Bilanci i sulmeve të një ditë më parë në Kiev nga Rusia u rëndua në 30 të vdekur dhe rreth 100 të plagosur.

Në Kiev, kryebashkiaku Klitschko tha se e premtja është ditë zie ndërsa operacionet e kërkim- shpëtimit vijojnë nëpër ndërtesat e shembura dhe të dëmtuara rëndë.

Presidenti Volodymir Zelensky tha se në rreth 100 pallatet e sulmuar në kryeqytet janë të paktën 10 persona që rezultojnë të zhdukur.

Por Rusia nuk u mjaftua me sulmet e së enjtes. Në orët e para të së premtes mbi 80 dronë goditën sërish infrastrukturën civile dhe energjetike, në Symu dhe Kryvyi Rih, duke vrarë 4 persona mes tyre një fëmijë nën 2 vjeç dhe duke lënë të paktën 10 të plagosur.

Zelensky në një videomesazh tha se Ukraina do të përgjigjet sulmeve në formë proporcionale dhe vijoi të flasë për njoftimin e një ditë më parë. AI tha se prej kohësh ukrainasit janë në bisedime me SHBA për marrjen e licencës së raketave Patriot të cilat sipas tij do t’i ofronin një pozicion më të fortë Ukrainës në luftën me Rusinë.

Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës ka njoftuar se ka kryer me sukses një sulm me dronë ndaj bazave ajrore ushtarake të Sakyt dhe Hvardiiskes në Krimenë e pushtuar nga Rusia. Sipas SBU-së, shtatë hangarë u goditën në bazën ajrore të Sakyt ku ndodheshin, sipas njoftimit, avionë luftarakë Su-30SM, Su-30 dhe Su-24, si edhe bombardues të vijës së parë të frontit.