TIRANE-  Efektivat e policisë së Tiranës nuk kursejnë as makinën e kryetares së Gjykatës së Lartë z. Shpresa Beçaj. Automjetit me targë TR 0273 Z i janë vjedhur pjesë të ndryshme të motorit si dhe aksesorë të tjerë, përfshirë këtu dhe naftën që ndodhej në serbatorin e makinës tip Benz-Mercedes. Grabitja ka ndodhur në periudhën kur automjeti ka qëndruar në parkingun e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, ku gjatë kësaj kohe siç duket efektiva policie kanë ndërhyrë në pjesë të ndryshme të makinës duke hequr prej andej, një pjesë të konsiderueshme të aksesorëve motorrikë, por jo vetëm. Lajmi për grabitjen e automjetit, konfirmohet dhe nga burime pranë Gjykatës së Lartë, të cilat thanë se për dëmin e shkaktuar janë duke ndjekur të gjitha procedurat ligjore në Gjykatën e Tiranës. Mësohet se pikërisht për këtë problem në gjykatën e kryeqytetit ditën e djeshme është depozituar në sekretarinë gjyqësore një padi civile. Paditës është Gjykata e Lartë, ndërkohë që i padituri është Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Komisariati i Policisë Rrugore. Këto dy institucione, sipas pretendimeve të Gjykatës së Lartë janë përgjegjëse të grabitjes dhe shkaktimit të dëmit për shkak se automjeti tip Benz-Mercedes me targa TR 0273 Z, pas përfshirjes në një aksident në zonën e Shallvareve ishte dërguar më pas në parkingun e Komisariatit të Policisë Rrugore.
Grabitja e pjesëve
Pikërisht në parkingun e këtij komisariati dyshohet se efektivë të policisë rrugore, kanë vjedhur pjesët e makinës së aksidentuar. Nuk dihet me saktësi se cilët janë pjesët konkrete që janë hequr nga automjeti, por tashmë ajo që dihet është se Gjykata e Lartë e ka marrë tepër seriozisht këtë rast skandaloz duke kërkuar në gjykatën e Tiranës që Drejtoria e Policisë dhe Komisariati i Policisë Rrugore t`i shpërblejnë në shumë financiare të gjitha dëmet e shkaktuara. Momentalisht çështja civile do gjykohet nga gjyqtarja e Tiranës Rezarta Balliu, dhe se shumë shpejt pritet të përcaktohet dhe data e fillimit të gjyqit. Të kontaktuar nga gazeta “Shqiptarja.com” zyrtarë të lartë të policisë së shtetit thanë se nuk ishin në dijeni të këtij problemi. Ata shtuan se në rast se një gjë e tillë ka ndodhur atëherë, është e nevojshme që dhe policia të kryejë verifikimet për të mësuar nëse vërtet është grabitja apo jo. Grabitja e makinës shtetërore, e cila përdoret nga një figurë personiliteti të shtetit Shqiptar, siç është z.Shpresa Becaj, sjell edhe një herë në vëmendje skandalin e grabitjeve të pjesëve të automjeteve, në periudhën kur ato qëndrojnë të bllokuara në parkingun e komisariateve rrugore. Ky nuk është rasti i parë, i grabitjeve, pasi thuajse çdo ditë shënohet raste të tilla, ku qytetarë të ndryshëm bien viktima të këtij abuzimi. (Ne foto Benzi i aksidentuar i Gjykatës së Lartë.)
(Shkrimi eshte botuar sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)