TIRANE- Policia ka vënë në pranga 2 vrasës me pagesë dhe porositësin për të paktën 2 raste vrasje dhe tentativë vrasjeje me pagesë.
 
Por janë ende në kërkim dy personat që kryenin lidhjen mes vrasësve dhe të interesuarve për kryerjen e eleminimeve, dhe kjo është “Pjesa e Luanit” në hetimet për grupin e frikshëm të ekzekutimeve me eksploziv. Bëhet fjalë për dy persona, Andon Mëhillaj me emrin e ndryshuar në Erjon dhe kushërit të tij Genis Mëhillaj.
 
Policia ka dy vrasës me pagesë tashmë me statusin e të penduarit, identitetet e të cilëve pas masave të arrestit konfirmohet të jenë Julian Sinanaj dhe Ndriçim Gjikona.
Të dy janë kundërshtarë me njëri-tjetrin edhe në dëshmitë për Prokurorinë e Krimeve të Rënda, por lidhen në një pikë, i tmerrohen hakmarrjes së Andon Mëhillajt.
 
Kërkesa e tyre kryesore është pikërisht ruajtja e familjeve nga kjo hakmarrje. I pari që ka folur dhe zbardhur funksionimin e grupit ishte Ndriçim Gjikona, dhe nuk e ka patur të lehtë.
 
I është paraqitur një zyrtari të lartë të Policisë së Shtetit, i cili duket se nuk e ka marrë shumë seriozisht, dhe Gjikona është detyruar të trokasë te Prokuroria e Durrësit, ku dhe ka nisur të tregojë krimet e kryera.
 
Arsyeja ishte e thjeshtë, u tremb dhe kujtoi se ishte koha që Andon Mëhillaj, organizatori sipas tij i vrasjeve me pagesë do të përdorte një tjetër vrasës për ta eleminuar. Dhe ky ishte Julian Sinanaj.
 
Kjo kishte ndodhur njëherë, kur vetë Gjikona dhe Sinanaj, ishin porositur sipas dëshmisë së të dyve, për të eleminuar një persona që redaksia e “A1 Report” ia di identitetin, por për shkak të momentit ku ndodhen hetimet e krimeve të rënda, i publikon vetëm inicialet J.M. Ky i fundit një vrasës me pagesë, që nuk dihet për çfarë arsyeje ishte konfliktuar me porositësin Mëhillaj, dhe ky kishte urdhëruar dy vrasësit e tjerë ta eleminonin.
 
Vrasja e J.M., mbeti në tentativë, pasi ai arriti t’i shpëtonte atentatit në Vlorë. Por pas dëshmive të fundit, është në kërkim nga policia për vrasjet e dyshuara të kryera prej tij dhe bashkëpunimin e përplasjet me Mëhillajn.
 
Krisja e parë mes Sinanit dhe Gjikonës, ishte në janar të këtij viti. Të dy ishin kontraktuar nga Mëhillaj, për eleminimin e biznesmenit durrsak të gazit të lëngshëm, i cili banon në Tiranë. Shuma ishte 120 mijë euro, data ishte 25 janari, dhe vendi te “Kodrat e Liqenit Artificial”.
 
Krimi ishte planifikuar të kryhej më herët, por një vrasje e ndodhur në Tiranë, ua kishte prishur planin.
 
Pas këtij momenti, Sinanaj kërcënoi se do vriste Gjikonën, se nuk po i dërgonte makinën me të cilën do të kryhej krimi. Ky fakt e trembi Gjikonin, duke e njohur se më kë kishte të bënte dhe duke menduar se kjo do i sillte reagimin edhe të porositësit, Mëhillit për problemet që po i sillte.
 
Ky ishte motivi që Gjikona kërkoi mbrojtje, dhe për të fituar ishte gati të nxirrte të gjithë pjesëtarët e grupit.
 
Sinanaj, pas arrestimit, gjithashtu iu tremb Mëhillit, se nëse krimet e kryera do të zbuloheshin, apo nëse do fliste atëherë do e pësonte familja e tij.
 
Sinanaj ia njihte shefit të tij, kapacitet dhe mundësitë për të punësuar një tjetër vrasës për të përfunduar punët e mbetura pezull. Ky fakt, e ka bërë të tregojë të gjitha krimet e kryera në këmbim të mbrojtjes së shtetit.
 
“A1 Report” ka zbardhur detaje të dëshmisë së Sinanajt lidhur me vendosjen e eksplozivit ndaj kreut të Partisë Demokratike në Vlorë, Ardian Kollozi, në qershorin e vitit 2013 dhe tre javë para zgjedhjeve parlamentare.
 
Sinanaj, ka deklaruar se ishte kontaktuar nga Mëhillaj, i cili i kishte kërkuar t’i vendoste dhe shpërthente lëndë eksplozive në banesën e Kollozit, por në një mënyrë të atillë që të mos dëmtonte në njerëz. Pagesa ishte 7 500 euro.
 
Sinanaj pohon se i ka dhënë Gjikona 600 gramë tritol, të cilën e ka vendosur në derën e banesës së katit të 10-të ku banonte Kollozi, në orën 2 të natës së 1 qershorit.
 
Kur ka dalë jashtë pallatit e ka shpërthyer dhe sikur ishte porositur ka shkaktuar vetëm dëme materiale, të cilat llogariten në 835 mijë lekë të reja, pa lënduar familjarët.
 
Është kthyer dhe të nesërmen në një kafe pranë banesës së Kollozit, por ka pranuar ende se ka kuptuar motivin, apo cili ishte personi i interesuar që kishte kontaktuar Mëhillajn për këtë ngjarje.
 
Për vrasjen e peshkatarit Sokol Veizi, Sinanaj ka pranuar se i ishte premtuar 1 500 metra tokë në bregdet nga Genis Mëhillaj, i cili ishte kushëri me viktimën dhe kishin konflikt pronësie. Por në fund Mëhillaj i kishte dhënë vetëm një apartament 50 metra katrorë të cilën e kishte kaluar në emrin e të ëmës së Sinanajt.
 
Përsa i takon eksplozivit të vendosur prefektit Besnik Dervishi, Sinanaj ka pohuar se në atë kohë i kishte dhënë 2 bomba me celular për 20 mijë euro sipas porosisë, Andon Mëhillajt, si dhe i kishte vendosur mekanizmin shpërthyes një motorri të kërkuar nga i njëjti porositës.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)