Vetëm 1 orë e gjysmë para se të skadonte afati për ultimatumin që i kishte vënë Iranit, presidenti amerikan Donald Trump ka bërë një hap pas dhe deklaroi se do të pezullojë me dy javë bombardimet dhe sulmet, por me kushtin që Teherani të hapë menjëherë dhe në mënyrë të plotë kalimin e anijeve në Ngushticën e Hormuzit.
Tërheqja e Trump erdhi pas propozimit të Pakistanit, për të shtyrë me dy javë afatin ndaj ultimatumit të vënë ndaj Iranit për arritjen e një marrëveshje, si edhe hapjen e Hormuzit gjatë kësaj periudhe. Në postimin e tij në Truth, Trump shkroi se këtë vendim e mori pas kërkesës së kryeministrit pakistanez Shehbaz Sharif që të pezullonte "forcën shkatërruese që po dërgohej drejt Iranit".
"Bazuar në bisedat me Kryeministrin Shehbaz Sharif dhe Field Marshal Asim Munir të Pakistanit, të cilët kërkuan që të pezulloja forcën shkatërruese që po dërgohej sonte drejt Iranit, dhe me kusht që Republika Islamike e Iranit të pranojë HAPJEN E PLOTË, TË MENJËHERSHME dhe TË SIGURT të Ngushticës së Hormuzit, unë bie dakord të pezulloj bombardimet dhe sulmet ndaj Iranit për një periudhë dyjavore. Ky do të jetë një ARMËPUSHIM i dyanshëm", shkroi Trump.
Edhe udhëheqësi i ri Suprem, Mojtaba Khamenei u pajtua me propozimin e Pakistanit, ndërsa televizioni shtetëror iranian e quajti tërheqjen e Trumpit "poshtëruese". "Ai pranoi kushtet e Iranit për t'i dhënë fund luftës.", deklaroi televizioni shtetëror iranian, ndërsa ishte edhe vetë Trump i cili bëri me dije se SHBA ka marrë një propozim të “realizueshëm” me 10 pika nga Irani.
"Ne kemi marrë një propozim me 10 pika nga Irani dhe besojmë se është një bazë e zbatueshme mbi të cilën mund të negociohet. Pothuajse të gjitha pikat e mëparshme të mosmarrëveshjeve janë dakordësuar mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, por një periudhë dyjavore do të lejojë që marrëveshja të finalizohet dhe të përmbyllet", shkroi Trump.
Irani thotë se ka arritur një fitore të madhe dhe i ka detyruar Shtetet e Bashkuara të pranojnë planin e tij me 10 pika, sipas një deklarate nga Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare i Iranit. Si pjesë e planit, SHBA-të në parim kanë rënë dakord të heqin të gjitha sanksionet parësore dhe dytësore kundër Iranit, tha këshilli.
Këshilli tha se gjithashtu ka rënë dakord të pranojë pasurimin bërthamor të Iranit dhe të njohë kontrollin e tij të vazhdueshëm mbi Ngushticën e Hormuzit.

Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare i Iranit ka konfirmuar marrëveshjen për armëpushim dyjavor, të negociuar me ndërmjetësimin e Pakistanit.
Në një deklaratë të publikuar nga agjencia Mehr, thuhet se marrëveshja është arritur me miratimin e liderit të ri suprem të Iranit, Ajatollah Mojtaba Khamenei.
Sipas deklaratës, marrëveshja konsiderohet një “fitore për Iranin”, ndërsa bëhet e ditur se negociatat për një marrëveshje të përhershme do të zhvillohen në Islamabad.
Deklarata e plotë
Këto negociata do të nisin në Islamabad me mosbesim të plotë ndaj palës amerikane, dhe Irani do të caktojë një periudhë dyjavore për zhvillimin e tyre. Ky afat mund të zgjatet me marrëveshje të palëve.
Është e domosdoshme që gjatë kësaj periudhe të ruhet uniteti i plotë kombëtar dhe të vazhdojnë me forcë festimet e fitores.
Negociatat aktuale janë negociata kombëtare dhe një vazhdim i zhvillimeve në terren; është e nevojshme që i gjithë populli, elitat dhe grupet politike të besojnë dhe të mbështesin këtë proces, i cili zhvillohet nën mbikëqyrjen e udhëheqjes revolucionare dhe niveleve më të larta të sistemit, duke shmangur në mënyrë rigoroze çdo deklaratë përçarëse.
Nëse dorëzimi i armikut në terren shndërrohet në një arritje vendimtare politike në negociata, ne do ta festojmë së bashku këtë fitore të madhe historike; në të kundërt, do të luftojmë krah për krah në terren derisa të përmbushen të gjitha kërkesat e kombit iranian.
Duart tona janë mbi këmbëz, dhe në momentin më të vogël të gabimit nga ana e armikut, do të përgjigjemi me gjithë forcën.
Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare

Izraeli është bërë pjesë e armëpushimit dyjavor të shpallur nga presidenti amerikan Donald Trump vetëm një orë e gjysmë përpara afatit të vendosur për Iranin për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, përndryshe do të përballej me sulme të përshkallëzuara ndaj infrastrukturës civile, bëri të ditur një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë për CNN. Sipas këtij zyrtari, Izraeli ka rënë dakord të pezullojë sulmet.

Çmimet globale të naftës kanë rënë ndjeshëm pasi presidenti amerikan Donald Trump shpalli një armëpushim të kushtëzuar dyjavor.
Nafta Brent ka rënë me 5.8%, në 103.42 dollarë për fuçi, ndërsa nafta e tregtuar në SHBA ka pësuar një rënie prej gati 8.5%, duke zbritur në 103.25 dollarë.
Megjithatë, çmimet mbeten ende shumë më të larta krahasuar me periudhën para nisjes së konfliktit më 28 shkurt.
Presidenti amerikan Donald Trump pranoi një armëpushim dyjavor me Iranin vetëm pak orë përpara skadimit të ultimatumit të tij për goditje masive ushtarake. Marrëveshja, sipas tij, lidhet drejtpërdrejt me kushtin që Irani të rihapë Ngushticën strategjike të Hormuzit, një nga nyjet më kritike për furnizimet globale me energji.
Reagimi i plotë
Bazuar në bisedat me Kryeministrin Shehbaz Sharif dhe Field Marshal Asim Munir të Pakistanit, të cilët kërkuan që të pezulloja forcën shkatërruese që po dërgohej sonte drejt Iranit, dhe me kusht që Republika Islamike e Iranit të pranojë HAPJEN E PLOTË, TË MENJËHERSHME dhe TË SIGURT të Ngushticës së Hormuzit, unë bie dakord të pezulloj bombardimet dhe sulmet ndaj Iranit për një periudhë dyjavore. Ky do të jetë një ARMËPUSHIM i dyanshëm!
Arsyeja për këtë është se ne kemi përmbushur dhe tejkaluar të gjitha objektivat ushtarake dhe jemi shumë pranë një Marrëveshjeje përfundimtare për PAQE afatgjatë me Iranin, si dhe PAQE në Lindjen e Mesme. Ne kemi marrë një propozim me 10 pika nga Irani dhe besojmë se është një bazë e zbatueshme mbi të cilën mund të negociohet. Pothuajse të gjitha pikat e mëparshme të mosmarrëveshjeve janë dakordësuar mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, por një periudhë dyjavore do të lejojë që marrëveshja të finalizohet dhe të përmbyllet.
Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si President, dhe gjithashtu duke përfaqësuar vendet e Lindjes së Mesme, është një nder që ky problem afatgjatë është pranë zgjidhjes. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!
Ministri i Jashtëm i Pakistanit, Ishaq Dar, ka zhvilluar telefonata të vona gjatë natës me aktorë rajonalë, ndërsa ora i afrohet afatit të vendosur nga presidenti amerikan Donald Trump në orën 20:00 për hapjen e Hormuzit.
Është pak pas orës 03:00 të mëngjesit në Islamabad dhe Dar është angazhuar në një valë diplomacie intensive, duke kontaktuar homologët e tij në Egjipt, Arabinë Saudite, Turqi dhe Marok, në lidhje me “situatën në zhvillim në rajon”, sipas njoftimeve të Ministrisë së Jashtme të Pakistanit.
Pakistani ka shërbyer si ndërmjetës mes SHBA-së dhe Iranit gjatë javëve të fundit. Më herët, përmes një postimi në rrjetin X, kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif bëri thirrje për një armëpushim dyjavor. Ai gjithashtu i kërkoi presidentit Trump që të shtyjë me dy javë afatin e vendosur, duke propozuar që gjatë kësaj periudhe Irani të rihapë Ngushticën e Hormuzit.

Agjencitë federale të sigurisë në SHBA deklarojnë se hakerë iranianë kanë kryer sulme kibernetike ndaj sistemeve ujore dhe energjetike amerikane, vetëm disa orë pasi Donald Trump kishte kërcënuar të shkatërronte infrastrukturën civile iraniane.
Në një deklaratë të përbashkët, Agjencia për Sigurinë Kibernetike dhe Infrastrukturën (CISA), FBI, Agjencia Kombëtare e Sigurisë (NSA) dhe Departamenti i Energjisë njoftuan se hakerë të mbështetur nga Trupat e Gardës Revolucionare Islamike kanë nisur sulme ndaj infrastrukturës energjetike të SHBA-së.

Presidenti Donald Trump është në dijeni të propozimit të Pakistanit për të shtyrë me dy javë afatin ndaj Iranit, dhe një përgjigje pritet së shpejti, bëri të ditur Shtëpia e Bardhë përmes zëdhënëses Karoline Leavitt.

Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, u ka kërkuar palëve në konflikt të respektojnë një armëpushim dyjavor për “t’i dhënë mundësi diplomacisë të arrijë përfundimin përfundimtar të luftës”, në një postim në X.
Ai i ka kërkuar gjithashtu presidentit amerikan, Donald Trump, që të shtyjë me dy javë afatin e vendosur për Iranin, si dhe që gjatë kësaj periudhe Irani të rihapë Ngushticën e Hormuzit.
Një burimi tha CNN tha se “priten disa lajme të mira nga të dyja palët së shpejti” dhe se diskutimet janë drejtuar drejtpërdrejt nga shefi i ushtrisë së Pakistanit, Field Marshal Asim Munir. Burimi shtoi se një marrëveshje pritet të mbyllet sonte.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, zhvilloi një bisedë telefonike me ministren e Jashtme britanike, Yvette Cooper, lidhur me “sulmet e vazhdueshme të regjimit iranian në të gjithë Lindjen e Mesme dhe rëndësinë thelbësore të rikthimit të lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit”.
Sipas një deklarate të zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott, Rubio dhe Cooper “ranë dakord për nevojën e një angazhimi ndërkombëtar për të garantuar që trafiku detar të lëvizë lirshëm dhe furnizimet energjetike të arrijnë në tregjet globale”.

Presidenti amerikan Donald Trump i tha Fox News se "negociata intensive" janë duke u zhvilluar me Iranin.
Po ashtu Trump deklaroi se ai ende nuk është "informuar plotësisht" mbi kërkesën e kryeministrit pakistanez Shehbaz Sharif për një zgjatje dyjavore të afatit për gjetjen e një zgjidhjeje që do t’i jepte fund luftimeve.
"E njoh shumë mirë; ai është një njeri shumë i respektuar", tha mes të tjerash Trump për kryeministrin e Pakistanit.
Komente











