,” tha Biden.
Duke theksuar se e kupton se do të jetë e vështirë të heqin dorë nga traditat familjare, ai theksoi se është në të mirë të të gjithëve të sakrifikojmë.
Presidenti i zgjedhur ka deklaruar se do ta bëjë trajtimin e COVID-19 një përparësi kryesore pas marrjes së detyrës në 20 janar dhe theksoi edhe njëherë se lufta është me virusin, jo me njëri-tjetrin:
“E kuptoj që vendi është i lodhur nga lufta. Por duhet të kujtojmë, ne jemi në luftë me virusin, jo me njëri-tjetrin. Ky është momenti ku ne duhet të forcojmë shtyllën kurrizore, të dyfishojmë përpjekjet dhe të angazhohemi përsëri në këtë luftë,” tha ai.
Presidenti i zgjedhur shprehu optimizëm, duke thënë se “kjo stinë e zymtë ndarjesh do t’i hapë rrugën një viti “drite dhe bashkimi”.
Fjalimi ishte konceptuar si mesazh i stilit presidencial për Ditën e Falënderimeve, me synimin për të bashkuar popullin amerikan përballë sfidave si dhe për sakrificat e përbashkëta që amerikanët po bëjnë këtë stinë festash.
Ndërkohë, edhe pse ka lejuar tranzicionin e pushtetit, Presidenti Trump nuk ka hequr dorë nga beteja ligjore për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve. Të mërkurën ai anuloi një udhëtim për t’iu bashkuar avokatit të tij personal, Rudy Giuliani, në një takim të ligjvënësve republikanë të shtetit të Pensilvanisë në qytetin Getisburg, ku zoti Giuliani përsëriti pretendimet e tij të pabazuara për mashtrim në votime.
Joe Biden fitoi ndaj zotit Trump me 306 vota elektorale, kundrejt 232 të rivalit të tij republikan. Ai fitoi gjithashtu votat popullore, me më shumë se 6.1 milion më shumë se sa zoti Trump në të gjithë vendin.