BRUKSEL- Që nga Brukseli njëri ndër studentët e dhjetorit dhe i nderuar më pas me titullin “Pishtar i Demokracisë”, aktualisht anëtar i kryesisë së PS, deputet u kësaj partie nkërkon nga PD dhe opozita qetësi dhe kulturë në lidhje me marshimin e protestës në ditën e përkujtimit të rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha 23 vite më parë. Ish-kryeministri Pandeli Majko, i ka drejtuar një apel kolegëve të tij të opozitës që të ngrenë kulturën e opozitarizmit në një shkallë të re.

Majko thekson se këtij sistemi, siç i duhet një mazhorancë e fortë, po ashtu i duhet dhe një opozitë konstruktive. “Nuk pres asnjë gjë të jashtëzakonshme nga protesta e 20 Shkurtit, thjesht dua t’i drejtoj një apel kolegëve të PD-së që të ngrenë kulturën e opozitës në një stad të ri”, theksoi Majko. Deklarata më të cilën ka shprehur qëndrimin e tij se në ditën e protestës nuk do të ketë probleme.

Deputeti socialist, i cili kryeson delegacionin parlamentar shqiptar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, po merr pjesë në një takim në Bruksel ku po diskutohet për çështjet më sensitive si situata në Siri, Ukrainë, lufta kundër terrorizmit dhe me sa duket pikërisht për shkak të këtyre situatave, ka bërë dhe deklaratën e tij në funksion të qetësimit të situatës politike vetëm disa ditë para startimit të protestës së opozitës shqiptare në bulevardin qëndror të kryeqytetit.

Majko bëri të ditur se pas tre muajsh në Tiranë do të mbahet tryeza e ambasadorëve të NATO, ku gjithashtu do të jetë i pranishëm edhe Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Euroatlantike, Anders Fogh Rasmussen. Çka tregon se Shqipëria tashmë është me të vërtetë e konsoliduar në axhendën e saj evropiane dhe situatat jostable nuk i shërbejnë për integrimin në BE.

Shkrimi u publikua sot (19.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)