TIRANE - Partia Socialiste ka vijuar prezantimin e programit të saj nëpër lagjet e ndryshme të Tiranës. Tre kandidatët në listën e Tiranës, kryesuesi i listës së qarkut më të madh në vend me 32 deputetë, Pandeli Majko si dhe kandidatët e tjerë Blerina Gjylameti dhe Afrim Qëndro, gjatë “Këndit të fjalës” të mbajtur me banorët e Njësisë Nr.5 në rrugën "Sami Frashëri", pranë gjimnazit "Petro Nini", kanë kërkuar mbështetjen për ndryshimin e situatës së mjeruar ekonomike dhe sociale në të cilën gjendet vendi.

Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët e shumtë të pranishëm në takim, u shkëmbyen ide për përmirësimin e situatës pas ndryshimit të pushtetit në zgjedhjet e 23 qershorit.

“Vota për PS është votë për të vendosur një kufi midis 8 viteve mjerim dhe të ardhmes së plotë pune e shprese. Sot pas 8 vitesh populli ka marrë vetëm premtime, ndërsa qeveria ka marrë vetëm borxhe. Sot një shqiptar lind me borxhe dhe e paguan atë gjithë jetën në formë takse. Shqipëria, vendi i mjeruar i Europës Juglindore, vendi ku dhe jeta e çdo qytetari është në rrezik. Sot pas 8 vitesh kërkojnë ndryshim jo duke premtuar, por duke iu kërkuar të na lejoni të përmbushim detyrimet që kemi ndaj jush”, u shpreh kryesuesi i listës së PS për Tiranën, Majko në bashkëbisedimin e zhvilluar me banorë të Njësisë Nr. 5.

Që ka vendosur që në këtë fushatë në qarkun e Tiranës si kryeministri më i suksesshëm i Shqipërisë që ka përballuar madje dhe luftën e Kosovës, të merret me hallet e njerëzve dhe me nevojat e tyre. Këtë “sagë” takimesh Majko dhe kandidatët e tjerë për deputetë në qarkun e Tiranës, duke pasur përballë një Berishës agresiv, pritet ta vijojnë dhe ditët e ardhshme.

Redaksia online
(e.s/ar.sh/shqiptarja.com)