Një aksident i rëndë ka ndodhur në aksin rrugore Vlorë-Kuç, ku një makinë ka përfunduar në humnerë, duke lënë të plagosur rëndë 2 të moshuar. Një makinë tip 'Opel Corsa' ka rënë në zonën e fshatit Brataj në lumin e Vlorës, dhe 2 personat që udhëtonin kanë marrë plagë të rënda dhe janë nisur drejt spitalit të Vlorës.

Kacandon Hasanaj ka qenë drejtuesi i makinës rreth 70 vjeç, ndërsa pasagjerja Helena Hasanaj rreth 65 vjeç. Të plagosurit janë ndihmuar nga kalimtarët dhe banorët e zonës, të cilët u transportuan në spital, për ndihmë mjekësore. Dy të plagosurit ndodhen në spital në gjendje të rëndë.

Ajo që të bën përshtypje nga ky aksidenti dhe që të rikthen vëmendjen edhe të ngjarje të tjera të ngjashme është fakti se si ka mundësi që barrierat mbrojtëse anësh rrugës, të vendosura edhe në akse rrugore të sapo ndërtuara nuk arrijnë dot të mbajnë edhe një mjet të tillë kaq të vogël sa ‘Opel Corsa’. Pse na u dashkan këto barriera mbrojtëse kur nuk e bën funksionin minimal? 

Si ka mundësi që institucionet që duhet të bëjnë kontrollet nuk mbajnë asnjë përgjegjesi?! Nga Ministria thonë se kjo rrugë në Vlorë është ndërtuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit që ka bërë edhe kontrollin. Megjithatë Report Tv ka mësuar se që nga vitit 2022 ARRSH e ka marrë në dorëzim rrugën, pasi aty ka financuar FSHZH. Jo vetëm por ARRSH ia ka dhënë për mirëmbajtje një firme tjetër dhe ka të gjithë përgjegjësinë vetë si institucion për sigurinë në këtë aks rrugor.

Rruga e Lumit të Vlorës i ka kushtuar buxhetit te shtetit mbi 10 miliardë lekë dhe punimet kanë përfunduar në vitin 2022. Autoriteti Rrugor Shqiptar në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës, si enti pronar i kësaj rruge refuzon të përgjigjet për punimet pa cilësi që po rrezikojnë jetën e njerëzve.  Sa i përket ngjarjes së Vlorës shihet qarte se barrierat kanë rënë në humnerë bashkë me makinën dhe 2 personat fatkeq.

Po kush i bën kontrollet? A mban kush përgjegjësi për këto aksidente që kanë rezultuar edhe fatale siç ishte rasti i aksidentit tragjik me 3 të rinj të vdekur në rrethrrotullimin e TEG. Edhe aty barriera mbrojtëse nuk e ndali makinën. Është koha që përgjegjësit të evidentohen para se ndodhë një tjetër tragjedi në një tjetër rrugë në vend, me një tjetër barrierë që luan rol thjesht estetik dhe aspak për misionin që kanë dhe që harxhohen miliona.

Sa i përket ngjarjes së Vlorës barrierat në rrugë nuk kanë mbajtur asgjë dhe janë shkatërruar menjëherë duke mos garantuar aspak sigurinë e drejtuesve të mjeteve. Barrierat kanë rënë në humnerë bashkë me makinën dhe 2 personat fatkeq në makinë.

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po kryen veprimet e mëtejshme në lidhje me zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

1681556862_2.jpg

1681556878_1.jpg