Rusia ka propozuar një raund të dytë negociatash të drejtpërdrejta me Ukrainën më 2 qershor në Stamboll për të paraqitur memorandumin e saj mbi procesin e paqes. Kjo ishte deklarata e Ministrit të Jashtëm Sergei Lavrov, sipas La Repubblica.

Ndërkohë, presidenti i SHBA-së Donald Trump teksa foli për negociatat Rusi-Ukrainë i dha një goditje të re Presidentit Vladimir Putin.

 ‘Brenda dy javësh do ta dimë nëse Putini po tallet me ne. Ajo që Putini nuk kupton është se ai po luan me zjarrin!', ky është paralajmërimi që Donald Trump i ka drejtuar liderit të Kremlinit përmes rrjetit të tij social, Truth.

Presidenti amerikan po shqyrton mundësinë për të vendosur sanksione ndaj Moskës që këtë javë, i zhgënjyer nga sulmet e vazhdueshme të ushtrisë ruse ndaj Ukrainës dhe nga ngadalësia e bisedimeve të paqes.

Bisedimet e 16 majit dështuan të arrinin një marrëveshje për një armëpushim, siç kërkuan Kievi dhe aleatët e tij perëndimorë. Moska tha se duhet të përmbushen disa kushte përpara se një veprim i tillë të jetë i mundur.