Qeveria izraelite ka konfirmuar vdekjen e një pengu izraelit që mbahej në Gaza, që prej sulmit të Hamasit më 7 tetor të vitit të shkuar.
Viktima është identifikuar si Dror Or, 49 vjeç dhe trupi i tij është në Gaza.
Gruaja e tij Yonat u vra gjatë sulmit të 7 tetorit, ndërsa dy nga tre fëmijët e tyre, Noam dhe Alma, 17 dhe 14 vjeç, u rrëmbyen dhe më pas u liruan në nëntor si pjesë e një marrëveshje armëpushimi dhe shkëmbimi pengjesh me të burgosurit mes Izraelit dhe Hamasit.
Qeveria ende nuk ka një shpjegim se si mësoi për vdekjen e Dror Or.
Ndërkohë vendet ndërmjetëse si Katari, Shtetet e Bashkuara dhe Egjipti presin përgjigjen e Hamasit ndaj propozimit të ri për një armëpushim dhe lirim të pengjeve.
Një sulm ajror gjatë natës në një shtëpi në veri të Rafahut ka shkaktuar 7 viktima, përfshirë 4 fëmijë. Kështu raporton media Al Jazeera.
Edhe në Rafahun lindor, transmetuesi i Katarit flet për një ‘rritje të sulmeve ajrore dhe bombardimeve artilerie’.
Sulmet ushtarake izraelite janë intensifikuar gjithashtu në pjesë të gazës veriore, si në lagjen Sheikh Ijlin si dhe në qendër të Rripit, ku dëshmitarët okularë thonë se ka ‘granata të vazhdueshme intensive artilerie’, pretendon Al Jazeera.