Luftimet kundër ISIS-it duan
kohë që të sjellin një fitore

Luftimet kundër ISIS-it duan<br />kohë që të sjellin një fitore
Pavarësisht avancimit ndaj fortesave të ISIS-it në Siri dhe Irak, në asnjërin prej këtyre dy vendeve nuk ka pasur deri tani ndonjë goditje të qenësishme të grupit, e do të duhet kohë për t’i fshirë militantët prej andej. Ky është mendimi i disa analistëve nga Lindja e Mesme, të cilët po ndjekin me kujdes lëvizjet e forcave të shumta të angazhuara në fronte që shtrihen në të dy shtetet.

Trupat qeveritare irakiane, të ndihmuara dhe nga sulmet ajrore të koalicionit, kanë fituar terren gjatë ofensivës në Falluxha dhe zonat përreth saj. Ushtarët e regjimit sirian nga ana tjetër dhe luftëtarë të mbështetur prej Shteteve të Bashkuara kanë nisur t’i afrohen kryeqytetit të Kalifatit, Raqqa-së. Po nuk u çlirua kjo e fundit, thonë ekspertët, e po nuk u mor Mosuli, qyteti i dytë më i madh i Irakut, nuk do të flitet dot për rezultate madhore të fushatës anti-ISIS.
“Lufta në të dy këto vende, ka shumë dimensione e kjo e ndërlikon situatën. Secili po përpiqet t’i përmirësojë gjërat në nivel lokal. Edhe pse ka humbur territore, ISIS-i është ende i aftë të ndërmarrë sulme vetëvrasëse e kundërofensiva. Zgjidhja e vetme në këtë situate do ishte çrrënjosja e ideologjisë ekstremiste”, u shpreh Musa Hamad Qallab, analist, Dubai.

“Shteti Islamik ka përfituar nga përçarjet e mëdha për të forcuar pozitat e tij në Irak. Vetëm kur të gjitha partitë të pajtohen me politikat qeveritare, vendi do të jetë në gjendje të ripërtërijë ekonominë e tij, të përmirësojë sigurinë e ta heqë qafe ISIS-in një herë e mirë”, thotë Mohammed al-Ghwainem, analist politik, Riyadh.
Sipas ekspertëve, problemin kryesor në mposhtjen e ISIS-it e përbën fakti që ai vepron në mënyrë të nëndheshme dhe mbështetet nga njerëzit. Edhe po u shkatërrua organizata, shprehen ata, individët që ndjekin ideologjinë e Shtetit Islamik nuk do të mund të vriten të gjithë, por do të fshihen për t’u rishfaqur më vonë sërish.
 
Popullsia
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Franca i kërkuan OKB-së që të nisë parashutimin e ndihmave humanitare në zonat e rrethuara të Sirisë. Këto fuqi perëndimore thanë se, pavarësisht angazhimit të mëparshëm, qeveria siriane nuk respektoi 1 Qershorin si afatin final për të shpërndarë ndihma, sipas një plani të miratuar nga fuqitë botërore dhe ato rajonale. Këshilli i Sigurisë i OKB-së do të mblidhet të premten për të diskutuar pikërisht për dërgimin e ndihmave nga ajri. Vetëm një sasi e vogël ndihme u dërgua të mërkurën dhe karvani që mbërriti në qytetin e Darajas, në afërsi të Damaskut, nuk kishte ushqime. Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, me mijëra sirianë kanë nevojë për ndihmë konstante dhe dërgesa të tilla sporadike nuk hyjnë në punë për asgjë. Në të njëjtin kuadër, Londra e cilësoi cinike lëvizjen e qeverisë siriane për të lejuar vetëm sasi shumë të vogla ndihme, duke pretenduar se po respekton paktet. 

Pavarësisht se lëshimi i ndihmave nga ajri është i kushtueshëm dhe i ndërlikuar, kjo është rruga e vetme që ka mbetur, sipas Britanisë, një pranim “de facto“ se plani i mëparshëm për ndihmë të pakufizuar humanitare ka dështuar. Ndërkohë, koordinatorët e OKB-së në terren thonë se qeveria siriane i ka injoruar kërkesat e tyre për të dërguar ndihma në zonat e rrethuara, madje edhe kur është shprehur publikisht dakord, është gjetur një justifikim për të ndaluar kamionët. 
Sipas OKB-së, 4,6 milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë urgjente në Siri, ndërsa 600 000 prej tyre janë në kushte ekstreme dhe mbijetojnë nga dita në ditë në zonat e rrethuara.

Redaksia online
a.n shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Forcat RENEA aksion ‘blic’ në Vlorë, rrethojnë zonën e Ujit të Ftohtë! Kërkohen persona me rrezikshmëri të lartë

Forcat RENEA aksion ‘blic’ në Vlorë, rrethojnë zonën e Ujit të Ftohtë! Kërkohen persona me rrezikshmëri të lartë