Lufta në Ukrainë/ SHBA: Ndihmë ushtarake për Kievin prej 550 milionë dollarësh! Sulm rus në rajonin e Donetskut gjatë natës

Sot është dita e 160 e luftës në Ukrainë dhe nuk ka asnjë shenjë armëpushimi, sipas asaj që deklaroi Kryebashkiaku i Mykolaiv, Oleksandr Sienkevych, duke shtuar se gjatë natës janë dëgjuar shpërthime të reja në lagje të ndryshme të qytetit. 

Tre persona u vranë si pasojë e një bombardimi rus, bdërkohë që një operacion evakuimi ishte duke u zhvilluar në Kherson me një minibus. 3 civilë të tjerë humbën jetën pas një sulmi të forcave ruse në rajonin e Donetskut.

Ndërkohë, mbërrijnë fonde të reja për të armatosur Ukrainën: 500 milionë euro nga BE dhe 550 milionë dollarë nga Shtetet e Bashkuara. Administrata e Joe Biden do të aprovojë  sot 550 milionë dollarë të tjera ndihmë ushtarake për Ukrainën. Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare John Kirby e bëri të ditur lajmin gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë. Në paketë do të ketë sisteme të tjera Himars dhe municione të tjera.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:50
SHBA dhe Britania zgjerojnë sanksionet ndaj Rusisë, në fokus individë dhe biznese

Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe kanë shtuar sanksionet ndaj individëve dhe kompanive ruse të martën, për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

Qeveria britanike tha se ka rivendosur sanksione ndaj dy ish-anëtarëve të bordit të kompanisë së naftës Rosneft, Didier Casimiro dhe Zhelko Runje. Ndërkaq, Qeveria amerikane tha se ka futur në listën e sanksioneve 25 avionë Airbus, nën pretendimet se kanë shkelur rregullat e kontrollit të eksporteve.

Britania tha se Casimiros dhe Runjes do t’iu ngrihen asetet dhe do të ketë ndalesë të udhëtimit. Britania tha se të dy “kanë përfituar ose kanë mbështetur Qeverinë e Rusisë, duke punuar si menaxherë të një entiteti qeveritar të lidhur me Rusinë”.

Këta dy individë ishin përfshirë në listën e sanksioneve të vendosura në mars, por u hoqën nga sanksionet në korrik për arsye ende të panjohura.

SHBA-ja e kishte sanksionuar Casimiron në shkurt të vitit 2020. Atë kohë, Departamenti i Thesarit deklaroi se ai ishte kryetar i bordit të drejtorëve dhe president i Rosneft Trading, degë e gjigantit shtetëror të naftës ruse, Rosneft Oil Company. SHBA-ja e kishte akuzuar atë për ndërmjetësim të shitjes dhe transportit të naftës së papërpunuar të Venezuelës.

Po ashtu, më 2 gusht, Departamenti amerikan i Tregtisë tha se 25 avionë Airbus që operohen nga kompani ruse, kanë shkelur rregullat e kontrollit të eksporteve të SHBA-së dhe u futën në listën e sanksioneve.

Të 25 avionët e sanksionuar operohen nga kompanitë Ural Airlines, S7 Airlines, Red Wings, Yamal Airlines, Nordwind dhe I-Fly. Sanksionet e SHBA-së synon që t’ua ndalojnë qasjen këtyre avionëve në furnizim me karburant dhe shërbime të tjera të mirëmbajtjes.

SHBA-ja ka paralajmëruar këto kompani dhe entitetet e tjera në mbarë botën kundër shkeljes së rregullave amerikane.

Ora 16:31
G7 e akuzon Rusinë se po i përdor si armë eksportet e energjisë

1659450774_Screenshot1.jpg

Grupi i shtatë vendeve më të industrializuara (G7) ka akuzuar Rusinë se po tenton të shndërrojë në armë eksportet e saj të energjisë. G7 u zotua se do të punojë që të sigurohet që Moska të mos e “shfrytëzojë” pozicionin e saj si një prodhuese e energjisë “për të përfituar nga agresioni i saj në kurriz të vendeve të cenueshme”. Në deklaratën e G7-s të publikuar më 2 gusht u tha se Rusia me pushtimin e Ukrainës ka shkelur ligjin ndërkombëtar dhe se kërkoi që Moska t’i japë fund menjëherë të gjitha armiqësive.

“Ne sërish dënojmë përpjekjet ruse për të shndërruar në armë eksportet e saj të energjisë dhe për të përdorur energjinë si mjet gjeopolitik. Prandaj, Rusia nuk është një furnizuese e qëndrueshme e energjisë”, u tha në deklaratën e publikuar nga Qeveria britanike.

“Ne do të veprojmë në solidaritet dhe në koordinim të ngushtë për të zbutur ndikimin e ndërprerjeve të furnizimeve tek ekonomitë dhe qytetarët në mbarë botën dhe po ashtu në vendet tona, veçanërisht për të mbrojtur grupet më të cenueshme”, tha G7.

Në kundërpërgjigje ndaj sanksioneve perëndimore, Rusia ka ndërprerë furnizimet me energji për shtetet që i konsideron “jomiqësore”, duke rritur frikën në mesin e shteteve evropiane se nuk do të kenë mjaftueshëm furnizime për sezonin e dimrit. Në deklaratë u tha se G7 – që përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Kanadaja, Gjermania, Japonia dhe Italia – do të vazhdojë të eksplorojë masa të reja për të parandaluar Rusinë që të përfitojë nga lufta e saj dhe për të “kufizuar” aftësitë e Moskës në luftën në Ukrainë. G7 po ashtu u zotua se gradualisht do të heqë dorë nga energjia ruse./REL

Ora 16:27
Moska paralajmëron: Nëse Rusia njihet si sponsor i terrorizmit, do të shkëputet nga SHBA

1659450476_FlamuriiSHBAsdjathtasdheaiiRusis..jpg

Moska është e gatshme të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me Shtetet e Bashkuara nëse apeli i Senatit të SHBA-së për ta shpallur Rusinë sponsor të terrorizmit do të pranohet. Kështu tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova në një konferencë, siç raporton Tass.

 "Pas shqyrtimit të të gjitha mjeteve të disponueshme sanksionuese, të cilat në përgjithësi rezultuan joefektive, ata menduan se mund të ishte një armë e fuqishme për të shpallur Moskën sponsor të terrorizmit. Ata duhet të dinë: ne jemi gati për çdo zhvillim të situatës dhe nëse Uashingtoni vendos të ndalojë Në ndërveprim të plotë me Moskën, ne do të mbijetojmë”, tha Zakharova. "

Ora 14:58
Rusia akuzon SHBA-në për rol të drejtpërdrejtë në luftën e Ukrainës

Rusia për herë të parë ka akuzuar SHBA-të për përfshirje të drejtpërdrejtë në luftën në Ukrainë. Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes të Moskës tha se SHBA-të kishin objektiva lidhur me dërgimin e sistemit të raketave 'Himars', posaçërisht për forcat e Kievit.

BBC-ja raporton se Gjenerali Igor Konashenkov deklaroi se ishin telefonatat e përgjuara mes zyrtarëve ukrainas ato që zbuluan lidhjen.

 “Është administrata Biden ajo që është drejtpërdrejt përgjegjëse për të gjitha sulmet me raketa të miratuara nga Kievi në zonat e banuara dhe objektet e infrastrukturës civile në vendbanimet e Donbass dhe rajoneve të tjera që shkaktuan vdekje masive të civilëve”, tha Konashenkov.

Himars është një sistem i shumëfishtë rakete që mund të lëshojë raketa të drejtuara me saktësi në objektiva deri në 70 km (45 milje) larg, shumë më larg se artileria që kishte më parë Ukraina.

Ora 14:09
Fillon evakuimi i civilëve nga rajoni i Donetskut

Ka filluar evakuimi i detyrueshëm i ukrainasve nga rajoni i Dontekut. Treni i parë mbërriti në Kropyvnytsky mëngjesin e sotëm. Lajmin e bëri të ditur Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja ukrainase për Rindërtimin e territoreve të pushtuara, Iryna Vereshchuk.

"Kemi evakuuar gra, fëmijë dhe të moshuar, ka pasur shumë persona me lëvizshmëri të kufizuar. Të gjithë janë mirëpritur, të gjithë janë ndihmuar”, tha Vereshchuk.

Sipas Agjencisë së Lajmeve të Ukrainës, midis 200,000 dhe 220,000 banorë do të duhet të evakuohen në ditët në vijim

Ora 10:11
Kievi thotë se Moska po përgatitet për të sulmuar qytetet e Ukrainës jugore

1659428020_swwe.JPG

Dhjetëra mijëra trupa ruse po përgatiten për të përparuar në qytetet Krivij Rih dhe Mykolaiv në Ukrainën jugore, tha këshilltari presidencial, Oleksiy Arestovych, derisa Moska goditi rajonin e Dnipropetrovskit me raketa dhe SHBA-të njoftuan për ndihmë të re ushtarake për Kievin. Arestovych tha se forcat sulmuese ruse numëronin rreth 22.000 ushtarë dhe se një kontigjent "mjaft i madh" ukrainas po qëndronte në pritë.

Kreu i administratës ushtarake të rajonit Dnipropetrovsk, Valentyn Reznichenko, raportoi se trupat ruse qëlluan me raketahedhës dhe artileri në rrethet e qyteteve Sinelnykivski dhe Krivoriki të këtij rajoni."Armiku goditi Sinelnykivski me një raketë kundërajrore. Në Pokrovska sulmi shkatërroi banesa dhe dëmtoi makina", shkroi ai në Telegram. Mëngjesin e 2 gushtit shpërthime të fuqishme sërish synuan qytetin-port pranë Detit të Zi, Mikolajivin, dhe një person u plagos, tha kryebashkiaku i qytetit Oleksandr Sienkovych.

Zyra e Komisionarit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) tha se 5.327 civilë janë vrarë dhe 7.257 të tjerë janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus. Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan më 1 gusht se do të ofrojnë ndihmë të re ushtarake për Ukrainën, duke përfshirë sisteme raketash artilerie me lëvizshmëri të lartë, HIMARS. Zyrtarët ukrainas thanë se përdorimi i këtyre sistemeve të prodhimit amerikan ka qenë thelbësor për t'i zmbrapsur forcat ruse dhe për t'i sulmuar linjat e tyre të furnizimit.

“Paketa e re prej 550 milionë dollarësh do të përfshijë më shumë HIMARS”, u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby. Që kur presidenti Joe Biden mori detyrën, kjo e çon vlerën e përgjithshme të ndihmës ushtarake të dhënë për Ukrainën në më shumë se 8 miliardë dollarë. HIMARS janë sisteme me rreze të gjatë veprimi dhe janë më precize sesa artileria e kohës sovjetike që Ukraina ka në arsenalin e saj.

Kjo ndihmë erdhi pas telefonatës së Sekretarit të Mbrojtjes, Lloyd Austin me ministrin ukrainas të Mbrojtjes, Oleksiy Reznikov më 29 korrik, në të cilën ai parashikoi planet për të ardhmen të ndihmës për sigurinë. Serkretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se Rusia po përdorte termocentralin më të madh bërthamor të Ukrainës në Zaporizhzhya si një "mburojë bërthamore" duke vendosur trupa atje dhe kështu duke parandaluar forcat ukrainase të kthenin zjarrin do të mundt të rrezikonin një aksident të tmerrshëm bërthamor.

Blinken tha se Uashingtoni ishte "thellësisht i shqetësuar" që uzina e Zaporizhzhya, ndaj të cilës Rusia u akuzua për gjuajtje me predha në mënyrë të rrezikshme në mars, ishte tani një bazë ushtarake ruse e përdorur për të qëlluar mbi forcat ukrainase aty pranë./REL

S.C/K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë