Lufta/ Erdogan nga Tirana: Izraeli kërcënim global, bota t'i bëjë presion! Shqipëria të bëjë pjesën e saj! Rama: Ndahemi në një pikë! Në planin e paqes Hamasi s'ka vend

Tirane- Lufta në Lindjen e Mesme dhe agresioni rus në Ukrainë kanë qenë dy nga temat që janë diskutuar në takimin kokë më kokë mes presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan gjatë vizitës zyrtare të këtij të fundit mbajtur sot (10 tetor 2024)  në Tiranë.

E ndërsa ndajnë të njëjtin qëndrim për raportin me  luftën në Ukrainë, janë të ndarë në qëndrimin për luftën në Rripin e Gazës.

Presidenti turk tha se Izrali po kryen genocid dhe ndërkombëtarët duhet të ndërhyjnë për ta ndalur duke i bërë presion Netanjahut të ndalet. Ishte i qartë dhe në qëndrimin publik që i dha kryeministrit Edi Rama duke i kërkuar që në këtë luftë, Shqipëria duhet të bëjë pjesën e saj në fushën diplomatike në këtë drejtim.

“Me zotin kryeministër shkëmbyem edhe ide për çështje globale dhe rajonale. Ne ndjekim me admirim përpjekjet e Shqipërisë për vendosjen e paqes dhe stabilitetit si në rajonin tonë ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. Mizoritë izraelite në territoret e pushtuara palestineze, veçanërisht në Gaza dhe Liban ishin ndër pikat prioritare të agjendës së takimit tonë.

Unë ndava pikëpamjet tona për agresionet e qeverisë Netanyahu të cilat shkojnë përtej fushëveprimit rajonal dhe tani janë bërë një kërcënim për rendin global. Gjenocidi që po vazhdon prej 1 viti në Gaza është turpi i përbashkët i të gjithë njerëzimit. Për këtë arsye ne si komunitet ndërkombëtar duhet të bëjmë çmos për të siguruar një armëpushim të përhershëm, për të ofruar ndihma humanitare dhe për të bërë presionin e nevojshëm mbi Izraelin. Unë sinqerisht besoj se Shqipëria do të bëjë pjesën e saj në këtë drejtim.”, tha ai.

Nga ana e tij kryeministri Edi Rama tha qëndrimin e tij se Shqipëria mbështet propozimin për një armëpushim që duhet të nënkuptojë edhe lirimin e pengjeve, por se për Shqipërinë Hamasi dhe çdo burim i terrorit ska vend në ta ardhmen paqësore që duhet të vendoset mbi dy shtete sovrane, Izraeli dhe Palestina, dhe aksush s’duhet të vërë në pikëpyetje të drejtën e ekzistencës së tyre.

"Ukraina është një temë qendrore e të gjitha diskutimeve që bëhen në këto nivele e kudo, por është temë qëndrore e çdo bisedimi që unë kam pasur me Erdogan, dhe po ashtu sot përveç konfliktit të tmerrshëm në Ukrainë që po godet në mënyrë të pamëshirshme dhe në mënyrë të padrejtë një popull që është në të drejtën e vet për të jetuar i lirë, dhe për ta zgjedhur vetë se ku do të pozicionohet, edhe ajo që ndodh çdo ditë në Gaza është një tragjedi me proporcione kolosale. Ne bashkëndajmë me presidentin Erdogan vlerësime të njëjta lidhur me agresionin rus në Ukrainë dhe lidhur me të drejtën e pamohueshëm të popullit palestinez për të jetuar i lirë në shtetin e tij, por në një pikë kemi një këndvështrim të ndryshëm. Sepse duke qenë tërësisht të vendosur bashkë me Turqinë dhe shumë tjerë për këtë marrëdhënie kundër terrorizmit, për ne terrori në çdo formë dhe me çdo pamje që shfaqet është I patolerushëm. Ne jemi absolutisht dhe kemi votuar në mënyrë të përsëritur në Këshillin e Sigurimit patjetër një  armëpushim që duhet të nënkuptojë edhe lirimine pengjeve, pro për ne Hamasi dhe çdo burim i terrorit ska vend në ta ardhmen paqësore që duhet të vendoset mbi dy shtete sovrane, Izraeli dhe Palestina, të cilat duhet të jetojnë të sigurta dhe aksush s’duhet të vërë në pikëpyetje të drejtën e ekzistencës së tyre' tha Rama në deklaratën e përbashkët. 

Edhe në ceremoninë e hapjes së xhamisë së Namazgjasë, presidenti turk u ndal tek lufta Izrael - Palestinë. Erdogan kujtoi vuajtjet e popullit mysliman dhe islam në botë, kryesisht në Palestinë dhe Izrael, duke akuzuar Izraelin për gjenocid.

Ai përmendi 50 mijë të vrarët dhe 100 mijë të plagosurit palestinezë në Gaza dhe luftën e re në Liban, duke theksuar se “Izraeli dhe Netanyahu nuk kanë ndërmend të tërhiqen” apo për të synuar paqen.

"Sulmet e Izraelit vazhdojnë ndaj grave, fëmijëve, të moshuarve, minorenëve dhe tani Izraeli e ka çuar politiken e tij agresive sulmuese barbare, në drejtim të Libanit. Është një detyrim i moralit, i ndërgjegjes tonë njerëzore për të gjithë ata që ndjejnë, kanë zemra, që të qëndrojnë kundër terrorizmit shtetëror të Izraelit në Palestinë. Netanyahu dhe Izraeli s’ka ndër mend të vendosë paqen në rajon dhe së fundmi e tregoi qartazi me sulmin ndaj Libanit' tha Erdogan.

Pas ceremonisë së hapjes së xhamisë së Namazgjasë në Tiranë, Presidenti turk udhëton drejt Beogradit, aty ku nesër do të ketë takime me krerët e shtetit serb.


Lajmi kryesor:

Turqia i dhuron ushtrisë dronë kamikazë, Rama: S'godasim askënd por me ta jemi të pagoditshëm! Erdogan në Tiranë: Të vijojmë luftën kundër FETO, rrisim vëllimin tregtar në 2 mld $


S.G/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Lulja e kuqe e Krishtlindjeve, si të kujdeseni për ta pasur sa më gjatë në shtëpi

Lulja e kuqe e Krishtlindjeve, si të kujdeseni për ta pasur sa më gjatë në shtëpi