TIRANE- Reth 2000 inspektorë tatimorë, doganierë, punonjës të inspektoratit të punës, e policë, të ndarë në 600 grupe, kanë ushtruar dje kontrolle ndaj bizneseve në gjithë territorin e vendit. Ndërsa në fokus gjatë ditës së djeshme kanë qenë bizneset e mëdha, sipas Administratës Tatimore, aplikimi i masave ndëshkuese ndaj subjekteve me shkelje do të nisë të hënën e ardhshme.

Operacioni është zhvilluar me skanimin në terren të aktivitetit të bizneseve të vogla, që parashikon verifikimin e kasave fiskale dhe lëshimin e kuponave, nëse janë apo jo të regjistruar në QKR, nëse kanë deklaruar punonjësit, apo nëse i blejnë produktet me faturë e i shesin me kupon tatimor.