Një 71-vjeçar ka humbur jetën mëngjesin e sotëm në fshatin Dushk, bashkia Lushnje. Hekuran Xhelo ishte duke lëvizur me mjetin bujqësor tip “Zetor” me rimorkio, për të shkuar të punonte në tokat e tij.

Në një pjesë të rrugës, Xhelo ka humbur kontrollin mbi mjetin bujqësor dhe ka përfunduar në kanalin përbri rrugës. Hekurani ka qenë i vetëm në mjetin bujqësor dhe përmbysja i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Grupi hetimor po punon për dokumentimin e ngjarjes si dhe do të përcaktojë shkaqet që sollën aksidentin fatal. Trupi i të ndjerit është përcjellë në morgun e spitalit të Lushnjës, ku do të kryhet ekzaminimi mjeko-ligjor.

Rruga në të cilën ka humbur kontrollin mbi mjetin bujqësor është rrugë bujqësore e shtruar me çakëll, çka dyshohet se mund të ketë sjellë daljen nga rruga për shkak të shpejtësisë.