Lulzim Basha: Dekriminalizim
zgjedhjeve goditja nis nga koka

Lulzim Basha: Dekriminalizim<br />zgjedhjeve goditja nis nga koka<br>
Kryetari i opozitës Lulzim Basha njoftoi dje një aksion të ri politik, për dekriminalizimin e zgjedhjeve. Kreu i PD, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, u shpreh se Reforma Zgjedhore ka si qëllim dekriminalizimin e zgjedhjeve. “Reforma Zgjedhore në pikëpamjen tonë, si Parti Demokratike ka një qëllim, dekriminalizimin e zgjedhjeve. Dhe në funksion të dekriminalizimit të zgjedhjeve, në radhë të parë është futja e sistemit elektronik dhe biometrik për të demotivuar disa nga aktivitetet e grupeve kriminale të lidhura me pushtetin, siç është mbledhja e kartave, për të detyruar votuesit të votojnë në një mënyrë apo në një mënyrë tjetër, apo për të mos votuar fare, siç është presioni gjatë ditës së votimit apo presioni gjatë momentit të numërimit”, pohoi Basha.

Me dekriminalizim të zgjedhjeve Basha tha se nënkuptohet për të pamundësuar kriminalët që të ndikojnë në zgjedhje. “Dekriminalizimi i zgjedhjeve do të thotë që duhet të kemi disa hapa për të arritur deri tek infrastruktura, por do të thotë mbi të gjitha që të pamundësojmë jo vetëm depërtimin e kriminelëve në Parlament në krye të bashkive, në këshillat bashkiakë, në administratën shtetërore, por të pamundësojmë rolin e tyre në proceset zgjedhore, sepse çfarë ka ndodhur tani. Në disa raste nuk janë vetë kriminelët, por kriminelët bëjnë një kontratë me një person që ata e kontrollojnë, shpeshherë biznesmen, ndonjëherë familjar dhe i thonë:

Ti do të jesh përfaqësuesi ynë në Parlament, në krye të Bashkisë, në drejtoritë e përgjithshme, në drejtorinë e prokurimeve. Krimi, mafia ka nisur përshtatjen me ligjin e dekriminalizimit dhe përshtatja është që nuk çojnë më përdhunuesin, trafikantin, vrasësin, por çunin e hallës, çunin e dajës, vëllain, vajzën, apo shokun, biznesmenin dhe nga ana tjetër edhe PS, Edi Rama, ka hedhur një hap për ta perfeksionuar skemën”, pohoi Basha.

Skema e re

Kreu i Partisë Demokratike foli për një skemë të re bashkëpunimit të politikës me krimin. “Nëse më parë bashkëpunonin aktivistë, drejtues të PS-së në terren, me bandat kriminale, për shpërndarjen e parave, tani PS me një kontratë, u thotë urdhëroni bandat e Shkodrës, Lezhës, Laçit, kjo është shuma e parave, ky është objektivi, kryeni punën dhe hajdeni merrni shpërblimin që ju takon. Pra, kemi një fazë të sofistikuar krim-politikë. Ndaj, na duhet një përqasje e vendosur, për të shpërbërë në radhë të parë këtë bashkëpunim. Dhe shpërbërja nuk nis nga komponenti kriminal, nis nga komponenti politik. Nga koka. Nëse ne godasim kokën politike të mafies, atëherë kemi të gjitha shanset të shkatërrojmë dhe të shpërbëjmë organizatën që vepron në terren. E kundërta është naivitet”, pohoi Basha.

Goditja e krimit

Lulzim Basha tha dje se që të goditet krimi, duhet në radhë të parë, të goditen drejtuesit politikë, kupola politike e krimit. “Që të ketë mafie, duhet të ketë mbështetje politike, përndryshe është krim i organizuar në nivele të larta. Që të kthehet në mafie, do të thotë, të kesh njeriu tënd në Tiranë, të madhin në Tiranë që të të japë mbështetje sa herë të kesh probleme me ligjin. Dhe sistemi që kemi sot, është një sistem mafioz, një kartel, një kupolë, politiko-kriminale. Që të goditet krimi, duhet në radhë të parë, të goditen drejtuesit politikë, kupola politike e krimit. Pa ndodhur kjo, gjithçka mbetet fasadë, mbetet kozmetikë. Mund të ndërtojmë një tjetër strategji për krimin, janë miratuar nja 10 strategji, në drejtimin e qeverisë “Rama 1”, asnjëra prej tyre nuk është zbatuar”, pohoi Basha.

Kushti për zgjedhjet

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, deklaroi dje se rruga drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme kalon nëpërmjet goditjes së krimit. “Në këndvështrimin tonë, është e pamundur që kjo të bëhet nga të njëjtët njerëz që kanë përfituar politikisht, sepse këtu, ka një paradoks. Nga njëra anë kemi krimin dhe shteti duhet të luftojë krimin dhe nga ana tjetër, shteti është i pafuqishëm, nuk përballet dot me krimin, sepse kupola e shtetit, është drejtpërdrejt bashkëpunëtore me krimin. Prandaj, që të nisë lufta kundër krimit, duhet menjëherë të shpërbëhet lidhja midis shtetit dhe krimit. Pra duhet një goditje për jetë a vdekje ndaj kupolës kriminale që fillon me kupolën politike në krye të shtetit. Vetëm kështu do të hapet rruga për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, një qeveri llogaridhënëse ndaj qytetarëve dhe jo ndaj krimit”, pohoi Basha.

Deputeti i PD: Sapo filloi dekriminalizimi i zgjedhjeve

Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, ka bërë një deklaratë të fortë në lidhje me kriminalitetin në vend. Duke risjellë në vëmendje deklaratën e ambasadorit të SHBA, Donald Lu, mbi katër grupet kriminale dhe 20 familjet mafioze që sundojnë Shqipërinë, deputeti Bylykbashi shkruan se pa u larguar ata nga zgjedhjet dhe pushteti shqiptarët ta harrojnë zhvillimin, demokracinë apo integrimin. Sipas tij, ky koalicion i zi nuk do t’i lejojë ata të ngrenë kokë, ndërsa shton se sapo ka filluar reforma për Dekriminalizimin e zgjedhjeve. “Sapo filloi reforma për dekriminalizimin e zgjedhjeve. Kjo nuk do të jetë reforma zgjedhore rutinë e radhës. Pa larguar nga zgjedhjet dhe pushteti 4 klanet dhe 20 familjet kriminale dhe padronët e tyre në qeveri me në krye Edi Ramën, shqiptarët ta harrojnë zhvillimin, demokracinë apo integrimin. Sepse ky koalicion i zi nuk do t'i lejojë ata të ngrenë kokë”, shkruan Bylykbashi.

Petrit Vasili: Po shembet Republika Parlamentare

Kryetari i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili, shkruan në rrjetin social Facebook se Shqipëria Republikë Parlamentare po shembet nga drejtimi asgjësues i parlamentit dhe nga kriminalizimi kryeministror. “Mediat evropiane janë shumë të qarta, që kryeministri shkollëpak i këtij vendi me paaftësinë kriminale të tij dhe të atyre që i bëjnë fresk po e çon këtë vend në një greminë ekonomike dhe politike. Në parlamentin e degraduar që drejtohet me një servilizëm, që nuk është parë as në fillimet e pluralizmit po realizohet vetëm qetësimi i paranojave biologjike dhe politike të kryeministrit mendjehumbur në kurriz të parlamentarizmit. Po jetojmë skandalozisht parlamentin e partisë së punës dhe Shqipëria Republikë Parlamentare po shembet nga atavizmat e së shkuarës komuniste. Vendi po shket shumë rrezikshëm në duart dhe pushtetin e krimit dhe përgjegjësia për jetën e mijëra familjeve e bizneseve, është vetëm e një njeriu, e kryeministrit, i cili do që të ikë duke lënë zjarrin prapa”, tha Vasili. 

Redaksia Online

D.T/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni turin e Ramës me diasporën?



×

Lajmi i fundit

Egnatia mundi Partizanin me '12 futbollistë'

Egnatia mundi Partizanin me '12 futbollistë'