Presidenti francez, Emmanuel Macron tha se dëshiron të përfshijë partnerët europianë për një rifillim të dialogut me presidentin rus, Vladimir Putin.
Deklarata e Macron vjen pasi dërgoi një këshilltar të lartë në Moskë javën e kaluar, në takimin e parë të tillë që kur Rusia nisi agresionin ushtarak ndaj Ukrainës në shkurt 2022.
"Çfarë fitova? Konfirmim se Rusia nuk dëshiron paqe tani për tani", tha ai në një intervistë me disa media evropiane.
"Por mbi të gjitha, ne i kemi rindërtuar ato kanale diskutimi në një nivel teknik. Dëshira ime është ta ndaj këtë me partnerët e mi europianë dhe të kem një qasje europiane të organizuar mirë", shtoi ai.
Macron deklaroi vitin e kaluar se besonte që Evropa duhet t’i rikthehet kontaktit me Putinin, në vend që t’i lërë Shtetet e Bashkuara të marrin vetëm udhëheqjen në negociatat për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Javën e kaluar, Kievi dhe Moska përmbyllën dy ditë bisedimesh të ndërmjetësuara nga SHBA-ja në Abu Dabi. Megjithatë, nuk pati përparime të mëdha, përveçse arritjes së dakordësisë për të shkëmbyer 314 të burgosur.
Negociatorët ukrainas dhe rusë pritet të takohen për një raund të ri bisedimesh javën e ardhshme.
Komente









