Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se Irani ka rënë dakord që të mos ketë armë bërthamore, teksa ka folur për negociatat e paqes mes 2 vendeve.
Komentet Trump i ka bërë në një intervistë në Fox Neës, ku ka deklaruar se Irani duhet të garantojë lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
"Negociatat po përparojnë ngadalë, po marrin shumë kohë. Nuk jam me nxitim. Do të doja të thoja se jam me nxitim, sepse çmimet e gazit do të dyfishohen, por nëse nxiton, nuk arrin një marrëveshje të mirë", tha mes të tjerash Trump.
Më tej Trump nisi të nxirrte në pah ato që ai i cilësoi si suksese të luftës së SHBA-së në Iran, teksa tha se marina dhe forca ajrore iraniane thuajse janë zhdukur.
"Shikoni, marina e tyre është zhdukur. Ata kishin 159 anije; secila prej tyre tani është në fund të detit. Secila prej tyre. Ne madje bëmë fotografi të tyre duke u fundosur, fotografi të qindra anijeve që po fundoseshin. Marina e tyre është 100% e zhdukur. Forca e tyre Ajrore është 100% e zhdukur. Sa i përket forcave të tyre tokësore, ne i kemi lënë ato në thelb të paprekura, sepse besojmë se ushtria e tyre është, deri diku, edhe nëse pjesërisht, e moderuar. Megjithatë, ka figura të tjera brenda tyre që nuk janë aspak të moderuara. Ne jemi kujdesur për to", deklaroi Trump.
Ndërkohë New York Times, duke cituar tre zyrtarë, ka shkruar se Presidenti Trump i ka shtrënguar kushtet e një marrëveshjeje të mundshme kornizë për t'i dhënë fund luftës në Iran dhe i ka kthyer ndryshimet e propozuara përsëri në vend për shqyrtim.
Një zyrtar shtoi se Trump ishte i frustruar nga reagimi i ngadaltë i Iranit ndaj propozimeve të SHBA-së dhe deklaroi më tej se ndryshimet e Trump, një propozim i ri dhe më i rreptë, ka të ngjarë të kishin për qëllim përshpejtimin e procesit duke ushtruar presion mbi Iranin që të pranojë kornizën që tashmë i është dërguar Udhëheqësit Suprem të Iranit Mojtaba Khamenei për miratim.
Komente








