TIRANE- Gjatë një bashkëbisedimi me studentët në Tiranë, kandidati për deputet për zgjedhjet e 23 qershorit në Tiranë, Pandeli Majko, është ndalur tek problemet ekonomike e socialiste me të cilat përballet vendi sot. Deputeti socialist theksoi rëndësinë e rotacionit të qeverive, ndërkohë që u ndal edhe tek nevojat e shqiptarëve për të jetuar në një shtet demokratik dhe ligjor.
 
“Mundësitë dhe kostot e politikës janë udhëkryqi në këtë pragzgjedhje ku Shqipëria dhe shqiptarët duan më shumë se sa ndërrimi i pushtetit. Marrëdhënia empirike midis demokracisë dhe zhvillimit ekonomik mbetet ende me mjaft pikëpyetje në vazhdim. Tranzicioni autoritarist ka dështuar jo vetëm në Shqipëri. Ajo që bindshëm kemi kuptuar është se mungesa e legjitimitetit në një jetë të dyfishtë me rregullat e demokracisë po na vret ngadalë dhe nga pak çdo ditë. Kjo e bën ditën e zgjedhjeve 23 qershorin një datë të veçantë. Jo vetëm për rezultatin por edhe për atë që vjen pas saj”, u shpreh Majko.
 
Majko tha se aspektet social-ekonomike kanë nevojë urgjente për rishikim, në mënyrë që të luftohet varfëria që ka zënë vend në familjet e shqiptarëve.
 
“Mendoj se aspekti ekonomiko-social i këtyre 22 viteve demokraci në Shqipëri ka nevojë urgjente për rishikim. Për t’u bërë qesharakë me përrallat e vendit më të zhvilluar në botë, është e thjeshtë. Një ekonomi e egër, ku fiton jo më i forti, por ai që është më pranë “klanit” në pushtet, i ka thelluar diferencat sociale në atë masë sa, duhet një rishikim i rregullave të lojës. Quhemi një vend në zhvillim, por nuk duhet të harrojmë, pa u turpëruar aspak, se jemi ndër më të varfrit në Europë. Varfëria e tejskajshme është migjeniane në shumë fshatra të Shqipërisë. Por dhe shtresa e mesme, ajo që sjell zhvillimin dhe shtyn përpara shoqërinë, sot është e mbytur në borxhe, e bllokuar në skemat korruptive të elitës në pushtet dhe e kërcënuar deri dhe me shtyrjen me muaj të ditës së rrogës”, tha Majko.
 
Duke u ndalur tek investimet e bëra në vend, Majko tha se janë detyrë e cdo qeverie, ndërsa shtoi se qeveria e pas 23 qershorit, nëse do të drejtohet nga PS, do të fokusohet edhe në politikat ekonomiko-sociale të vendit.
 
“Politikat e vërteta sociale janë ato që sot më tepër se kurrë mund të ndihmojnë shoqërinë tonë. Investimi i të majtëve shqiptarë, që për fat të mirë do të nisë pas një jave, nuk është thjesht raport përqindjesh i taksimit. Por është solidaritet, mirëkuptim, përkrahje dhe dashuri. Një qeveri kudo bën rrugë, ngre shkolla e spitale, sepse këtë detyrë ka. Por mënyra si përdoren fondet publike, sa prej tyre përfundojnë në xhepat e thellë të korrupsionit dhe si matet impakti në shërbim të komunitetit, janë për t’u parë me shumë kujdes”.
 
Deputeti socialist tha se duhet të punohet për ndërtimin e një shteti ligjor solid, në mënyrë që të vendoset drejtësia në vend.
 
“Duhet me patjetër të ndërtojmë një shtet solid ligjor, bazuar në respektin e palëkundshëm për qytetarin. Shqipëria ka paguar kosto shumë të mëdha nga politikat e gabuara, duke nisur me parajsën e premtuar të piramidave, polarizimin e skajshëm politik dhe shumë e shumë jetë të humbura edhe për faj të politikës”, u shpreh Majko.
 
Më tej, deputeti i PS tha se politika ka patur ndikimet e saj negativë në deformimin e realitetit shqiptar.
 
“Mund të thuhet me plot gojën se politika jonë këta 22 vjet ka pasur mundësitë e saj. Realiteti shqiptar është ndryshuar por deformimet e tij janë të importuara kryesisht nga politika. Politika në Shqipëria qenë dhe mbetet një mundësi për ndryshim dhe po aq një çmim që është paguar nga njeriu i thjeshtë. Politika sot është një profesion i dashur dhe i urryer, shpesh i keqkuptuar dhe me kosto të shumta për shqiptarët, të cilat jo rrallë kanë qenë shumë të shtrenjta. Realiteti i sotëm flet qartë se politika shqiptare ka dështuar në axhendën e ndërtimit të shtetit ligjor”, vijoi Majko.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)