Majat e Sharrit, një botë
joshëse në të katër stinët

Majat e Sharrit, një botë <br />joshëse në të katër stinët
Malet e Sharrit njihen për bukuritë mahnitëse, për majat e thepisura, liqejtë përrallorë, lumenjtë buçitës dhe Qenin e Sharrit, të njohur në histori si Qeni Ilir, që për nga bukuria fizike, forca, trimëria dhe besnikëria është i pakrahasueshëm me qentë e racave të tjera. Në lashtësi Sharri njihej me emrin Mont Skardus. Majave të tij pushtuesit u vunë emra të ndryshëm, po popullata autoktone i ruajti emrat origjinalë të tyre. Herodoti ato i shihte si kufij natyrorë mes fisesh ilire, të cilët, për shkak të reliefit të thyer piramidal, i krahasonin me dhëmbët e sharrës. Banorët sharrjanë të Maqedonisë e të Kosovës janë të lidhur shpirtërisht me këto bjeshkë. Ata e adhurojnë Sharrin si një shenjt të urtë, po njëkohësisht dhe u druhen tekeve të befta të tij, sepse di të bëhet dhe i papërmbajtshëm. Këtu mund të përjetohen katër stinët e vitit në një orë të vetme të ditës...

Kodra e Diellit, joshëse për sportet dimërore
Pjesë e Sharrit është edhe Kodra e Diellit, vendpushimi më i preferuar në Maqedoni nga adhuruesit e sporteve dimërore. Kjo qendër e njohur rekreative gjendet në lartësi mbidetare 1780 metra dhe rreth 18 kilometra larg Tetovës. Për t’u ngjitur deri në Kodër të Diellit ka dy mënyra: me makinë ose me teleferikun e gjatë rreth 7 kilometër. Udhëtimi 40 minutësh me teleferik është mahnitës, sepse sheh pjesë të bukura të Sharrit, por në këtë sezon ai mbetet i papërdorshëm. Rruga Tetovë – Kodër e Diellit mirëmbahet rregullisht, por mbetet tejet e frekuentuar gjatë stinës së dimrit. Në Kodër të Diellit ka disa hotele luksoze dhe shtëpiza wikendi, që janë strehë pushimi për vizitorë nga vende të ndryshme, kryesisht Shqipëria dhe Kosova. Pamjet e bukura dhe shtigjet e skijimit e bëjnë vend shumë joshës dhe relaksi për vizitorë shqiptarë dhe të huaj.

Në Kodër të Diellit ka borë 135 ditë, por ka vende ku bora nuk shkrin përgjatë gjithë vitit. Gjatësia e shtigjeve të skijimit është mbi 10 km, kurse 3 shtigje i plotësojnë kriteret e Federatës Ndërkombëtare të Skijimit (FIS). Nga viti 1947 organizohet edhe gara ndërkombëtare skijimi. Gara ndërkombëtare “Kupa e Sharrit”, mbahet çdo vit më 15 dhe 16 shkurt.

Bjeshkataria, si përjetim i natyrës së virgjër
Sharri është i pasur me ujëra dhe burime të pastra. Ai ka shumë liqej mahnitës si: Liqeni i Novo Sellës/Bogovinës, Liqeni i Bardhë, Liqeni i Zi, Liqeni i Livadhisë, Xholi etj, kurse në thellësi dhe në rrëzë të tij, nga ana e Maqedonisë, burojnë Bistra, Shkumbini, Lumi i Bogovinës, Lumi i Negotinës, Vardari... dhe lumenj të tjerë më të vegjël ujëkulluar.

Malet e Sharrit janë akoma të papara e të pashkelura nga syri dhe këmba e turistëve të botës. Po koha punon për të, sepse ofron mundësi të shumta për të gjithë adhuruesit e sporteve malore dhe dashamirësit e natyrës së virgjër e të paprekur nga dora e njeriut.

Miftar Mehmeti, piktor i njohur nga Tetova është një adhurues i natyrës dhe bukurive të papërsëritshme të Maleve të Sharrit. Me disa intelektualë e artistë të njohur shqiptarë e themeluan shoqatën e malorëve “Sytë e Sharrit”. Kjo shoqatë organizon marshe dhe aktivitete me rastin e festave kombëtare e shtetërore me qëllim të popullarizimit të bjeshkëtarisë. Ai thotë se qëllimi i shoqatës, që ka bashkëpunim të ngushtë me federatat e bjeshkatarëve nga Shqipëria dhe Kosova, është propagandimi i bukurive të shpatijeve të Sharrit, por edhe të zgjojë interesimin e të rinjve, dashamirëve të sportit, rekreacionit dhe turistëve të vendit dhe të huaj. Sharri njihet edhe për botën e pasur dhe unikate bimore e shtazore. Gjatë stinës së verës ka qindra lloje lulesh, që krijojnë kolorit të jashtëzakonshëm dhe të papërshkruar me fjalë. Shumë adhurues të natyrës, me qëllim që të shijohen dhe afirmohen bukuritë natyrore të Sharrit, nisën në marshe bjeshkatarësh. Tashmë janë bërë tradicionale marshet për Ditën e Flamurit, Ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Ditën e Arsimit Shqip, por edhe marshi Sytë e Sharrit dhe ai maratonik. Marsheve u shtohen gjithnjë e më shumë shijues të asaj bukurie që Hyu e derdhi anekënd Sharrit. ah/shqiptarja.com/

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Veliaj thirrje politikës: Mos u përfshini duke penguar çdo investim në Tiranë, zgjatimi i Lanës do transformojë qytetin

Veliaj thirrje politikës: Mos u përfshini duke penguar çdo investim në Tiranë, zgjatimi i Lanës do transformojë qytetin