Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij pas humbjes në zgjedhjet e Kosovës. Vendimin e ka bërë publik përmes një statusi të gjatë, ku thekson se ky është akti më moral dhe më i përgjegjshëm që një kryetar partie mund të marrë.

Abdixhiku bën të ditur se dorëheqja vjen pas një diskutimi brenda strukturave të LDK-së, ku janë dëgjuar kritika, shqetësime dhe mendime të ndryshme. Ai thekson se nuk është i lidhur pas pozitës, por pas LDK-së si institucion, duke nënvizuar se fati i tij politik nuk qëndron mbi partinë.

Sipas tij, tashmë vendimi i takon Kuvendit të LDK-së, i cili është thirrur për të zhvilluar debat të hapur dhe demokratik. Abdixhiku shprehet se do të respektojë çdo vendim që do të merret nga partia.

Postimi i plotë i Lumir Abdixhikut:

Më shumë se dorëheqja nuk kam çfarë të ofroj! Kam dëgjuar dhe jemi dëgjuar me njëri-tjetrin me vëmendje. Çdo zë, çdo kritikë dhe çdo shqetësim, me orë të tëra. Pesë orë e gjysmë. Në fund kemi dalur me përgjegjësi të plotë dhe me dinjitet para qytetarëve për të shprehur jo mendimin e një individi, as timin, por të shumicës dërmuese, ashtu siç u pajtuam pas pesë orë diskutimi.

Nuk i shmangemi asnjë përgjegjësie dhe nuk i ikim asnjë reflektimi. Unë, edhe më pak. Kam marrë hapin më moral që një kryetar mund ta marrë: kam ofruar dorëheqjen time. Kam hapur rrugën për secilin që ka pretendime. Jeni të lirë të garoni; në Kuvend e keni mundësinë. Tani vendimi nuk është më i imi, është i LDK-së. Dua ta them qartë; nuk jam i lidhur pas pozitës. Jam i lidhur pas shtëpisë. Dhe shtëpia ruhet me rregull, me dinjitet dhe me besim në anëtarësinë e saj dhe në secilën kërkesë të tyre. Më shumë se dorëheqja nuk ka çfarë të ofrojë një politikan. Eliminimet politike mund të jenë legjitime si aspiratë, por edhe për to vendos anëtarësia si tërësi, jo ne individualisht.

Kemi thirrur Kuvendin. Aty flasim hapur. Aty propozojmë hapur. Aty vendosim hapur. Le ta presim Kuvendin. Le ta mbajmë debatin para shtëpisë sonë, me orë të tëra, me ditë të tëra po qe nevoja. Jemi të njohur për demokraci dhe liri veprimi. Le të sillemi me përgjegjësi. Sepse LDK nuk është reagim i çastit, nuk është as protagonizëm i ditëve të vështira; edhe më pak vendim i rrjeteve sociale e duartroktijeve të kundërshtarëve. LDK është institucion. Ta keni të qartë. Jo sot, jo dje po gjithëherë: Fatin tim politik e vendos përballë LDK-së, jo mbi LDK-në. Dhe çfarëdo vendimi që merr Kuvendi, do ta respektoj me nder dhe qetësi. Deri atëherë, le të sillemi si mbrëmë e si deri tash, pa dramë e pa protagonizëm, ballëhapur e me dinjitet. Sepse mbi çdo emër është LDK. Dhe kështu na takon të gjithëve.