Çmimi i naftës bruto u rrit me më shumë se 2% menjëherë pasi nisën sulmet në Iran. Çmimi i naftës bruto Brent arriti në rreth 73 dollarë fuçia këtë të shtunë, ndërsa mediat e huaja raportojnë se ekziston rreziku që çmimi të arrijë brenda pak kohësh në 80 dollarë fuçia nëse sulmet vazhdojnë.

Në tregjet globale të naftës mbizotëron pasiguria pasi, ekziston rreziku për kufizime të mundshme të furnizimit me naftë.

Irani ka paralajmëruar në të kaluarën të mbyllë kalimin e rëndësishëm detar ‘Ngushticën e Hormuzit’, në rast se sulmohet, një kufizim ky që do të trondiste rëndë tregtinë e naftës dhe do të çonte në rritje të çmimeve.

Ngushtica e Hormuzit, një itinerar kyç i furnizimit global me naftë, pasi prej aty kalon rreth 20% e konsumit ditor global me këto lëndë. Një mbyllje e Hormuzit përveçse do të rriste çmimin e lëndëve djegëse, do të godiste rëndë ekonominë globale në tërësi.

Analistët e tregut të naftës sipas mediave të huaja parashikojnë një rritje të mëtejshme të çmimeve, duke e çuar Brent-in drejt niveleve prej 100–130 USD për fuçi në skenarin më ekstrem, nëse Irani ndërhyn në tregtinë e naftës përmes ngushticës së Hormuzit.

Po ashtu sulmi i koordinuar i SHBA-ve dhe Izraelit ndaj Iranit ka tronditur edhe tregjet e aseteve virtuale. Çmimi i BITCOIN ra në 60 mijë dollarë, duke humbur menjëherë 5% të vlerës së tij.