Vetëm disa ditë përpara përvjetorit të 21-të të themelimit të Forumit Eurosocialist Shqiptar, ish-kryetari i këtij forumi, njëherësh njëri ndër gjashtë anëtarët e parë themelues të këtij organizmi rinor partiak, Pandeli Majko rrëfen për herë të parë debatet që kanë pasur për stemën e këtij forumi. Që sipas tij, ishte fillimisht një lulëkuqe e çelur e vendosur në një sfond ngjyrë rozë dhe e qarkuar nga 12 yjë blu, simbol i flamurit të Bashkimit Evropian, i cili asokohe kishte 12 anëtarë. Dhe kjo stemë ishte "gdhendur" dhe në teserën e anëtarit të FRSSSH, të cilin ish-kryetari i këtij forumi, ish-kryeministër i vendit dhe njëherësh dhe deputet i PS, Pandeli Majo e publikon në Facebook.

"Kjo është tesera parë e anëtarësisë të Forumit Eurosocialist. Po vjen 15 janari i FRESSH-it! Të mendosh se kjo histori filloi me 6 vetë...Për të vazhduar në mijëra të tjerë në të gjithë vendin", shkruan Majko në adresën e tij personale në rrjetin social Facebook, teksa ka publikuar në murin e saj dhe teserën e parë të FRESSH që ka pasur asokohe.

Njëherësh ai zbardh për herë të parë dhe debatin që ka shpërthyer për "lulekuqen" në qendër të stemës dhe arësyet se përse u hoq ajo për t'u zëvendësuar me "trëndafilin" e majtë evropian, simbol i së majtës evropiane, me argumentin se ngjante me një lule me përmbajtje narkotike. "Kjo është pjesa më e bukur e historisë politike të Partisë Socialiste. Lulëkuqen që mua më pëlqente veçanërisht u hoq më vonë edhe nga stema fillestare e PS pasi "ishte lule me përmbajtje lëndësh narkotike" dhe duhej të shkonim tek "trëndafili" i së majtës europiane… Për të treguar rëndësinë e FRESSH-it të kohës stema e PS kishte "dy" trëndafila.

Ai i paçeluri përfaqësonte rininë eurosocialiste… Pastaj edhe neve na u hap "gonxhja"… Duket sikur është dje! Dhe historia vazhdon!", ka shkruajtur Majko në faqen e tij të rrjetit social Facebook, vetëm disa ditë përpara se të festohet përvjetori i 21-të i krijimit të FRESSH. Ai përshkruan në mënyrën me simbolike të mundshme kalimin nga "lulëkuqja" qe vetë e pëlqente aq shumë te "trandafili" i së majtës evropiane, duke përmendur për herë të parë se lulëkuqja u hoq sepse simbolizonte lulen e heroinës, drogë e fortë kjo. Njëherësh ai po përmes simbolikës tregon dhe rolin e rinisë socialiste në zhvillimet e PS, teksa thotë se gonxhja e paçelur u hap, duke treguar marrjen e përgjegjësive në qeverisjen e vendit. Dhe në të vërtetë FRESSH i dha PS dy kryeministra, Majkon dhe Metën dhe ministra, duke filluar nga Ndre Legisi, Ilir Zela, Gjergj Koja e Mustafa Muçi, tashmë të shpërndarë dhe nëpër parti të tjera.


majko ne fb

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 11 janar 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)