Në fjalën e tij Rama tha se politika e partisë që ai drejton është në duar e të rinjve dhe grave.
“Programi për një Rilindje Shqiptare instrumenti më i sigurt i ndryshimit në kushtet e zallahisë morale e të politikës së arsyes së humbur. Politika e socialistëve në duart e sa më shumë të rinjve, grave e familjeve të zakonshme të këtij vendi në betejën e tyre me varfërinë”, deklaroi kryesocialisti.
Sipas tij, të rinjtë si në Lushnje edhe në të gjithë Shqipërine tek politika gjejnë hapësirën e tyre në luftë me keqarsimimin, papunësinë e degradimin social.
“Sot jemi në fazën ku duhet të rindërtojmë” tha ai duke nënvizuar se Partia Socialiste që drejton duhet të shndërrohet në hapësirën ku çdo shqiptar e shqiptare të gjej vendin e vet. Për secilin nga anëtarët e rinj të sapo ardhur në Partinë Socialiste ka dhe një detyrë, atë të sjelljes së dy vetëve të tjerë pas një muaji në radhët e familjes socialiste.
Edi Rama duke iu drejtuar të rinjve në Lushnje theksoi se edhe nëse ka njerëz që nuk duan të na besojnë ne, duhet t’ju besojnë ju të rinjve të këtij vendi: “Nëse dikush nguron të na besojë ne, duhet t’ju besojë ju dhe për këtë arsye ju jeni Partia Socialiste e Shqipërisë. Secili nga ju është zëri i secilit prej bashkëmoshatarëve tuaj, që njësoj si ju vuajnë në kurriz padrejtësinë dhe pabarazinë e kthyer në sistem. Që njësoj si ju vuajnë mungesën e një shkollimi të denjë. Që njësoj si ju vuajnë mungesën e një perspektive të denjë. Që njësoj vuajnë mungesën e një jete të denjë sociale dhe kulturore. E pra, për këtë arsye ardhja juaj sot në Partinë Socialiste nuk është një çështje numrash, por është shumë më tepër se kaq. Është një çështje që lidhet me energjinë e madhe pozitive që duhet të përçojë Partia Socialiste e Shqipërisë dhe që do ta përçojë përmes jush dhe përmes të gjithë atyre, që si ju, që nuk e pranoni realitetin kështu siç është, nuk pranoni të tërhiqeni në qoshen e tuaj. Por, jeni këtu për t’u shfaqur, jeni këtu për të qenë së bashku, jeni këtu për të bashkuar zërin tuaj me zërin e të tjerëve në mënyrë që gjithçka ne do të shkruajmë së bashku për të gjitha të rejat dhe të rinjtë e Shqipërisë në programin "Për një Rilindje Shqiptare", të mos mbetet një dëshirë e shkruar bukur në letër, por të kthehet në një vullnet për transformimin e realitetit ku sot rinia shqiptare lëngon në plagët e papunësisë dhe të braktisjes sociale. Ku sot rinia shqiptare lëngon nën plagët e padrejtësisë dhe pabarazisë. Ku sot të rinjtë shqiptarë e kanë të pamundur të gjejnë rrugën e tyre falë vlerave dhe meritave të tyre, sepse rruga e tyre është e mbyllur nga politika e vjetër dhe e ndasive, e preferencave klienteliste dhe nepotike. Nga politika e vjetër që e ka transformuar shtetin shqiptar në një pjesë të një pushteti, i cili qëndron në këmbë me vota të vjedhura, jo vetëm për të vjedhur Shqipërinë, por për të vjedhur të ardhmen tuaj, të ardhmen e përbashkët të atdheut tonë.”
Duke iu referuar programit “Për një Rilindje Shqiptare” Rama tha se parashikon një transformim rrënjësor për jetën e të rinjve shqiptarë dhe se shoqëria duhet të vendos në themelet e saj drejtësinë dhe jo padrejtësinë që mbizotëron sot: “Në themelin e kësaj shoqërie ka një padrejtësi që ne duhet ta çrrënjosim. Dhe kjo padrejtësi është që të gjithë prindërit tuaj që janë rrogëtar të zakonshëm, në sektorin privat apo publik, paguajnë më shumë taksa se deputetët, ministrat dhe kryeministrat. Kjo duhet të ndryshojë dhe këtë ne do ta ndryshojmë.
Prindërit tuaj në masën më të madhe janë pjesë e atij 95% të shqiptarësh e shqiptaresh, që fatkeqësisht zotërojnë më pak se gjysmën e pasurisë së këtij vendi. Ndërkohë që vetëm 5% e shqiptarëve zotërojnë sot më shumë se gjysmën e pasurisë së këtij vendi. Dhe ç' është sot më e keqja, ata paguajnë më pak taksa sesa prindërit tuaj. Të ardhurat që vijnë nga ky 5% për shtetin që duhet të investojë për arsimimin tuaj, që duhet të investojë për të hapur rrugët e punësimit tuaj, që duhet të investojë për një Shqipëri moderne dhe europiane janë më të pakta se sa të ardhurat që kontribuojnë në buxhetin e shtetit prindërit tuaj, rrogëtarë të zakonshëm të këtij vendi. Kjo duhet të ndryshojë dhe ne do ta ndryshojmë.
Kush fiton më pak dhe më pak fitojnë prindërit tuaj, duhet të paguajnë më pak taksa dhe duhet të kenë më shumë para për të mbajtur familjen me dinjitet. Kush fiton më shumë, duhet të paguajë më shumë taksa dhe padyshim le të fitojë edhe më shumë, që të paguajë edhe më shumë, në mënyrë që kjo shoqëri të jetojë ashtu si të gjitha shoqëritë europiane, mbi bazën e një sistemi të drejtë. Mbi bazën e një sistemi ku nga pasuria e përbashkët të fitojnë të gjithë dhe jo vetëm një pakicë e vogël që pasurohet përditë e më shumë, ndërkohë që shumica varfërohet përditë e më shumë.”
Sekretari për Rininë Erion Veliaj bëri një apel nga Lushnja për të rinjtë e këtij qyteti dhe jo vetëm për të bërë të mundur ndryshimin: “Nëse ne socialistët e Lushnjës i ndajmë shqetësimet e njerëzve ashtu siç ndajmë bukën tonë, ashtu siç ndajmë hallet tona, të jemi Partia Socialiste kudo që jemi. Secili prej jush të jetë Partia Socialiste aty ku gjendet. Le ta hapim Partinë Socialiste për të gjithë ata djem dhe vajza që do të votojnë për herë të parë. Le ta hapim Partinë Socialiste për këdo që do të na bëhet krahë në këtë betejë dhe le ta fitojmë këtë betejë.”
Të shumtë kanë qenë të rinjtë që kanë preferuar të kenë një autograf të Edi Ramës apo të kenë një foto me liderin e opozitës, duke shprehur besimin dhe bindjen e tyre se është Partia Socialiste dhe Programi i saj i ri që do bëjë të mundur një Shqipëri të denjë për aspiratat e tyre.
(aq/shqiptarja.com)