Eurodeputetja austriake Ulrike Lunacek është zgjedhur zëvendëspresidente e Parlamentit Evropian, duke u bërë formalisht zyrtarja austriake me postin më të lartë brenda Parlamentit.
 
57-vjeçarja Lunacek ka marrë shumicën e votave nga 751 eurodeputetët e Parlamentin Europian. Lunacek konsiderohet si një figurë shumë e rëndësishme sa i takon Ballkanit Perëndimor, sidomos Kosovës.
Ajo është bërë për herë të parë deputete në Parlamentin Evropian që në vitin 2009. Nga viti 2013 ajo ka kryer detyrën e raportueses së Parlamentit Evropian për Kosovën. 

Ajo ishte kandidate e të gjelbërve kundrejt socialdemokratit gjerman Martin Schultz për postin e kryetarit të Parlamentit, por nuk arriti të merrte votat e mjaftueshme. Ndërsa në detyrën e zëvendëspresidentes së Parlamentit Evropian, ajo u zgjodh në raundin e tretë të votimeve.

Agjencia austriake e lajmeve shkruan se Lunacek do të angazhohet për transparencë më të madhe në këtë institucion. Parlamenti Europian ka 13 zvëndëspresidentë.