Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e djeshme në qytetin e Lushnjes, ku një shtetas 35-vjeçar me inicialet E.Sh, ka tentuar të vrasë me mjete prerëse(thikë) shtetasit L.Ç, 20 vjeç, A.Ç, 23 vjeç dhe D.S, 15 vjeç banues në Karbunarë. Të lënduarit janë dërguar menjëherë në spitalin e Lushnjes për të marrë ndihmën mjekësore të nevojshme, fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia e Lushnjes ka bërë të mundur edhe arrestimin e përkrahësit të autorit, Renato Pupi, 28 vjeç, banues në Këmishtaj, Divjakë. Nga hetimet ka rezultuar se pas ngjarjes, shtetasi E.Sh është ndihmuar për tu larguar nga vendi i ngjarjes nga shtetasi Renato Pupi, i cili me mjetin tip "Benz" në pronësi të tij, e ka marë nga vendi i ngjarjes dhe e ka ndihmuar për t'i shpëtuar kapjes nga policia dhe për tu fshehur.
Nga ana e policisë është bërë sekuestrimi i automjetit tip "Benz"në pronësi të shtetasit Renato Pupi, si dhe po punohet për kapjen dhe ndalimin e autorit të dyshuar, shtetasit E.H.
Materialet iu referuan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje në ngarkim te shtetasit E.H për veprën penale "Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” e mbetur në tentativë, parashikuar nga Nenet 79/dh dhe 22 të Kodit Penal , dhe në ngarkim te shtetasit Renato Pupi për veprat penale “ Moskallëzimi i krimit" dhe "Përkrahja e autorit të krimit" parashikuar nga Nenet 300 dhe 302 të Kodit Penal.