Burokraci të shtuara dhe kritere të forta për përfitimin nga skema mbështetëse në bujqësi. Kështu e cilësojnë fermerët në Lushnje.
“Ka shumë burokraci. Duhet të thjeshtohen gjërat. Ne tokën e kemi marrë me copëza dhe tani na thonë të bashkohemi. Nuk është e lehtë.”
Sipas tyre, bashkimi i fermerëve për të plotësuar sipërfaqen prej 3 hektarësh , si dhe faturat dhe sigurimet shoqërore, e vështirësojnë aplikimin.
Ata e konsiderojnë të pamjaftueshëm subvencionin për blerjen e inputeve bujqësore dhe kanë vështirësi për shitjen e prodhimit tek tregtarë të licencuar.
“Çmimet janë rritur për gjithçka: nafta, plehrat, mekanika. Në fund nuk del fitim. Punojmë dhe dalim me zero.”
Fermerët thonë se heqja e subvencionit për karburantin ka rritur më tej kostot e punës në bujqësi, sidomos për vaditjen dhe punimet mekanike.
“Ne vadisim me pompa dhe karburanti është shumë i shtrenjtë. Kjo po na rëndon shumë.”
Ndërkohë, edhe sektori i blegtorisë po përballet me rënie të çmimit të qumështit, ndërsa ankohen për mungesë stabiliteti në treg.
“Qumështi ka rënë në 45 lekë për litër. Fabrikat abuzojnë dhe ne nuk po fitojmë asgjë.”
Pavarësisht ankesave, procesi i aplikimeve për skemën mbështetëse po ecën normalisht në gjithë vendin. Fondi është 5.2 miliardë lekë dhe aplikimet do të jenë të hapura deri më 25 qershor.
Komente








