Shtetet e Bashkuara nisin sulmin e tretë radhazi në zonën e Ngushticës së Hormuzit.

"Ne do të godasim të gjitha kapacitetet iraniane në Ngushticë", njofton Trump, duke kërcënuar gjithashtu se do të synojë edhe uzinën bërthamore Pickaxe Mountain.

Megjithatë, Presidenti amerikan shton: "Një marrëveshje me Teheranin është ende e mundur".

Komanda Qendrore e SHBA-ve ka deklaruar se sulmet ndaj Iranit zgjatën përreth 5 orë, teksa shtoi se këto sulme do ta përkeqësojnë më tej aftësinë e Teheranit për të dëmtuar civilët e pafajshëm dhe anijet në Ngushticën e Hormuzit.

"Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara (CENTCOM) ka përfunduar valën e fundit të sulmeve kundër Iranit. Një mision që zgjati afërsisht pesë orë. Këto sulme, do të vazhdojnë të imponojnë një kosto të lartë për Iranin, duke përkeqësuar më tej aftësinë e vendit për të dëmtuar civilët e pafajshëm dhe trafikun tregtar në Ngushticën e Hormuzit", deklaroi CENTCOM përmes një postimi në faqen zyrtare në rrjetin social ‘X’.

Ndërkohë, Irani ka sulmuar dy anije supertankerë në Hormuz, duke vrarë një anëtar të ekuipazhit. Ato i përkasin një kompanie shtetërore të transportit detar me seli në Abu Dhabi.

Tensionet gjatë fundjavës rikthyen dhe luhatjet domethënëse ne tregje dhe bursa të çmimit të naftës. Sipas Reuters, edhe pse dukshëm nën nivelet më të larta të arritura më herët gjatë luftës çmimi i një fuçie nafte të papërpunuar brent këtë të hënë u rrit me 4.3%, duke arritur në 79.31 dollarë për fuçi.

Ditën e djeshme, SHBA pretenduan se kishim marrë plotësisht kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, gjë që u hodh poshtë nga Irani. Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se SHBA-të me shumë gjasa do e menaxhonin Ngushticën edhe në vijim. Sipas Trump, çdo anije që do të kalonte atje, do të duhej t'i paguante SHBA-së një tarifë prej 20%.

"Me shumë gjasa do të jenë Shtetet e Bashkuara që do të menaxhojnë Ngushticën. Nëse do të jemi ne që do ta administrojmë, do të rimbursohemi. Do të bëhemi kujdestarët e Ngushticës dhe do të paguhemi për ta mbikëqyrur atë", deklaroi Donald Trump në një intervistë për Fox News ditën e djeshme