Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se qëndrimet e tij mbi luftën në Ukrainë janë “të matura” dhe “të peshuara” mirë. “Këto janë çështje mjaft serioze,” tha Macron teksa inaguroi fshatin olimpik të lojërave Paris 2024.
Kjo deklaratë lidhet me fjalimin e tij që bëri bujë mbi mundësinë e dërgimt të trupave perëndimore në Ukrainë, e cila ka ngritur mjaft debate dhe kundërshtime nga komuniteti ndërkombëtar. Presidenti francez gjithashtu refuzoi “komentet gjeopolitike” gjatë vizitës së tij, duke vlerësuar kontekstin si të papërshtatshëm për këtë çështje.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha për “Pervij Cana”, se fjalët e Macron mund të shkaktojnë “dëme të pariparueshme ndaj sigurisë dhe stabilitetit të kontinentit”.
“Këto janë elemente të reja dhe të rrezikshme. Partnerët tanë perëndimorë nga njëra anë janë të parashikueshëm, por nga ana tjetër, fatkeqësisht, po fillojnë të diskutojnë përfshirje direkte të kontigjenteve ushtarake në Ukrainë, e cila mund të shkaktojë dëme të pariparueshme të sigurisë dhe stabilitetit të kontinentit dhe mund të çojnë në pasoja të pariparueshme,” tha Peskov.