Një akt i pastër, i çliruar nga gjykimi, një mënyrë për të komunikuar me njerëzit dhe ndjenjat përtej arsyes është vizatimi për piktorin Gazmend Leka. Të vizatosh, për të, është si të përjetosh një magji, të bësh autopsinë e shpirtit njerëzor dhe më pas t’i japësh jetë edhe përmes simboleve. Ndaj, ekspozita e tij e radhës, “Magjia e vizatimit” është një udhëtim që fton vizitorin të zbulojë procesin krijues. Siç tashmë e ka shndërruar në traditë, ekspozita vjen në muajin tetor, muaj që shënon edhe ditëlindjen e artistit.

“Unë zakonisht e bëj ekspozitën në tetor. Filloj punën në janar dhe deri atëherë e gjithë energjia është përqendruar. Tetori përkon edhe me datëlindjen time, ndaj më pëlqen që këto dy ngjarje të përputhen.”, thotë Gazmend Leka për “Report TV”.

Mes punëve të paraqitura ndodhet edhe një vizatim i piktorit, të cilit ai e ka lidhur simbolikisht me shenjën e e tij të zodiakut, Peshoren.

“Unë jam i shenjës së Peshores. Në fakt, peshorja është i vetmi objekt që mat të gjallët. Kjo më ka bërë të mendoj për rolin e saj simbolik: është ajo që këshillon, që ndan të mirën nga e keqja. Ndoshta prandaj ajo shfaqet shpesh në punët e mia.”, shpjegon artisti.

 Kjo punë jo rastësisht është vendosur afër me një autoportret të tijin.

“Është një moment meditativ në studio. Gazi, i cili mbasi ka krijuar këto punë që kam në ekspozitë, ka një moment pushimi, ka një moment qetësie që i sheh. E kupton pasi ka mbaruar punën intensive, punën e mundimshme, për ta kolauduar frymëzimin dhe 24 orëshin e ditës. Me atë rast i vura dhe titullin ‘Magjia e vizatimit’.”, vijon Leka.

Ekspozita mbart frymën e një udhëtimi të gjatë krijues, ku përmes vizatimit, Leka kthehet te fillimet e veta artistike, por edhe te simbolika që ka shoqëruar gjithë krijimtarinë e tij — nga legjendat shqiptare, te motivet biblike dhe reflektimet bashkëkohore.

“Janë edhe motive që unë i kam shkulur nga pikturat që kam bërë vite me radhë. Është në një maratonë 40-vjeçare që kam pasur. Kam kthyer kokën pas dhe jo për nostalgji, por thjesht për të parë sa konsekuent jam unë si Gazi, me gjithë zik-zaket, me gjithë rrugicat.”, nënvizon piktori.

Ekspozita me 80 vizatime të Gazmend Lekës do të vijojë të qëndrojë e çelur edhe për disa ditë në galerinë FAB të Universitetit të Arteve.