TIRANE - Anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste, Pandeli Majko akuzon kryeministrin aktual Sali Berisha se po tenton të marrë nën kontroll Prokurorinë e Përgjithshme si institucioni i fundit që ka mbetur i pavarur nga ekzekutivi. Nga Korça, ku zhvilloi një takim elektoral me bazën socialiste deputeti, ish kryeministër Pandeli Majko tha sot se Prokuroria e Përgjithshme është ‘thembra e Akilit’ në mirëfunksionimin e shtetit shqiptar dhe opozita do të këmbëngulë që ky institucion të respektohet në pavarësinë e vet.

“Është institucioni i fundit i pavarur përballë i ekzekutivit dhe mendoj që pas emërimit të presidentit të ri është thjesht një numërim mbrapsht. Mendoj që pavarësisht nga historia procedurale që do të ndiqet nga partia në pushtet, pozicioni i opozitës është i qartë. Opozita do e kundërshtojë këtë dhe do kërkojmë që ky institucion të respektohet në pavarësinë e vet jo thjesht si një ndarje thelash, por si një kontinuitet kushtetues i institucionit më të rëndësishëm i përfaqësuesit të akuzës. Sot Shqipëria, në të gjitha dokumentet ndërkombëtare “akuzohet”, por aludohet për bashkëjetesë me krimin, me mos zbatimin e ligjit, dhe mungesën e luftës kundër korrupsionit. Kaq mjafton për të thënë se sot institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme është ‘thembra e Akilit’, të mirëfunksionimit të shtetit shqiptar. Nuk kemi të bëjmë me zëvendësimin e një individi, por kemi të bëjmë me marrjen në kontroll të një institucioni dhe mendoj se pas kësaj është e tepër të flitet se për çfarë do diskutohet më pas në lidhje me pavarësinë e institucioneve. Kemi një kontroll të plotë të të gjitha pushteteve nga ekzekutivi. Jemi në situatën e vitit 1996 por me një ndryshim,i njëjti individ e kontrollon pushtetin jo nga presidenca, por nga kryeministri”- tha Majko.

(sg/Shqiptarja.com)