Lulzim Basha mbetet pa zyrë
ish-kryetari Berisha nuk ia liron

Lulzim Basha mbetet pa zyrë<br />ish-kryetari Berisha nuk ia liron
TIRANE - Kryetari i ri i partisë Demokratike Lulzim Basha, përpos një deklarate falenderuese në selinë e kësaj partie, ku pas një takimi me Berishën ka deklaruar fitoren në përballjen me Sokol Olldashin, nuk ka shkelur më në selinë e partisë. Dikush mund të mendojë për punët e shumta si kryebashkiak i kryeqytetit, dikush tjetër mund të mendojë se i është përkushtuar familjes, ku pas përballjes zgjedhore më 23 qershor ku kryesoi fushatën në Tiranë dhe përballjes me rivalin e tij Olldashi për kreun e partisë, kishte nevojë për pak relaks.

E vërteta e kulluar e mosshkeljes së kryetarit të ri të PD Lulzim Basha në selinë e kësaj partie është fakti se ai s’ka zyrë. Në zyrën e madhe me aneks, paradhomë dhe dhomë tjetër të kryetarit të partisë vijon të qëndrojë ish-kryetari Sali Berisha. I cili, pavarësisht se ka dhënë dorëheqjen nga kryetar i PD, pavarësisht se ka përshëndetur kryetarin e ri që e ka pasuar në këtë detyrë, nuk ka bërë aktin formal dhe të thjeshtë: atë të daljes në një konferencë të përbashkët për shtyp, dorëzimin e “kurorës” së drejtimit të PD që e mbajti për 23 vite me radhë, tek Lulzim Basha, dhe për pasojë dhe dorëzimin e zyrës që ai ka mbajtur për vite e vite me radhë në PD si lider absolut i kësaj partie.

Do ishte një fillim i mbarë për Bashën si kryetar partie, dhe jo të bënte dhe përshëndetjet apo takimet e kortezisë në zyrën e kreut të bashkisë së kryeqytetit. Burime zyrtare brenda selisë blu saktësojnë se ish-kryetari i PD Sali Berisha vijon të ketë zyrën e tij dhe të gjithë dokumentacionin në këtë zyrë, duke dëshmuar se do jetë i akomoduar pikërisht në këtë zyrë. Ndonëse burimi shprehet se deri në shtator pritet që për ish-kreun e PD Berisha të gjendet një zyrë në katin e dytë të selisë blu, pasi ai do vijojë punën për një opozitë të fortë dhe për të kontribuar në kthimin sa më shpejt të PD në pushtet.

Fakt ky i deklaruar dhe nga vetë Berisha. Madje burimi saktëson se kryeministri në detyrë Berisha po vijon të “evakuojë” dokumentet e tij dhe gjërat personale nga selia kryeministrore jo në drejtim të shtëpisë së tij por në zyrën e madhe, në selinë e PD. Duke paralajmëruar në këtë mënyrë se nuk ka ndërmend të lëvizë nga zyra që ai ka pasur në selinë e PD për 23 vite me radhë, nga ku do vijojë punën si deputet i Kuvendit gati për një opozitarizëm të fortë ndaj liderit të majtë Edi Rama.

Ndërkohë mësohet se Basha gjatë kësaj kohe do të qëndrojë në pjesë të tjera të zyrës së madhe të ish-kryetarit, për të ndarë më të tërë këtë hapësirë, por jo në ballinën e saj. Pasi aty do të qëndrojë pikërisht Berisha. Pasi as që mund të mendohet zyrë tjetër në ndonjë cep të selisë për ish-liderin historik të PD.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 27.07.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë