Stuhia e fortë e shoqëruar me breshër mbremjen e së premtes ka shkaktuar dëme të mëdha në të gjithë fshatrat e njësisë administrative Allkaj, në bashkinë e Lushnjes.
30 minuta kanë qenë të mjaftueshme për të hedhur në tokë jo vetëm prodhimin e rrushit pak ditë para vjeljes, por forca e stuhisë ka këputur dhe shtyllat e betonit.
Dëmet për familjet fermere të kësaj zone janë të pallogaritshme, pasi u është dëmtuar i gjithë prodhimi. Probleme janë shkaktuar edhe në kultura të tjera, si mollë, dardhë e misër.

Nga të dhënat paraprake të marra në terren, janë dëmtuar plotësisht mbi 70 hektarë vreshtari dhe kultura të tjera bujqësore.
Fermerët kanë mbetur të shokuar nga kjo fatkeqësi e natyrës, ndërsa më të vjetrit shprehen se nuk e kanë parë prej vitesh këtë lloj katastrofe natyrore.
Si sivjet kurrë në jetën time. Aq breshër i madh të ishe në rrugë menjëherë vdisje. Unë kam 5 dynym, plak pensionist, iku rrushi im. Unë kam 1 hektarë, shpenzimet shkojnë deri në 7 milionë lekë, e gjitha iku në dava 20-25 minutash. Mendonim t’i vilnim për punë 3-4 ditësh. Breshëri filloi në 6, 6 e 30, breshër i paparë.
Fermerët
Shumë fermerë janë gjunjëzuar si pasojë e katastrofës së një natë më parë, ndërsa kërkojnë ndihmën e shtetit për dëmet e shkaktuara nga breshëri dhe stuhia.
/b.ha./Shqiptarja.comKomente

