TIRANË- Kryesia e Partisë Demokratike e mbledhur mbrëmjen së hënës (9 tetor) nën drejtimin (Online për shkak se ndodhet në Francë) e kryetarit Lulzim Basha ka përjashtuar nga partia Gazment Bardhin, ish sekretar i Përgjithshëm. Sipas vendimit të kryesisë thuhet se Gazment Bardhi po ndjek axhendë personale në bashkëpunim me personat non grata. Por vetë Gazment Bardhi ka deklaruar se nuk e njeh Kryesinë e re të Partisë Demokratike.

Në seancën e fundit parlamentare dy ish bashkëpunëtorët e ngushtë Lulzim Basha dhe Gazment Bardhi u përplasën ashpër. Basha akuzoi Bardhin se është bërë pjesë e aleancës së kullave të Berishës e Ramës, ndërsa deputeti iu kundërpërgjigj duke pretenduar se Basha ka përfituar dy kate në një prej rezidencave të Tiranës.

Në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së më 2 shtator, ku u miratuan ndryshimet në statutin e PD-së, Lulzim Basha largoi nga posti i kreut të grupit parlamentar Gazment Bardhin. Megjithatë ende Kuvendi e njeh si kreun e grupit të PD-së. Më 9 shtator, Basha e shkarkoi Gazment Bardhi edhe nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, duke ia besuar këtë post Enkelejd Alibeajt.