Ekonomia globale është në rrezik recesioni nëse lufta e SHBA-ve dhe Izraelit kundër Iranit vazhdon, e bashkë me të, edhe çmimet e larta të energjisë, ka paralajmëruar Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).

FMN parashikon një skenar “më të keq” ku çmimet e naftës, gazit dhe ushqimeve rriten dhe mbeten të larta këtë vit dhe vitin tjetër, çka mund të bëjë që rritja globale të bjerë nën 2% në vitin 2026.

“Kjo do të nënkuptonte një situatë shumë pranë një recesioni global, i cili ka ndodhur vetëm katër herë që nga viti 1980,” thuhet në raport, ku më i fundit ishte gjatë pandemisë Covid.

Çmimet e energjisë janë rritur ndjeshëm që kur nisi lufta më shumë se gjashtë javë më parë, pasi rruga kyçe detare e Ngushticës së Hormuzit u mbyll dhe bisedimet për paqe mes SHBA-ve dhe Iranit dështuan.

FMN tha: “Edhe një herë, ekonomia globale kërcënohet të devijohet nga kursi, këtë herë nga shpërthimi i luftës në Lindjen e Mesme në fund të shkurtit 2026.”

Sipas tij, kushtet më të rënda që mund të çojnë në një ngadalësim global përfshijnë çmimet e naftës që arrijnë mesatarisht 110 dollarë për fuçi këtë vit dhe 125 dollarë në vitin 2027.

Bazuar në këto supozime, FMN tha se inflacioni mund të arrijë deri në 6% vitin e ardhshëm. Kjo mund të detyrojë bankat qendrore të rrisin normat e interesit për të ngadalësuar rritjen e çmimeve.

Pierre-Olivier Gourinchas, ekonomisti kryesor i FMN tha për BBC: “Recesioni global është një koncept disi i paqartë kur shohim shifrat globale. Pra, po, 2% është një situatë që për shumicën e njerëzve në botë do të ndihet si periudhë recesioni. Papunësia do të jetë e lartë. Në disa vende, çmimet e ushqimeve dhe pasiguria ushqimore mund të rriten.”

Nafta u rrit afro 120 dollarë gjatë konfliktit me Iranin, por që atëherë është ulur dhe të martën një fuçi nafte bruto kushtonte 98.85 dollarë. Për më tepër, FMN thekson se rreziku i recesionit do të rritet vetëm nëse kushtet e rënda vazhdojnë për dy vite.

Sipas tij, nëse konflikti zgjidhet në javët e ardhshme dhe nëse prodhimi dhe eksportet e energjisë nga Lindja e Mesme fillojnë të normalizohen deri në mesin e këtij viti, rritja globale do të arrijë në 3.1% për vitin 2026.

Kjo është më e ulët se parashikimi i mëparshëm prej 3.3%. Gjithashtu, parashikimi për rritjen globale për vitin e ardhshëm mbetet i pandryshuar në 3.2%.

Ndër ekonomitë e zhvilluara të botës, FMN parashikon se Mbretëria e Bashkuar do të goditet më fort nga tronditja energjetike e luftës me Iranin.

Ai uli parashikimin për rritjen ekonomike të Mbretërisë së Bashkuar këtë vit në 0.8%, nga 1.3% që ishte më parë. Megjithatë, pritet që më pas ekonomia të rikuperohet me një zgjerim prej 1.3%.

Sipas parashikimeve të FMN-së, vendet eksportuese të naftës në Gjirin Persik ka të ngjarë të shohin një ngadalësim të fortë të rritjes ekonomike.

FMN vlerëson se ekonomia e Iranit do të tkurret me 6.1% këtë vit. Megjithatë, parashikon një rikthim prej 3.2% në vitin 2027, me kusht që lufta të përfundojë në javët e ardhshme.

Disa vende si Katari, një furnizues i madh i gazit natyror të lëngshëm janë sulmuar me raketa dhe dronë nga Irani. Ras Laffan i Katarit, rafineria më e madhe në botë për gazin e lëngshëm, është goditur dhe nuk pritet të jetë plotësisht funksionale për disa kohë. FMN parashikon që ekonomia e Katarit do të tkurret me 8.6% në vitin 2026, përpara se të rikthehet me një rritje prej 8.6% vitin pasardhës.

Gjithashtu parashikon që Iraku, fqinj i Iranit, do të pësojë goditje ekonomike këtë vit nga lufta, me një ngadalësim prej 6.8%, por pritet të rikuperohet në 11.3% rritje në vitin 2027.

Qëndrueshmëria ekonomike e një vendi do të varet nga një sërë faktorësh, tha FMN, përfshirë dëmet në infrastrukturën energjetike, varësinë nga Ngushtica e Hormuzit dhe disponueshmërinë e rrugëve alternative të eksportit.

Arabia Saudite, për shembull, ka tubacionin Lindje–Perëndim që shtrihet nga Gjiri Persik në Detin e Kuq dhe mund të transportojë deri në 7 milionë fuçi nafte në ditë.

FMN tha se shumica e eksportuesve të naftës në Lindjen e Mesme pritet të shohin përmirësim vitin e ardhshëm “bazuar në supozimin që prodhimi dhe transporti i energjisë normalizohen gjatë muajve të ardhshëm”. Por paralajmëroi se ky supozim “mund të duhet të rishikohet nëse konflikti zgjatet dhe niveli i dëmeve rivlerësohet”.

Një vend që ka përfituar nga rritja e çmimeve të naftës është Rusia, sipas parashikimeve të FMN-së. Ekonomia ruse pritet të rritet me 1.1% këtë vit dhe vitin e ardhshëm, më shumë se parashikimet e mëparshme prej 0.8% dhe 1% respektivisht. Rusia ishte goditur nga një sërë sanksionesh pasi nisi një pushtim të plotë të Ukrainës më shumë se katër vite më parë.

Në mars, presidenti i SHBA-ve Donald Trump hoqi kufizimet mbi eksportet e naftës ruse ndërsa çmimet globale u rritën. Ai gjithashtu hoqi përkohësisht sanksionet mbi 140 milionë fuçi nafte iraniane për 30 ditë. Më pas, Trump njoftoi një bllokadë të porteve iraniane për të ndaluar eksportet.