Syri i Kaltër në Sarandë vijon të jetë një nga destinacionet më të frekuentuara nga turistët e huaj. Edhe gjatë këtyre ditëve të pranverës, ky atraksion natyror po përjeton një fluks të lartë vizitorësh, ku sipas të dhënave në terren, numri arrin rreth 500 turistë në ditë, dhe pothuajse të gjithë janë të huaj.
Pamja që ofron Syri i Kaltër mbetet unike. Uji i kristaltë dhe ngjyrat e forta blu krijojnë një kontrast të bukur me gjelbërimin përreth, duke e kthyer këtë vend në një pikë të preferuar për tu vizituar. Vizitorët qëndrojnë gjatë, shëtisin në zonë dhe shijojnë qetësinë që ofron natyra.
Turistët tregojnë emocionet e tyre gjatë vizitës. Ata shprehen se Shqipëria është një vend i jashtëzakonshëm teksa theksojnë se do të rikthehen sërish për ta vizituar vendin.
“Kemi ardhur nga Gjirokastra, shkuam në Butrint e më pas pamë hartën menduam le të shkojmë ,lexuam te guida jonë per Syrin e Kaltër. Shumë mirë, njerëz shumë të mirë, ka shumë për të parë, njerëz shumë të shoqërueshëm, jemi shumë të emocionuar për Shqipërinë”, thotë një prej turistëve.
“E adhuroj kaltërsinë e Syrit të Kaltër dhe gjithë natyrës që gjendet rreth e rrotull tij. Unë e kisha parë këtë vend nga rrjetet sociale por tani që jam këtu është akoma dhe më bukur. Është hera e parë që vij në Shqipëri, patjezër duhet ta vizitoja këte vend. Është me të vërtetë shumë bukur Unë vi nga Anglia, por sigurisht që do ta vizitoj përsëri!”, thotë një tjetër.
Edhe turistë të tjerë tregojnë eksperiencën e tyre në vendin tomë. Ata thonë se kanë mbetur të mahnitur nga bukuritë e Shqipërsië.
“Unë jam nga Londra, Syri i Kaltër është i bukur Syri i Kaltër duhet parë nga këndvështrime të ndryshme dhe nga diku lart mund të duket shumë bukur Do të qëndroj 5 ditë, nuk po qëndroj shumë këtë herë por sigurisht do të vij përsëri në verë. E dua jugun, më pëlqen të rri dhe të relaksohem në lokalet pranë detit, shprehet një turist.
“Është shumë bukur, e mahnitshme. Është hera ime e parë në Shqipëri dhe më ka lënë pa fjalë. Kemi ardhur nga Franca të premten dhe po kalojmë shumë bukur”, thekson një tjetër.
Rritja e numrit të vizitorëve në këtë periudhë tregon se Syri i Kaltër po bëhet çdo ditë e më i njohur ndërkombëtarisht. Turistët e huaj po zgjedhin jugun e Shqipërisë jo vetëm për bregdetin, por edhe për atraksione natyrore si ky, që ofrojnë një eksperiencë të veçantë dhe të qetë larg zhurmës.
Pranvera duket se ka sjellë një fillim të mbarë për sezonin turistik, ndërsa fluksi i vizitorëve pritet të rritet edhe më shumë në muajt e verës. Me bukurinë që ofron dhe interesin në rritje nga turistët e huaj, Syri i Kaltër mbetet një nga pikat më të rëndësishme turistike në jug të vendit dhe një arsye më shumë pse Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë nga e gjithë bota.
Komente










