Lutaj i ankohet Ruçit për LSI:
Opozita më e moderuar se ata

Lutaj i ankohet Ruçit për LSI:<br />Opozita më e moderuar se ata
Mbledhja e përjavshme e grupit parlamentar të PS-së, e zhvilluar menjëherë pas debateve në Komisionin e Sigurisë, është përqendruar tek grabitja e armatosur në aeroportin e Rinasit. Deputetët socialistë, anëtarë të Komisionit të Sigurisë kanë bërë një paraqitje të debatit mes tyre dhe LSI-së e opozitës. Sekretari i këtij komisioni, Pirro Lutaj, ka thënë se qasja e LSI-së ka qenë shumë e fortë në komision, madje më e fortë se ajo e vetë opozitës. “Dua t’ju vendos në dijeni për atë çka ndodhi. Siç pritej edhe nga qëndrimet e mëparshme të PD dhe LSI, gjithë mbledhja e komisionit u përqendrua tek ngjarja e Rinasit. Sigurisht që qëndrimi ynë qe se duhet të presim dhe të njohim të vërtetën dhe dinamikën e ngjarjes nga organet hetuese.

Por u përballëm me një qëndrim të fortë nga ana e LSI-së. Qëndrimi Luan Ramës ishte i fortë. Më i moderuar qe Flamur Noka i opozitës se vetë LSI-ja. Kjo për mua përbën një shqetësim dhe nonsens”,-u ka thënë Pirro Lutaj kolegë të tjerë socialistë. Më pas fjalën e ka marrë deputeti Paulin Stërkaj. Ai ka kërkuar që ngjarja duhet zbardhur që të dihet se çfarë qëndrimi duhet të mbahet. “Kjo është një çështje e hetimit, por edhe ne duhet të dimë se çfarë ka ndodhur. Policia e prokuroria duhet të vendosin në dispozicion faktet që të gjithë të jemi më të qartë. Unë nuk i iki idesë se aty mund të ketë një marrëveshje mes sigurisë dhe bankës për vjedhjen e lekëve. Ky kërkon një hetim të thelluar”,-ka thënë Stërkaj.  Në përgjigje të shqetësimit të deputetëve, ka marrë fjalën Ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri. Ai ka thënë se policia është njoftuar me vonesë dhe po punon intensivisht për të zbardhur ngjarjen. “Sigurisht kjo është nja ngjarje tejet e rëndë.

Por, që në momentin që policia ka marrë njoftimin ka filluar menjëherë punën për gjetjen e autorëve dhe zbardhjes së të vërtetës. Dua të theksoj njoftimi ka qenë i vonuar. Prokuroria dhe Policia po hetojnë. Dua t’ju bëj me dije se ka që nga viti 2004 një kontratë koncesionare e cila ndalon Policinë të kujdeset për sigurinë në Aeroportin e Rinasit. Policia kujdeset vetëm për sigurinë e udhëtarëve në terminal. Kur keni dëgjuar që “policia forcon masat në kuadër të luftës kundër terrorizmit” bëhet fjalë për masat në terminalin e udhëtarëve. Policia në Shqipëri dhe në gjithë vendet e botës kujdeset për udhëtarët – do të thotë në terminal. Kjo dhe sipas kontratës koncesionare. Ndaj unë mendoj se kontrata koncensionare duhet riparë, ose policia e shtetit duhet të kontraktohet për të bërë detyrën e saj. Këtë duhet ta diskutojmë në qeveri dhe në Parlament. Unë besoj se hetimi do zbardhë të gjitha përgjegjësitë e të gjitha organeve.

Sigurisht është ngjarje shumë e rëndë, sepse cënon realisht jo vetëm rendin publik, por dhe sigurinë kombëtare”-ka thënë Tahiri. Në mbyllje të këtij diskutimi, kreu i grupit, Gramoz Ruçi ka kërkuar nga deputetët të kenë kujdes në deklaratat që bëjnë pasi mund të keqkuptohen, e po ashtu të informohen mbi përgjegjësitë. “Unë ju kërkoj që të jeni të kujdesshëm në deklaratat dhe qëndrimet që mbani. Ngjarja është delikate dhe mund të keqpërdoren qëndrimet. Ndërkohë, duhet të jemi të përgatitur. Grabitja në aeroportin e Rinasit mendoj se do të bëhet objekt për sulmin që deputetët e Partisë Demokratike mund të bëjnë ndaj nesh apo qeverisë. Ju duhet që të informoheni për gjithçka, duke përfshirë këtu kontratën e koncensionarit, sigurinë dhe përgjegjësitë. Në këtë mënyrë do të jemi të saktë dhe korrekt në çfarë themi e çfarë bëjmë”,- ka thënë Ruçi.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Barcelona pëson humbjen e parë sezonale, Osasuna e turpëron 4-2 në 'Pamplona'

Barcelona pëson humbjen e parë sezonale, Osasuna e turpëron 4-2 në 'Pamplona'