Shtetrrethimet e shumta dhe fillimi i vaksinimit në disa prej vendeve, nuk ka arritur ende të vërë nën kontroll pandeminë e shkaktuar nga COVID-19. Në bazë të të dhënave të fundit numri i rasteve të konfirmuara me koronavirus në botë kaloi 100 milionë. Më të prekurat janë SHBA, ku janë shënuar të paktën 25 milion raste. 100 milionë raste përfaqësojnë 1.3 për qind të popullsisë së botës, por ekspertët e shëndetësisë thonë se shumë raste nuk raportohen , çfarë do të thotë se numri aktual i tyre është shumë më i lartë.
Ndërkohë që Britania u bë vendi i parë në Evropë, ku numri i viktimave nga COVID-19 kaloi 100,000, duke u bërë i pari vend në Evropë që regjistron këtë shifër. Të martën, autoritetet raportuan 1.613 viktima. Sipas këtyre shifrave, Britania bëhet vendi i pestë në botë që i tejkalon 100 mijë fatalitete nga virusi, pas Shteteve të Bashkuara, Brazilit, Indisë, dhe Meksikës.

Ndërkohë që kryeministri britanik Boris Johnson u shpreh se ishte tejet e vështirë të tregonte dhimbjen që ndiente
"Më vjen shumë keq për çdo jetë të humbur dhe unë si kryeministër marr përgjegjësi të plotë për çdo vepër të qeverisë time. Ne me të vërtetë bëmë çfarë mundëm dhe vazhdojmë të përpiqemi të zvogëlojmë humbjet e jetëve dhe dhimbjet në këtë krizë tejet të vështirë me të cilën po përballet vendi."
Yvonne Doyle, drejtoreshë në Agjencinë e Shëndetit Publik të Anglisë, e ka cilësuar si një “moment kthjellimi”, teksa shtoi se “këto nuk janë thjesht shifra”, por “persona, familjarë e miq të dikujt”.

