Z.Majko, po përdor shprehjen e një kolegu, "hiqeni atë dreq imunitet"...
Unë po ju përgjigjem "e çfarë është ky dreq imunitet"...Sot çështja e imunitetit është ngritur në një piedestal të paqenë për të ofruar atë në publik si të ishte standardi i ndershmërisë apo i pandershmërisë së politikanëve, gjë që nuk është aspak i vërtetë. Sot politikën nuk po e ha imuniteti në pikëpamjen e dyshimeve që një pjesë e rëndësishme e publikut ka për politikën shqiptare. Unë mendoj se ky lloj diskutimi fillon nga një marrëdhënie që një pjesë e klasës politike ka përçuar në sistemin e drejtësisë, në marrëdhëniet me shtetin shqiptar, ndërtimin e një elite, apo në fenomenin e të paprekshmes. Këta të paprekshëm kanë krijuar një histori e cila nuk ka kaluar pa u vënë re nga publiku shqiptar dhe kjo do të sjellë në vijim një varg problemesh dhe nuk ka të bëjë fare me diskutimin se heqja e imunitetit do të na bëjë me të ndershëm apo me pak të ndershëm, pasi do të ishte naive. Ky është vetëm njëri krah i diskutimit, pasi nga krahu tjetër qëndron problemi i drejtësisë shqiptare, që lë shumë për të dëshiruar. Nëse sot shteti shqiptar ka një problem është se ai nuk ka një gjykatë apo një prokuror nga i cili të dridhen të gjithë, nga ai që është hajdut xhepi e deri tek ai që shkon me Benz në zyrë.
Ju përfaqësuesit e PS, flisni me siguri që do të vini në pushtet në 2013. Nëse ky imunitet hiqet tani, a ju vlen ju më shumë apo PD që sipas jush do të dalë në opozitë?
Nuk besoj se vlen të diskutohet nga pikëpamja e vlerës, sepse nëse do të mendojmë se korrupsioni është i fokusuar tek opozita dhe çdo heqje imuniteti kërkon 71 vota dhe këto vota nuk i ka opozita që do të thotë se ne në asnjë rast nuk mund të bllokojmë heqjen e imunitetit askujt në radhët e mazhorancës. Mendoj se, dhe këtu duhet të pranoj që jam mes kufirit të vërtetës dhe aludimit, çështja e imunitetit është edhe një presion që në përgjithësi Berisha po e bën ndaj segmenteve të caktuara mazhoranëcës për t'i bërë ata me bashkëpunues me qëllimin e tij dhe për ta bërë më solide dhe pa zhurma të brendshme.
E keni fjalën për LSI?
Po pse ju shkon mendja vetëm tek LSI dhe mazhorancën nuk e përben vetëm nga PD dhe LSI por ka edhe të tjerë. Çështja e zhurmave të brendshme mendoj se e shqetëson në mënyrë mjaft bindëse Kryeministrin Berisha. Edhe përdorimi i fjalës "referendum" në një moment të caktuar ka të bëjë me një presion me të cilin ky lojtar i vjetër i politikës kërkon të luajë shumë fort në një skenë, kur e di shumë mirë që nuk i ka 71 vota të plota teknikisht të partisë që ai kryeson.
Ju jeni i bindur që ne do ta marrim statusin e vendit kandidat për në BE në tetor?
E kam thënë këtë edhe në publik, mendoj dhe shpresoj me gjithë zemër që kjo të ndodhë.
Shpresën e kemi të gjithë z. Majko, por dua të di a jeni i bindur që do ta marrim?
Kam pasur disa biseda shumë interesante gjatë muajit gusht dh enë fillimin e këtij muaji dhe nuk besoj gjithçka çfarë po ndodh në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Brukselit ka të bëjë me ato që shohim ne televizor. Një pjesë e njerëzve që shkruajë letrat dhe që shpesh janë të padukshëm kanë mbërritur në tiranë dhe po komunikojnë për të kuptuar realitetin e asaj çka ndodh në Shqipëri. Nuk besoj se Brukseli i mat gjithçka nga deklaratat e mazhorancës apo të opozitës dhe nxjerr një mesatare. Ajo që po më pëlqen është fakti që Europa ka hyrë në detaje me atë çka po ndodh me Shqipërinë dhe shqiptarët. Duhet të theksojmë një fakt që Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe në një kohë që ne jemi në një nga tavolinat më të rëndësishme të sigurisë, ne nuk kemi marrë akoma ftesën për statusin, një ftesë të cilën e kanë marrë vende që nuk janë anëtare të NATOS, apo për më tepër vende si Serbia që kanë qenë në ko0nflik zyrtar me NATO dhe politikën e sigurisë. Mendoj çështja e ftesës ka disa parime të cilat duhen sqaruar edhe në marrëdhëniet jo vetëm çfarë po bëjnë shqiptarët me njëri-tjetrin por edhe çfarë po bëjnë të tjerët me shqiptarët. Ne nuk jemi më i paraluftës së Jugosllavisë. Është një komb që diskuton stabilitetin në disa shtete në rajon dhe sigurisht dhe dhënia e disa garancive apo shprese dhe krijimi i një infrastrukture për të ecur së bashku i gjithë rajoni, janë disa elementë që ndihmojnë nga pikëpamja teknike për të nxitur dhe kristalizuar idenë që Europa ka një plan për këtë pjesë të saj. Ne jemi një hapësirë ë rrethuar nga të gjitha anët nga vende pjesë e BE dhe është non sense që të mendosh se kjo hapësirë nuk ka një shpresë apo histori për të zhvilluar me Brukselin. Sigurisht që këtu ka shumë defekte për tu diskutuar, si p.sh ndryshe nga integrimi në NATO, integrimi në BE është fiksuar ne detaje teknike dhe momente procedurale i kanë orientuar në marrëdhëniet bilaterale.
A jeni dakort ju se ka një segment antishqiptar për të mos i dhënë ftesën Shqipërisë?
Europa është një konstrukt tradicionalist dhe është prodhuese kryesore e historisë së njerëzimit dhe në fibrën e vet kjo traditë duhet reëspektuar ashtu siç është. Në pikëpamjen e marrëdhënieve me Europën ne jemi një vend shumë i vjetër por edhe shumë i ri me letra. Nuk mendoj se ne duhet të qëmtojmë çfarë shkon dhe çfarë jo në zyrat e Brukselit, pasi ky do të ishte më shumë një justifikim për atë çfarë ndodh dhe nuk ndodh në faktorin shqiptar. Në të gjithë historinë 100- vjeçare që në do të festojmë ne duhet të jemi shumë reflektues e gjithë historia jonë përmblidhet në një mbretëri, në një diktaturë dhe në një postkomunizëm. Më falni, por një i huaj që vjen dhe sheh dosjen e Shqipërisë në këto 100 vjet besoni se do të ndihet shumë optimist për nivelin e ndërtimit të shtetit, apo për marrëdhënieve të brendshme. Nuk besoj se do të jemi shumë logjikshëm për të diskutuar atë çka na kanë bërë të tjerët pa diskutuar më parë atë çfarë i kemi bërë vetes. Aktualisht këtë moment që ekziston si marrëdhënie ne mund ta konsiderojmë si më të mirën që kombi shqiptar ka pasur që nga shpërbërja e Perandorisë Osmane, me Europën. Ndaj ripërsëris pranimin e kushtëzuar, dhe them që qeveritë kanë gjithnjë problemi i shqiptarëve, por ato nuk kanë qenë asnjëherë penguese,ato kanë qenë gjithnjë kosto e përkohshme. I takon politikës shqiptare, për interes të publikut të vet të përkthejë kohën në të cilën po jetojmë, pasi nëse nuk e bëjmë ne nuk mund të diskutojmë për të ardhme, për më tepër me një brez të ri votuesish, me nje rritje progresive, që ka interesa krejtësisht të ndryshme nga ato me të cilat filluam ne në vitet 90.
Ju përmendet sigurinë e votës dhe shpesh PS flet shpesh për në këto 22 vjet nuk ka pasur zgjedhje të lira. Z. Rama edhe mund të kuptojmë këtë, pasi ai nuk ka organizauyr asnjëherë zgjedhje, por ndërkohë ju dhe të tjerë në PS që keni qenë në pushtet përse në këto 22 vjet nuk keni organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme?
Është shumë e thjeshtë për ta thënë dhe nuk ka të bëjë me sensin e të qenit autokritik. Është ironike të thuhet që zgjedhjet e 31 marsit të '91 nga pikëpamja teknike ishin të standardit. Më pas erdhën zgjedhjet e '92 dhe përgjithësisht zemreku i pushteteve në Shqipëri ka ndryshuar kur opozita ka arritur nivelet e 60 apo 70 përiqind të votuesve që do të thotë se nuk kishe ku ta çoje. Me një logjikë të tillë ne fituam referendumin për kushtetutën në '94 dhe në '96 u bë një manipulim duke patur parasysh edhe rezultatin e referendumit. Nëse do të shohim rezultatin e 96 është frika e asaj që ndodhi në rezultatin e referendumit dhe kjo solli shmangien e opozitës nga marrëdhenia me shtetasit e vet dhe një probelm i cili shpërtheu në '97. ne si e majtë jemi afruar si dervat i standardit në zgjedhjet e 2005. Në këto zgjedhje nga pikëpamja e marrëdhënieve mes PD dhe PS vlen të theksosh rotacionin politik, pa u përqendruar te ato çka ndodhën poshtë tavolinës.
Pra ky është sipas jush rotacioni më serioz politik?
Po rotacioni me serioz është ai i 2005.
A e prisni këtë në zgjedhjet e 2013?
Te jem i sinqertë jam shumë dyshues, pasi në një vend ku diskutohet barazia para ligjit është kotë të diskutosh për barazinë e votës. Ajo që po diskutojmë ne sot si opozitë është se ky pushtet nuk mund të rrëzohet sipas një loje fjollë të politikës sipas të gjitha teorive që na kanë ardhur nga Perëndimi. Kjo është një marrëdhënie shumë e ndërlikuar dhe gjerat do të ndahen në 2013, pra nëse do të vijohet me këtë status-quo apo do të ndryshohet. Mendoj se kjo do të nxisë një votë të madhe, deri tani të fjetur, që unë shpresoj të kapërcejë atë koeficientin e manipulimit që sado të flasim në sot për zgjedhje të lira, ky koeficiente do të jetë.
Ju flisni për dyshime, sepse mendoni se Berisha është nga ata që nuk e lëshon pushtetin kollaj apo dini më shumë se ç'dimë ne të gjithë?
Aktualisht që po flasim kemi një sistem politik ku deputetët nuk janë direkt të zgjedhur nga populli, por ajo është më tepër një partiokraci e cila urdhërohet shumë lehtë. Kemi një histori politike që po lidhet shumë me bizneset dhe interesat e tyre mendoj se këto lidhje sidomos ato të padukshmet, ndaj këto dhe të tjera nuk duhet të na bëjnë shumë optimist për një rotacion pushteti në mënyrë normale. Në kushtet e fuqizimit të opozitës ndaj vetes dhe opsionit që ajo ofron e shoqëruar edhe me një presion pozitiv ndërkombëtar për situatën e krijuar në Shqipëri, i cili mund të konsiderohet shtet një partiak, unë mendoj se ka nevoje për tju hapur një dritare dhe për të pastruar ajrin.
Vetëm dhjetë muaj na ndajnë nga zgjedhjet e ardhshme, a ka një frymë në PS dhe bazë dhe se ajo do të vijë në pushtet?
Ajo që mund të rrezikojë procesin zgjedhor në Shqipëri do të ishte një histori të cilën unë e kam definuar si "konkurrenca e opozitave". Jo se në Shqipëri nuk duhet të ketë një konkurrencë të opozitave, por në kushtet në të cilat ndodhet vendi ynë nuk besoj se ka shumë komoditet për të orientuar një klime konkurancash mes opozitave, kjo klime do të ndihmonte më shumë partinë në pushtet. Ajo që i duhet të partive opozitare sot në Shqipëri është të mos krijojnë shumë pikëpyetje brenda vetes por ta shohin 2013 si një stacion të ndërmjetëm , ku cilësia e kryesore që ka shoqëria shqiptare është të ndryshojë këtë status quo politike dhe pastaj të rishikojnë brenda vetes opsione të ndryshme.
Ekziston një teori sipas të cilës dilema bashkimit në një koalicion te PS me LSi po tërheq zvarrë opzionin tuaj politik deri në zgjedhje. A është e vërtetë kjo?
Në tilla histori nuk ecet më përshtypje. Sot LSI nuk mund të diskutohet si një gur peshoreje e cila do të vendosë fatin e PS, së pari sepse përmasat ka të tilla, së dyti sepse ajo vjen pas një katër vjeçari edhe demoralizues në disa pikëpamje për bashkëqeverisjen me PD. Duhet theksuar fakti së Sali Berisha me LSI nuk ka ndarë pushtet politik, por ka ndarë pushtet ekonomik dhe mendoj se kjo që sapo thashë vlen të diskutohen, pasi këto janë dy gjëra shumë të ndryshme. Është në vendmarrjen e LSI që të gjykojë pozicionin e saj dhe nuk besoj se ka pasur oferta të tilla nga ana PS karshi LSI që të ketë krijuar ndjenjën e një udhëkryqi, pra që PS vetëm me LSI mund të marrë pushtetin dhe pa LSI nuk mund të marrë pushtetin. Me LSI ne sigurisht që jemi të pirur të shikojmë me LSI, apo me të gjitha partitë e majta të jenë të bashkuara, por këtë nuk mund ta bëjmë me një parti, që të bëjë jetë të dyfishtë, praq që në një krah të qeverisë me PD dhe në krahun tjetër të përgatitet që të bëjë fushatë elektorale me PS. Mendoj se kjo nuk është as e mundshme as oportune për pozicionin e LSI, një përgjigje të tille të qartë mund ta zgjidhë vetëm drejtuesit e saj dhe jo PS. Nuk është moralshme që një parti nuk shfaq asnjë lloj traume në qeverisjen me PD, të bëjë që ne të marrim mandolinat e ti këndojmë poshtë dritares "kur po vjen me ne", nuk na shkon një histori e tillë. LSI për disa arsye, edhe matematikore, shumë shpejt do të marrë vendime veta.
Këtë do ta bëjë, para apo pas zgjedhjeve?
Besoj para zgjedhjeve.
Cilat janë marrëdhëniet tuaja me z. Meta?
Nuk kemi pasur ndonjë marrëdhënie, pas 2009, kur ai vendosi të hynte në koalicion me Berishën dhe kjo besoj është e kuptueshme.
Kur dëgjuat se prokuroria kërkoi dy vjet burg për z.Meta si e përcollët këtë lajm?
Nuk besoj se përgjigja ime do të ishte shumë interesante për publikun, por jam ndjerë keq.
A i bëtë telefonatë?
Unë telefonatë...?! Në 21 janar unë kam qenë në shesh bashkë me kolegët e mi sepse isha i binudr që ajo video ishte e vërtetë, por nga pikëpamja njerëzore jam ndjerë keq.
Menduat se pas kësaj z.Meta mund të dilte jashtë politikës?
Po e mendova, sidomos kur dëgjova pretencën e Prokurorisë dhe mendova se kjo çështje aty u mbyll. Aty pastaj mbaroi Pandeliu politikan dhe filloi njeriu dhe cilido që ka kaluar një periudhë të gjatë me një njeri, pavarësisht ndarjeve duhet ta ndjejë një gjë të të tillë.
Po kur gjykata e shpalli të pafajshëm çfarë menduat në atë moment?
Kjo është një histori tjetër dhe këtu rikthehemi në politikë. Më parë më pyetet për Pandeliun me Ilirin tani po më pyesni për pozicionin politikë dhe mendoj se këtë pikë nuk kemi çfarë t'i shpjegojmë njëri tjetrit.
Edi Rama ka shtat vjet në krye të PS dhe së shpejti mbush tetë, ndërsa Nano ka qenë në krye për nëntë vite. Si e vlerësoni ju PS e Nanos dhe atë të Ramës, jo në kuptimin negativ, por në këndvështrimin e drejtimit të saj?
Tek mendja ime nuk ka dallim sepse PS është një histori, është një vazhdim. Për mua është një grupim njerëzish që targën nuk e ka të lidhur me kryetarin e partisë, edhe pse është pjesa më delikatë që sheh publiku, por si ashtu si e shoh unë si një njeri i brendshëm është një familje e cila ka rrugëtimin e saj. Dallime ka, por nuk shoh dallime në pikëpamjen njerëzore.
Ka ndonjë lloj oportuniteti në këtë që thoni z. Majko?
Po e pranoj që ka oportunizëm, por duhet oportunizmi është shumë njerëzor dhe ju duhet ta mirekuptoni ashtu siç është. Ne në PS nuk kemi marrëdhënie makinash, jemi pjesë e një bashkësie që kemi prodhuar lajme të mira në një pjesë të madhe të historisë sonë, por edhe të këqia që njerëzit nuk i kanë pëlqyer dhe kjo është arsyeja pse kemi qenë në pushtet dhe në opozitë.
Si e parashikoni Edi Ramën si kryeministër?
E parashikoj si shumë të mirë se sa në perceptimin që është krijuar për të si kryetar partie. Një pjesë e aftësive të tija nuk janë më shumë politike sesa administrative gjë brenda partisë mund të krijojnë atë që mund ta quajmë kontradisksion, por në administratë ato do të kenë një kualitet shumë pozitiv që kanë për tu ndjerë në qeverisje. Kjo do të thotë se jo çdo e keqe ne opozitë është e keqe në pushtet dhe anasjelltas. Në këtë kuadër mendoj se Rama do të sjellë një rifreskim të staturës siç janë mësuar qytetarët ta shohin qeverisjen në marrëdhënie me ta. Besoj se Rama do të jetë njeriu i vendimeve të forta, një individ i cili do të shkruajë faqen e vet në histori dhe jo në librin e kujtimeve.