LUSHNJE - PDIU ka zhvilluar dje një takim elektoral në qytetin e Lushnjes, ku kryetari Shpëtim Idrizi ka prezantuar kandidatin për deputet të Qarkut të Fierit, Omer Mamo.

“Miq, sot dua të ndaj me ju gëzimin e madh për lajmin e lirit të mikut tim, heroit të luftës së Kosovës, Fatmir Limaj, ose siç njihet nga të gjithë “Komandant Çeliku”.

PDIU që në fillim ka reaguar ashpër për arrestimin e Limajt, si një tentativë për të përdhosur luftën heroike të UÇK. “Jemi të gjithë bashkë, shqiptarë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Çamëria për t’u vendosur në krah të Limajt dhe gjithë luftëtarëve të UÇK.

Askush s’mund të hedhë poshtë gjakun e mijëra luftëtarëve, me anë të makinacioneve të gatuara në Beograd. Nga qyteti i Kongresit, unë dua të përshëndes mikun tim Fatmir Limaj dhe t’i them se ne e duam Shqipërinë të bashkuar duke vazhduar në këtë mënyrë amanetin e dëshmorëve të UÇK-së” deklaroi Idrizi.

Më pas ai u ndal tek arritjet e PDIU në këto 4 vite, ku më kryesorja është Rezoluta për Zgjidhjen e Çështjes Çame. “Në këto 4 vite, edhe pse ishim vetëm dy deputet në Parlamentin e Shqipërisë, kemi arritur të bëjmë shumë gjëra për çështjen kombëtare dhe çështjen çame.

Fal presionit tonë, politika shqiptare nxori nga arkiva Rezolutët e vitit 2004 duke konfirmuar se ajo ishte e miratuar. Miq, ne sot nuk jemi këtu për të treguar ato që kemi bërë, por po kërkojmë votën e çdo shqiptari, duke i garantuar ata se ne do jemi zëri patriotik në Parlamentin e Shqipërisë, duke siguruar respektimin e të drejtave të shqiptarëve kudo që janë.

Do garantojmë që çdo gërmë e Rezolutës për Zgjidhjen e Çështjes Çame, të respektohet dhe zbatohet nga shteti shqiptar.

Kërkoj që më datë 23 qershor të gjithë ju të votoni numrin 50, të votoni PDIU në mënyrë që në Parlamentin e ardhshëm, të jenë 7 deputet patriot” tha Idrizi. Nga ana e tij, kandidati për deputet Omer Mamo shprehu dhe një herë bindjen se votuesit e këtij qarku, të cilët ndër vite janë shquar për hapjen e shtëpive dhe zemra për shqiptarët e Çamërisë dhe shqiptarët e Kosovës, do dinë të zgjedhin.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 07.06.2013
 
Redakisa Online
(b.m/shqiptarja.com)