Lutaj nismë për të kontrolluar
SHISH: Nëse s'vjen Visho ikim vetë

TIRANE- Deputeti Pirro Lutaj do të depozitojë në Kuvend një kërkesë për të nisur kontrollin e Shërbimit Informativ Shqiptar nga parlamenti. Gjatë mbledhjes së djeshme të Komisionit të Sigurisë, deputetët e mazhorancës dhe të opozitës u përfshinë në debate përsa i përket certifikatës së sigurisë, që duhej të kishte kreu i SHISH, Visho Ajazi Lika, si edhe deputetët e këtij komisioni të Kuvendit. Gjatë debateve, deputeti Lutaj paraqiti para komisionit nismën e tij për të kontrolluar veprimtarinë e SHISH me argumentin se, nëse kreu i këtij shërbimi nuk raporton në Kuvend, atëherë deputetët do të ikin vetë për ta bërë këtë gjë tek institucioni i inteligjencës shqiptare.

“Kemi lënë në mes një seancë me kreun e SHISH, duam një përgjigje kur do të jetë ai në komision. Nëse kreu i SHISH nuk vjen në Komision, duke u bazuar në ligj, mund të shkojmë vetë në institucionin e SHISH dhe të verifikojmë të gjitha pretendimet”,- theksoi deputeti socialist. Por kjo deklaratë e tij solli dhe debatet e forta nga ana e mazhorancës ku deputeti Astrit Patozi, një nga përfaqësuesit e komisionit që nuk është pajisur ende me certifikatë sigurie, theksoi se këto procedura janë anormale për funksionin e institucioneve në Shqipëri. “S’e kam sot certifikatën, megjithëse kam mbi një javë që kam aplikuar.

E njëjta gjë qenka edhe për drejtorin e Shërbimit, pasi edhe ky duhet të aplikojë dhe pastaj ja japin apo s’ja japin. Kjo është një praktikë shumë e turpshme, e cila duhet të ndryshojë një herë e përgjithmonë. Ç’kusur kam unë që t’i shkoj nga mbrapa për të marrë certifikatën; të ma sjellin ata mua, se këtë punë kanë! Komisioni i Sigurisë Kombëtare, që jemi ne, në ditën që konstituohet, aplikojnë në bllok dhe të gjithë anëtarët e komisionit kalojnë në sitën e organit kompetent dhe marrin certifikatën. Çdo vit të rifreskohet automatikisht. Është vendimi i tyre, jo i imi”,- theksoi Patozi. Por këto debate sollën edhe një akuzë nga ana e kreut të komisionit.

Konkretisht, Spatak Braho theksoi se ky kontroll nuk ka pse të sjell hezitimin e deputetëve të opozitës. “Mos u trembni nga kontrolli. Zoti Pirro ka të drejtën e vet për të ushtruar kontrollin në dokumentet e sigurisë. Zoti Pirro të na e japë me shkrim se çfarë fushe kontrolli ka ndërmend të organizojë dhe të veprojnë”,- tha kreu i komisionit Spartak Braho.
 
 
Debatet në Komisionin e Sigurisë
Noka: Mazhoraca zhurmuese. Lutaj: Zbatoni vendimin e Berishës
LUTAJ: -Kemi lënë në mes një seancë me kreun e SHISH, duam një përgjigje kur do të jetë ai në komision. Nëse kreu i SHISH nuk vjen në Komision, duke u bazuar në ligj, mund të shkojmë vetë në institucionin e SHISH dhe të verifikojmë të gjitha pretendimet.
NOKA: -Kreut të SHISH nuk i është vënë afat për të ardhur në komision dhe nuk mund t’i kërkohet të vijë me urgjencë. Deputetët e shumicës vijnë në Komisionin e Sigurisë sa për të bërë zhurmë. Me kërkesën tuaj po kërkoni të nxisni anormalitetin.

PATOZI: -S’e kam sot certifikatën megjithëse kam mbi një javë që kam aplikuar. E njëjta gjë qenka edhe për drejtorin e Shërbimit pasi edhe ky duhet të aplikojë dhe pastaj ja japin apo s’ja japin. Kjo është një praktikë shumë e turpshme e cila duhet të ndryshojë një herë e përgjithmonë. Ç’kusur kam unë që t’u shkoj nga mbrapa për të marrë certifikatën, të ma sjellin ata mua, se këtë punë kanë!
BRAHO: -Ka bërë Pirua një propozim për të ngritur një grup pune në SHISH në lidhje me problematikën. Kemi një kërkesë pro dhe një kundër.
NOKA: -Ne kemi premtuar një normalitet në këtë marrëdhënie, ndërsa Pirrua po nxit një anomalitet në këtë marrëdhënie. Ju vazhdoni, faleminderit, ne po largohemi.
LUTAJ: -Ju nuk njihni vendimin e qeverisë që ka marrë qeveria juaj. Njihjeni vendimin e qeverisë dhe propozojeni për ndryshim. Deri në momentin që vendimi i qeverisë ka pushtet, duhet të zbatohen proceduurat. Po të them se certifikata nuk jepet, por certifikata merret, pasi kështu është përcaktuar me ligj.

PATOZI: -Është një problem i vogël dhe teknik. Ky komision nuk mund të paragjykojë institucionit e shtetit shqiptar. Mendoj se shumë shpejt do të pajisen me certifikatë sigurie dhe do të vijnë këtu për të raportuar. Ne nuk kemi asnjë arsye të bëjmë kontrolle punëtore se u bë..
BRAHO: -Mos u trembi nga kontrolli. Zoti Pirro ka të drejtën e vet për të ushtruar kontrollin në dokumentet e sigurisë. Zoti Pirro të na e japë me shkrim se çfarë fushe kontrolli ka ndërmend të organizojë dhe të veprojnë.
NOKA: -Në fushën minerare...

Shkrimi u publikua sot (12.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këto janë pemët më të veçanta në mbarë botën për festat e fundvitit

Këto janë pemët më të veçanta në mbarë botën për festat e fundvitit