LUSHNJE- Në takimet elektorale të zhvilluara sot më banorët e rrethit të Lushnjës, kreu i LSI është ndalur tek programi që kjo forcë politike ofron për rimëkëmbjen dhe zhvillimin e bujqësisë. I shoqëruar nga kryesuesi i listës së kandidatëve të LSI-së në Qarkun e Fierit, kandidat për deputete, Petrit Vasili, Lideri i LSI-së u ndal në komunat Tërbuf, Krutje, Gradisht, Golem Lushnjë etj.

Meta tha se mbështetja për bujqësinë deri tani ka qenë shumë minimale, ndërsa theksoi se do të marrë hapa konkretë në këtë drejtim.

“Mbështetja për bujqësinë dhe për ju ka qenë dhe është ende shumë e pakët dhe shumë minimale. Prandaj ne në programin tonë për punësimin, rimëkëmbjen e bujqësisë, subvencionimin e saj, modernizimin e saj, mbështetjen e saj e kemi të parën dhe ju mund ta shikoni në programin tonë. Që nga subvencionimi me 50% i farërave më të zgjedhura në mënyrë që të arrihen rezultatet dhe rendimentet më të larta. Që te subvencionimi i çmimit për plehrat kimike, për pesticidet, që nga subvencioni me 25 % për blerjen e traktorëve, të moto-kultivatorëve, që nga subvencionimi i çmimeve për karburantet si për serat ashtu edhe për punimet e tokës dhe shumë aspekte të tjera të cilat do të lehtësojnë dhe do të ulin kostot e prodhimit dhe të cilat do të rrisin rendimentet dhe prodhimtarinë e të gjithë Myzeqesë”, tha Meta.

Kreu i LSI, theksoi rëndësinë e ndryshimit të modelit ekonomik të vendit, në mënyrë që mos importohen ushqimet bazë, por ato të prodhohen në vend.

“Problemi kryesor i yni është të ndërrojmë modelin ekonomik. Nuk mund të vazhdojmë më, të importojmë ushqime dhe të vijnë lek nga emigrantët për të blerë ushqimet tona. Sepse ne e shohim që këto të ardhura nga djemtë dhe vajzat tuaja kanë ardhur në rënie për shumë arsye. Tani beteja jonë është të zhvillojmë ekonominë duke rritur prodhimin, duke ulur importet, duke rritur eksportet në mënyrë që të garantojmë vende të qëndrueshme të punës dhe të ardhura sa më të larta për fermerët dhe për të gjithë të punësuarit”, theksoi kreu i LSI-së.

Në fjalën e tij, Meta u ndal edhe në debatin për taksat. Ai u shpreh se qëllimi i LSI-së në këtë drejtim është që çdo politikë të jetë në shërbim të punësimit.

“Ju dëgjoni shumë debate për taksat. Taksat nuk janë qëllimi ynë. Taksat janë instrumenti ynë për të zhvilluar ekonominë, për të rritur prodhimin, për të rritur punësimin. Dhe prioriteti ynë kryesor është rritja e punësimit. Dhe politikën e taksave do ta bëjmë në funksion të rritjes së punësimit, në funksion të rritjes së prodhimit. Në rast se ne nuk e prodhojmë një shishe ujë, a mund t’i vëmë taksë asaj? Jo. A mund ta taksojmë atë që e ka prodhuar, në qoftë se ai nuk fiton asnjë lek? Jo. Prandaj, e para është prodhimi, është shitja dhe është puna që duhet, që duhet t’i garantohet njerëzve në mënyrë që pastaj të kemi edhe mundësinë që ata të paguajnë taksa. Kjo është filozofia jonë”, u shpreh Lideri i LSI-së.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)