Lufta për kreun e Cosa Nostrës
Messina Denaro boss-i i fundit i mafies

Lufta për kreun e Cosa Nostrës<br />Messina Denaro boss-i i fundit i mafies<br>
Pasi vdes një Papë, bëhet një tjetër. Por zgjedhja e një shefi të ri pas fundit të Totò Riinës lyps ekzistencën e një strukture. Dhe hëpërhe Cosa Nostra, përveç super të kërkuarit Matteo Messina Denaro, nuk ka figura karizmatike të njohura dhe as një kupolë, organi kryesor që të jetë në gjendje të qeverisë organizatën, të përcaktojë vijat strategjike, të caktojë detyra dhe role, të administrojë trafiqe dhe të mbajë financat. Që prej arrestimit të Totò “u curtu” (“shkurtabiqi”) mafia e ka humbur profilin e një strukture të bashkuar me hierarki piramidale sikurse u përshkrua te “maxiprocesso” (gjyqi i famshëm kundër saj). Nën goditjet e një vargu arrestimesh, gjyqesh dhe konfiskimesh bërthama e saj u hap dhe dëmtua.

Të paktën kjo është ajo që del nga hetimet më të fundit të cilat tani po tentojnë të shtrihen në skenarët e mundshëm pas Riinës. Bossi i bossëve kishte 24 vjet që qëndronte në regjim izolimi të posaçëm, kështu që nuk ishte në gjendje që t’i mbante të forta radhët e Cosa Nostrës por një rregull i lashtë e njeh karizmën e kreut dhe kur ndodhet në burg. Për këtë arsye, qysh prej 15 janarit 1993, kupola nuk u mblodh më. Tekefundit, kush mund ta kishte bërë më një gjë të tillë? Nuk e bënte dot Bernardo Provenzano , figurë me veprimtari të dendur kriminale i cili duhej të mendonte kryesisht që të ruante arratinë e tij dhe nga arratia të orientonte “kursin e ri” të mafies pas përfundimit të sezonit të masakrave. Më pas, në vitin 2006 ai u kap. Me radhë u arrestuan edhe të tjerët, përveç Matteo Messina Denaro, dhe kështu që trupat e ndërmjetëm nuk patën më forcën për ta riorganizuar koordinimin e urdhëresave. Kanë 15 vjet që përpiqen ta bëjnë por dobësia strukturore e Cosa Nostrës i ka çuar dëm të gjitha mundimet.

Më herët vdekja e Provenzanos dhe tani edhe ajo e Riinës kanë krijuar një boshllëk pushteti të cilin dikush do të përpiqet gjithsesi që ta mbushë. Emri i parë që lidhet menjëherë me fazën e përgatitjes së trashëgimisë është ai i Matteo Messina Denaro, i arratisuri i fundit i niveleve të larta të Cosa Nostrës. Ai është një kandidat që gëzon mbështetje, i përket një brezi më të ri, i njeh mekanizmat vendimmarrëse të organizatës, ka një vizion të përshtatshëm strategjik. Por ka të paktën dy limite. Njëra është aftësia e reduktuar operative si pasojë e trysnisë së fortë të shtetit: çdo ditë zbulohen përkrahësit e tij, lidhjet me ekonominë reale, kanalet e komunikimit me botën e politikës dhe entet lokale.

Limiti tjetër që e pengon Messina Denaron të bëhet “Papa” i ri i mafies vjen nga kufizimi i tij në provincën e Trapanit, ndërkohë që një rregull tradicional i Cosa Nostras, që nuk është shfuqizuar kurrë, parashikon që “capo dei capi” të jetë palermitan. Dhe më pas Messina Denaros i mungon besimi i pararendësit të tij. Ka qenë vetë Riina, që teksa përgjohej në oborrin e burgut të Operas, e nxorri jashtë loje duke thënë: “Ky kujton se komandon, kujton se shkëlqen kudo, merret me shtylla (eolike) për të bërë para, por nuk interesohet për...”. Dhe më tej: “Messina Denaro nuk e lufton shtetin. Ishte i drejtë, nuk ka bërë asgjë. Unë mendoj se ka ikur jashtë vendit”.

Nëse është kjo tablloja, kuptohet më mirë vështirësia për të gjetur shpejt një ekuilibër të ri për epokën pas Riinës. Vëzhgimet nga hetimet kanë pikasur njëfarë pikëllimi nga garda e vjetër, e mposhtur nga lufta e mafies dhe që tani është gati për të krijuar kushtet për tejkalimin e diktaturës korleoneze. Sepse, sikurse thotë prokurori Francesco Lo Voi, vdiq Riina por Cosa Nostra nuk është zhdukur.

s.k/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Conference League/ Egnatia 'shtegton' në Shkodër, Partizani luan në 'Elbasan Arena'

Conference League/ Egnatia 'shtegton' në Shkodër, Partizani luan në 'Elbasan Arena'