Kryeministri Edi Rama shprehet se skenari i fillimit të një lufte në Shqipëri, si shkak i konfliktit në Ukrainë, është i largët. Kjo pasi sipas kreut të qeverisë, ne jemi pjesë e NATO-s, dhe nëse dikush i hapë luftë Shqipërisë, i hap luftë të gjithë aleancës. Gjatë një takimi në kuadër të nismës Këshillimi KombëtarLushnje, Rama thotë se disa qytetarë i kanë shkruajtur në rrjete sociale duke i kërkuar pastrimin dhe vendosjen në gatishmëri të vendstrehimeve të Enver Hoxhës, por ai shton se ato janë privatizuar nga ish-kryeministri Sali Berisha.

“Kam vënë re se në disa vende ka pasur një lloj paniku, hajde të marrim ushqime se do vijë lufta. Nuk funksionon kështu. Ditën që lufta vjen në Shqipëri, domethënë që është mbyllur filmi ynë si botë. Do të thotë se jemi në mes të Luftës së Tretë Botërore. Jemi shumë larg nga kjo imagjinatë, shpresoj dhe besoj. Jemi një vend në një aleancë ushtarake që funksionon mbi parimin, u prek njëri, u prekën të gjithë. Problemi është se Ukraina nuk është. Baza e luftës është kjo që të jetë ose jo. NATO nuk hyn ushtarakisht atje se është në një raport tjetër me Ukrainën. Në çdo vend tjetër, një centimetër, tokë ajër apo det të preket ndaj Shqipërisë nga një fuqi tjetër, aty i është hapur luftë, Amerikës, Anglisë dhe të gjithëve bashkë. Se këtë e kam për ata që thonë pastroni vendstrehimet e shokut Enver. Që përveç të tjerave janë privatizuar. Që i ka privatizuar Saliu. Më falni që ja zura emrin këtu se ishim mirë”, tha Rama.

Në përgjigje të kritikave për Ballkanin e Hapur, kryeministri Edi Rama tha se ky bashkëpunim nuk është politik, por vetëm tregtar, dhe nuk duhet lidhur me marrëdhëniet Serbi-Rusi.

“Këto ditë kam parë disa që qysh në fillim kanë qenë kundërshtarë të Ballkanit të Hapur, tani janë kapur shumë fort mbas ngjarjeve që po ndodhin a thua se ne që kemi marrë këtë nisëm nuk e kemi ditur se çfarë është Rusia, se cilat janë lidhjet e Serbisë me Rusinë dhe a thua se Ballkani i Hapur është miqësia e dikurshme shqiptaro-kineze. Ndërkohë që Ballkani i Hapur, nuk bën asgjë tjetër përveç se lehtëson njerëzit të cilët edhe sot që flasim ne, por edhe dje kur as nuk ishte folur ndonjëherë për Ballkanin e Hapur, zhvillonin aktivitet në këtë rajon, në këtë Ballkan. Ne nuk po ndryshojmë trajektoren e politikës sonë të jashtme në aspektin e qëndrimit ndaj asnjërit prej fqinjëve ose në raport me aleancat që njëri ka e tjetri nuk ka. Fare! Ne thjesht dhe vetëm po përpiqemi të përmirësojmë kushtet e veprimtarisë ekonomike të njerëzve që aktualisht veprojnë, që aktualisht shkëmbejnë e natyrisht dhe të të tjerëve që do të duan të veprojnë e të shkëmbejnë.  Ndërkohë që Ballkani i Hapur nuk është ndryshim linjash themelore të politikës sonë të jashtme, në aspektin e aleancave, të partneriteteve e të tjera, por është një hap shumë i rëndësishëm përpara dhe sot në kushtet e kësaj që ndodh, është edhe më i rëndësishëm se sa ishte dje në këndvështrimin tim dhe koha do ta tregojë këtë gjë", tha Rama.